Albspirit

Media/News/Publishing

Për filmin e Mevlan Shanaj “Nikolla i zemrës së Tiranës”

Josif Papagjoni

Mevlan i dashur! E pashë dokumentarin tënd për Nikolla Zoraqin. Më la mbresa si zgjidhje, ku ngrihet struktura bazë e tij, kolona zanore, pra muzika ku ai kulmoi, ato tinguj violinash dhe shpërthimet e gjithë orkestrës, kur shpesh mendoja sikur aurora e atyre harqevet ishte si prej një Tvorzhaku, Moxarti a një Vivaldi, kaq bukur e ujdisur dhe plot ekstaza tingullore. Dhe Nikolla ishte vërtet Magu i “Zemrës së Tiranës”, siç ti e ke titulluar…

Më pëlqeu Tirana e vjetër ku ai ishte rritur dhe ku e mbushi shpirtin me tingujt, ritmet dhe motivet muzikore të popullit të tij; më pëlqyen ato shtëpi qerpiçi të mbuluara me tjegulla a llamarina, letërkatrama; dhe gurët përsipër, dhe njerëzit e asaj kohe, të një Shqipërie që rrekej udhës së qytetërimit, aty ku ai u rrit dhe ku këmba e tij shkeli…

Më pëlqeu dialogu me violinën dhe braktisja e saj për një dimension tjetër shumë më madhor, kompozimin, në format e mëdha muzikore, simfonitë, operat, baletet e tij të famshme…

Si dhe në dokumentarët e tjerë, ti ke futur vetveten si narrator Mevlan, për të ndërtuar një dialog sa më personal me muzikantin e shquar, një bisedë të butë, pa patetikë, gati intime, ku më shumë nuk ishte ngulmi për kodet muzikore, risitë, strukturat melodike, orkestracionet, kombëtaren etj., por për të sjellë lëvizjen e tij shpirtërore si nëpër mugëtira e thelloma ku ky shpirt rrugëtonte, përpëlitej e digjej si flutura drejt dritës, vezullimeve, patosit, ekstazave, pushtetit të tingujve…

Ishte një portret që një artist ia bën një tjetër artisti, ku fijet e holla të artit duket sikur rrjedhin, përbashkohen, përkëdhelen, dashurohen.

Po Mevlan, filmi yt për Nikolla Zoraqin ishte një akt dashurie, nxjerrë hijshëm në spikamë dhe nga teksti i sat shoqeje e bashkëpunëtores së përhershme të filmave të tu, Natasha Lakos.

Nikolla Zoraqi dhe shumë artistë të tjerë në artet shqiptarë, nuk i vijnë më këtij populli. Koha kishte nevojë për ta, shterzoi dhe i lindi. Këta janë klasikët tanë. Ata nuk kanë nevojë për ne. Ne kemi nevojë për ta. Kemi nevojë për shpirtin e tyre mërgimtar në kohë, për madhështinë e tyre. Kemi nevojë për dritën e tyre, të cilën druaj se vallë a do ta kenë të tjerët nesër siç ai e kishte…