Sadik Bejko: Izet Shehu, poeti që erdhi me vonesë
I. Mbi qerpikë çlodhet agu
Izet Shehu që në rininë e tij ka qenë i dhënë pas poezisë. Për arsye “biografie”, duke qenë i nipi i Sheh Ibrahim Karbunarës, politikan me emër që nga vitet 1920-1930, deputet i pushkatuar nga komunistët më 1947, Izeti nuk mund të shkruante dhe të botonte.
Në sagat e mëdha të romanit të shekullit të njëzet, si Saga e Forsajtëve e Gollsuorthit, apo Budenbrokët e T. Manit, vërejmë se udhëpërshkrimi i familjeve të mëdha e të njohura për një agresivitet në palcë që i bënte ato të fuqishme dhe të pasura për dy-tre dhe katër breza, në brezin e fundit prej tyre tyre do të lindë artisti, piktori a muzikanti. Energjia e sundimit mbi botën materiale, veprimi mbi realitetin e jashtëm papritur sublimohet në një energji tjetër: në kërkimet brenda vetes. Jo rrallë këtë e shohim dhe tek ne: familjet tona me një farë të shkuare vepruese, të dendur në politikë, në biznes, së fundi, na sjellin një pinjoll artist, letrar, piktor etj.
1.
Shehlerët në Shqipëri përgjthësisht i përkasin sektit halvetlli, një sekt islamik me shumë prirje nga prakticiteti, me ndikim në jetën shoqërore dhe politike, ndonëse si detyrë të parë ata kanë pasur funksionet fetare, të cilat vazhdimisht trashëgoheshin nga pasardhës brenda familjes. Lidhjet miqësore, krushqitë me të tjerë të një rangu, pjesëmarrjet në ritet e martesave, të lindjeve dhe të vdekjeve në të gjitha familjet e bashkësive që si territor i mbulonin, u jepte shehlerëve një njohje dhe autoritet të patundshëm për mjedisin rreth e qark e më gjerë. Në zonat që nuk kishte hoxhë, teqetë e tyre ishin qendra të rëndësishme ku zhvilloheshin e praktikoheshin ceremonitë e kultit, po ku nuk mungonin mysafirë të përnatshëm, fukarenj që merrnin strehë, a njerëz që kërkonin ndihmë te cilësitë fetare të shehlerëve.
Në historinë e Shqipërisë do t’i gjesh patjetër emrat e shehlerëve, si përfaqësues të krahinave të tyre, por edhe si luftëtarë. Familjet e këtyre shehlerëve, sidomos në Tepelenë e rrotull në Jug, u lidhën me luftën partizane dhe disa nga shehlerët mbajtën dhe kobure pas Luftës së Dytë; djemtë e tyre, me ndonjë përjashtim, bënë karrierë më pas. Pas 1967-tës disa nga teqetë me dy- tre dynymë kopshte dhe banesa, u rroposën pa nishan, me gurët e tyre dy-treqindvjeçarë u bënë stalla për lopët e kooperativave.
Nuk dihet se si ia delnin shehlerët që t’i pajtonin bashkë detyrat fetare me jetën krahinore tradicionale mbas të cilës ishin të ngulur dhe të kapur fort si në Tiranë, Elbasan dhe në Jug dhe, prej këndej, si i mbanin lidhjet edhe me politikën, duke mbetur gjithmonë patriotë të mirë. Në një anë, nuk është fort për t’u çuditur sepse në politikën shqiptare nga 1912-ta e tëhu, gjithmonë ka pasur edhe klerikë të tjerë, hoxhallarë dhe priftërinj. Shehlerët qenë shumë shqiptarë në temperamentin, në sjelljen e tyre dhe me një ndjenjë të fortë luftarake. Shehlerët kishin dhe familjen ngjitur me teqetë, bënin shumë fëmijë, ishin me interesa në jetën materiale, kishin toka dhe të tjera veprimtari ekonomike. Fëmijët mbas viteve 20-30 i nisnin nëpër shkolla evropiane.
Familja e shehlerëve të Karbunarës, me jetë politike që nga Kongresi i Lushnjes, me deputet që në ato kohë, do ta paguajë shtrenjtë këtë pjesëmarrje në politikë; më 1947 do t’i ekzekutohen dy-tre pjesëtarë, burgosen dhe shpronësohen gjithë të tjerët, megjithëse Babashehu, Ibrahim Karbunara, kreu i tyre, i stërvitur mbi njëzet e pesë vjet në lojërat politike, i priti në teqenë e tij dhe u shtroi drekë anëtarëve të Qeverisë Provizore të Beratit në rrugën e tyre nga Berati në Tiranën e çliruar në nëntor 1944.
2.
Izeti Shehu, i lindur më 1942, e ka përjetuar rëndë prishjen dhe vrasjen në familjen e tij, por ia doli mbanë të jetojë, të studiojë për letërsi, pjesërisht ta ushtrojë këtë profesion, të ëndërrojë të bëhet poet që në rini, të jetë vetë deputet nga viti 1991 deri në mesin e vitit 1996 dhe tani t’i kthehet letërsisë, pasionit të tij të vjetër, duke botuar në një kohë të shkurtër pesë vëllime me poezi dhe dy me tregime.
Poezia e tij në prirjet e saj kryesore nuk mund të mos t’i sjellë ato motive që vijnë prej jetës së tij dhe të vendit të vet të ndryra aq tragjikisht. Ndihen aty herë dhjmbja e herë ia plas revolta e mallkimi për krusmën e dhunën e gjatë. Patjetër tema e zhgënjimit për atë që pas 90-tës erdhi ndryshe nga ç’e priste klasa e tyre, do të ndihet. Po një ndjenjë lirike e përzier me mjedise, vlagë, ngjyra dherash e fushash të Myzeqesë shtron dhembjen dhe ia lë vendin një butësie herë-herë shkrepëtitëse, se prapë, aty për aty, shfrimi i tij lirik këmbehet lehtë me intonacionet therëse e të serta.
Në gjuhën e tij poetike seç ka një prirje nga rrëmbimi që poezinë e shpien drejt fundit me shpejtësi. Kthjelltësia e shprehjes shkon deri në tejpashmëri, por s’di pse këtyre poezive, të dhëna shkurt e shpejt, dëshiron t’u kthehesh së dyti. Aty gazi dhe vaji janë përzier e, sa ndrin njëri, fiket tjetri, mbase ndonjëherë duke shkuar gjer në grotesk si tek poezia “Endacakë”:
Endacakë/ në mes të natës/këmbët i tërheqin zvarrë/Hën’ e plotë si pat’ e pjekur/pikon lëng mbi trotuar. Pas i ndjek një qen i çalë/kur zë çlodhet, lëpin plagët/Të uritur pran’ e pranë/kafshojnë hënën/ kafshojnë natën.
Do të thoshje se kemi përpara atë sinqeritetin e rreptë e të qëruar çajupian, por në vargje të freskëta dhe të një shprehjeje poetike që është përpunuar ndër kohët që nga Çajupi e këndej. Këto poezi janë si biseda me një njeri nga ata që u thonë “hazërxhevap”: ai e ka përgjigjen gati dhe ti s’e pret të ta thotë aq shpejt a të ta përplasë dhe me kërcëllimë.
Kur isha qingj më donin të gjithë/më jepnin bar ujë e drithë/Tani që u rrita u bëra gjithë nur/gjallë nxitojnë t’më pjekin në furrë.
Kjo prirje vihet re në temat shoqërore dhe në vizatimet e tij mbi tipa shoqërorë nga ata që i kemi përditë parasysh. Me një vrull prej djaloshi Izeti ka ngutjen t’i qërojë lëvozhgat, t’i hedhë tej të papërtypshmet. Ai i vë në spikamë mospëlqimet e kohës që jetojmë: tradhti, spiunim, braktisje miqsh, shpifje dhe të tjera vese që e kanë ndotur dhe i ndotin për herë e më shumë mjediset tona shoqërore.
Në poezitë e tij nga natyra e vendlindjes që janë rrokje çastesh, me atë gdhendjen e shpejtë të një emocioni, kujtimi, për të ta dhënë atë të brishtë si një gotë ujë të freskët mbushur drejt në burim, poeti na thotë se begatia e natyrës së Myzeqesë i ka dhënë prehje dhe se herët ai ka qenë në një marrëdhënie aq të ngushtë me të, sa që kurrë nuk do të çlirohet prej saj. Këto motive vijnë nga libri në libër, por të bën të ndalesh në njërin, në ciklin e poezive mbi zogun cinkë, një zog që është aq konkret, po nuk dihet ende në ç’ lidhje deri mistike është vënë poeti me të. Cinka duket në një vjershë edhe në këtë libër. Në këtë botë të tokës ka harmoni dhe butësi si tek poezia “Fija e barit”:
Kokrrat e shegës së çarë/ pika pika/ pikojnë mbi bar. U drodh…/ fija e barit të njomë/ pika e
ëmbël/ mbi të pikon. Nga erdhi ky fat? – foli me vete./E virgjëra/ e holla/ mbirë poshtë një
shege. Kjo tokë i ëmbëlsoka të gjithë/ dhe shegën,/dhe barin e brishtë.
Do të vëreja se në këtë libër vijnë një tufë e gjerë me vjersha dashurie- jo e zakontë kjo temë për të. Në to fiksohen momente që i kanë dhënë hir e fisnikëri jetës së tij, por do veçoja ndër to “Vidhat e vjetër” dhe “Flatër ngazëllimi”, ku ish-të dashurit janë tashmë gjyshër.
Do të ndalem të flas për një tonalitet të ri të poezisë së tij që vjen me këtë libër: ironia e butë. Krahas saj vjen dhe ndjesia e një paqeje të urtë. Ironia dhe urtësia si ndërhyrje pajtuese çojnë nga pranimi i gjërave nga zmbrapsja e anktheve dhe e disa temave gati obsesive në poezinë e tij, ato mbi të shkuarën dhe të sotmen. Poeti që nuk e shmang herë portretizimin grotesk të vetes, herë talljen e butë me veten, me ndërhyrjet filozofike i lë vend pashmangësisë së gjërave, të ndodhurave të kësaj jete të përkohshme aq dramatike, para një përjetësie që vjen e na prek edhe me peshën e viteve që shkojnë. Kjo vetëdije e përkohësisë kozmike të njeriut e zbret në tokë, e çliron nga një barrë, që veçanërisht disave kjo jetë nuk ua kursen.
Natyrisht, kjo nuk i hedh pas krahëve ato vargjet e rreptë, se poeti e ka të prerë me hekur atë që do dhe atë që urren e, në rrëmbimin e toneve të tilla të forta, ai ndonjëherë nuk zmbrapset edhe po të dëmtojë nga pak mënyrën si e thotë për atë që do të thotë.
Ky libër me 130 faqe përmbledh mbi 120 poezi, është botuar nga “Globus R” dhe, siç e vumë re, e pasuron më tej talentin poetik të Izet Shehut.
II. Izet Shehu, poeti që vdiq me penë në dorë
U bë disa vjet që është ndarë nga ne poeti Izet Shehu. Në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij kemi qenë shokë të pandarë. Ndarja e tij ndër ne miqtë e afërt u përjetua si ato goditjet që me kalimin e javëve dhe të muajve shkallë pas shkalle sa vijnë e thellohen.
Në këtë moshë vdekjet e miqve janë të dhimbshme.
Me ikjen e Izetit, ndodhi që ne, një rreth i vogël miqsh, nuk takoheshim më si në ditët kur ai ishte gjallë. Pasoi diçka që paska qenë më shumë se sa vdekja e njërit prej nesh. Një kafe me dy-tre miq tashmë e humbur, një gotë e pakthyer mbrëmjeve dhe grindje të vogla a të qeshura të përbashkëta të humbura. Humbet lidhja e mpiksur nga koha e përbashkët.
Sido që ne burrat shqiptarë nuk i sjellim, zbrazim, në tryezë hallet që na trazojnë, prapë diçka rrjedh mes bisedave për fëmijët, për nipërit, për gruan, për vëllezërit. Nuk ishte shkaktare ikja Izeti për atë që ne po humbnim njëri-tjetrin. Veçimi vjen vetiu… hallet, pafuqia, impenjimet ndaj të afërmve në nevojë… a një mijë e një arsye që nuk janë arsye, të shkëpusin nga shokët.
Izeti pasa qenë si zjarri i fshehtë e i pandashëm i vatrës që përherë të ndiell e të bën bashkë me të tjerë të ngjashëm si ti. Në këto ditë e në këto kohë është më e lehtë të humbasësh në vorbullën e një jete qytetare që më shumë të shtyn nga vetmia, se sa nga takimi me njerëz të tjerë. Sidomos kjo në një moshë kur jo më interesat direkte të punës, të biznesit të afrojnë dashje pa dashje me njerëzit e tjerë.
Kaq, sa për të thënë se ndarja nga jeta e Izetit na la pas një gropë që nuk mund të mbushet më mes nesh, mes miqve të tij.
Izet Shehu kishte aftësinë që t’u binte gjërave në kokë, t’u vinte menjëherë emrin, ta thoshte troç e shkurt fjalën për të ndodhurat e pritura a të papritura, sido që të vinin, në jetën tone të individit, të shoqërisë, apo të politikës. Izeti kishte atë pafajësinë e thënies së fjalës pa pengesë, pa ledh midis gjuhës dhe buzëve. Ndonjëherë kjo është aq çliruese dhe aq shëruese sa të bën t’ia plasësh gazit me të madhe. Ai të thoshte një gjë që dhe ti e mendoje, po nuk të bëhej ta shqiptoje. Kjo ka dhe anën e saj jo aq të këndshme. Jeta jonë me thepat e saj të palëmuar, të vrazhdë, për të mos thënë, me mungesë të theksuar humanizmi, kërkon jo vetëm që ta trembësh fjalën para se ta thuash, por edhe ta fshehësh. Kjo fshehje kurrë nuk duhet të arrijë deri atje sa të jesh konformist e gjithmonë politikisht korrekt dhe me miqtë më të afërt. Sidoqë-sidoqë gjetja e një farë shtegu, rrëshqitjet pak diplomatike për çastin, në disa raste janë të nevojshme…
Po Izeti, që ishte delikat në shpirt, kërcente përpjetë: “Dredhaluq”, të thoshte, “bjeri drejtë”! Dhe i mbetej hatri shpejt. Në këto ujëra atij ishte mirë që mos t’i dilje përpara: fjalën e fundit mund të ta thoshte të parën, madje me zë të lartë, madje dhe ta përsëriste sa herë që ta takoje. Ishte e vështirë të kishe një mik si Izeti: ai nuk ta përtonte.
Po ne qemë dhe mbetëm miq deri në fund. E donim ashtu siç ishte. Jo ndryshe. Paçka se nuk ishim dakord me gjithë sa thoshte, kur ai ishte në të tijat, paçka se kështu ai dhe mund t’i ketë shtuar vetes telashe e armiqësi.
Izet Shehu pati një jetë të vështirë. Ai ishte pinjoll i një familjeje me emër në gjithë pellgun e Myzeqesë. Meqë gjyshi i tij, sheh Ibrahim Karbunara, u mor me politikë që kur u krijua shteti shqiptar, kjo familje, siç ka ndodhur me shumë të tilla, gati me gjithë ato që janë përzier në politikë, ka parë ditë jo të mira. Gjyshi i tij fanolist qe mbi dhjetë vjet emigrant politik kur Shqipëria ishte nën mbretin Zog. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sheh Ibrahimi, e vuri familjen e tij të madhe në krah të Frontit dhe u zgjodh deputet më 1945. Por më 1948 atë e pushkatojnë bashkë me grupin e deputetëve. Mbi familjen Karbunara ranë fatkeqsitë me radhë: shpronësim, internim, një xhaxha i Izetit vdiq në burg, babai i Izetit bëri disa vjet burg, deri brezi i tretë… vëllai më i ri i Izetit u burgos për politikë.
Izeti, me arsim të lartë, punoi në shkollat e fshatrave në periferi të rrethit të Lushnjes, ca kohë punoi dhe në gurore. Në vitet e rinisë ai shkruante poezi, por e ndaluan të shkruajë e të botojë. Një libër ia bënë karton. Izeti me këmbëngulje, me vullnet, me dashuri për jetën bëri punën e mësuesit edhe kur i duhej të udhëtonte katër e deri gjashtë orë udhë më këmbë në një ditë; krijoi familje, rriti katër fëmijë; në heshtje e ushqeu dhe e mbajti gjallë interesin krijues për letërsinë.
Mbas pesë vjetësh në politikë, i dekoruar dhe si “Pishtar i Demokracisë”, i zgjedhur deputet në vitet 1991 deri më 1996, befas Izet Shehu e pa veten të flakur jashtë rrjedhës. Ai për këtë përjashtim të pamerituar nga politika dhe nga punët në shtet, ia vuri fajin cinizmit politik, kursit të fshehtë katovician të vënë në jetë realisht ndër ne: pronarët dhe të përndjekurit të mbahen larg nga prona dhe nga pushteti. Në shumë nga poezitë e tij, në shumë nga shkrimet publicistike Izeti e ka atakuar ballas këtë kurs politik, të praktikuar me përpikmëri, por të papranuar asnjëherë nga ata që kanë drejtuar e drejtojnë jetën politike në këto vite. Izeti ishte pronar tokash dhe toka nuk mori, as ai, as e shoqja me një vëlla të pushkatuar në burgun e Spaçit. Vëllai i Izetit, ai që u burgos në mbrëmjen e maturës së gjimnazit, më 1997 e pa veten pa punë dhe mërgoi në Greqi për të siguruar bukën e gojës. Dy vajza të Izetit kanë emigruar në kontinentin amerikan, ndonëse qenë të mire arsimuara. Shokët e tyre të shkollës, por nga familje katoviciane morën punë në administratën e lartë. Ikjen e vajzave njëra pas tjetrës prindi Izet e përjetoi shumë thellë. E përtypte në një heshtje pikëlluese. Edhe me një ndjenjë faji. Nuk shprehej, nuk e hapte gojën, por ai e dinte, ne e dinim, seç vlonte përbrenda. Këto vite shprese të kthesës nga komunizmi qenë njëherësh dhe vite të iluzioneve dhe të zhgënjimeve të hidhura për kategorinë shoqërore në të cilin bënte pjesë Izeti dhe familja e tij.
Izet Shehu nuk ishte njeri që dorëzohej. Shumë të tjerë që pësuan si ai, patën rënie shpirtërore, sëmundje me pasojë dhe ikjen e parakohshme nga jeta. Në këto vitet e fundit Izeti dhe të ngjashmit e tij u kthyen dhe ripërtypën plagët e vjetra. Një cikël fatal, histori dhimbjesh që përsëriten dhe nuk ndalen. Po, siç e thamë, Izeti kishte karakter luftarak. Ai dinte të urrente dhe të donte. Dinte t’i derdhte në vargje e në prozë brengat, humbjet, dramacitetin deri në tragjizëm të një fati, të një familjeje, të një brezi. Në këto rreth pesëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij krijoi me një intensitet për zili korpusin e veprave të tij në poezi, në prozë dhe në publicistikë. Botoi gati një libër në vit. Kjo ndodhi falë pasionit të tij, falë talentit të tij artistik të lindur e të ushqyer në heshtje.
Dhe Izeti provoi jo vetëm kënaqësinë e të shprehurit artistik, lumturinë e atij që, më së fundi, gjen përsëri dhuntinë e shkelur nga koha, e gjen thellë tij të ruajtur dhe të gatshme për t’u vënë në punë. Jo vetëm kaq. Izeti, duke u vetëshprehur, ushtroi lirinë, preku të qenurit i lirë para vetes dhe para gjithëkujt, ushtroi lirinë e të qënit vetvetja nëpërmjet fjalës së shkruar. Këtë Liri me shkronjë të madhe ia dha atij vetëm arti i poezisë, arti i fjalës. Ndonjëherë, në mbrëmjet e përbashkëta me ndonjë gotë përpara, miku ynë publicisti e prozatori Çerçiz Loloçi i thoshte: Ti tani je i lirë, o Izet Shehu, me këto që po shkruan dhe po boton, ti arrite atë që kurrë në jetën tënde të mëparshme, edhe kur ishe në politikë si deputet, nuk e rroke kaq të plotë e kaq rrënjësisht të thellë.
Pasioni artistik merrte krah dhe nga ajo që thamë: Izeti qe njeri që nuk lëshonte pe, nuk luante, nuk hiqte dorë nga e tija: si ide, si ndjeshmëri, si sjellje. Dhe arti në këtë shfrim pasionant të një lënde kaq të ngjeshur e të mbajtur gjatë nën drydhje e pengim, merrte vërtetësi dhe forcë. Izeti si në jetë dhe në art ishte njeriu një copet. Ai i tha gjërat me plotë zërin, me plot gojën. Prej Myzeqesë Izeti mori butësinë dhe ngrohtësinë e shprehjes. Dhe të ishte i tejdukshëm e i sinqertë. Në thënien e tij ai u ruajt nga ngatërrimi e spërdredhja figurative. Nuk e pëlqente hermetizmin e manierizmin në art. Të tillët shkruajnë për ufot, thoshte. Pas ndonjë lëkundjeje në stil në dy librat e parë, arti i tij mori sigurinë e maturinë e shprehjes poetike. Në vend të pejsazheve dhe pamjeve nga Myzeqeja, në vend të këngës për cinkën, zogun ekzotik të lagunave tona pranë detit, në poezinë e tij merr peshë dramaciteti, tonet e revoltës e të atakimit të veseve dhe të ligësisë shoqërore. Poezia merr thellësi nga evokimi i një tradite të dhimbjeve, të padrejtësive që ndjekin ata që më së shumti kanë dhënë për të mirën e këtij vendi.
Poezia e Izet Shehut shumë shpejt fitoi derdhjen e një forme në përshtatje me substancën; u rrit pesha e mendimit; u zgjerua fondi i pasurisë lirike me kujtimet, me zhgënjimin, me qëndresën e me krenarinë e atij që ka rënë, por kurrë nuk është thyer e poshtëruar.
Ai nuk hyri në garë, nuk vrapoi për të zënë një vend në letërsinë e këtyre viteve, vend që me të drejtë i takon. Ai qeshte; katovicianët, thoshte, janë në ballë edhe në politikë, edhe në pasurimin material, edhe në rangjet e larta të administratës, edhe në hierarkinë kulturore, në letërsi, po ata prijnë.
E rëndësishme ishte që Izeti u shpreh. U shpreh ashtu siç dinte dhe ashtu siç donte. Ai i tha gjërat që i quante me shumë peshë për veten, për kohën, për njeriun. Ishte e rëndësishme që ai foli në emër të disa ish-familjeve të mëdha shqiptare, të cilat historikisht e kanë pësuar. Në këtë të vetëshprehur ai si person gjeti thjesht lirinë, por poezia shqipe u pasurua me nje zë të trishtuar, por të plotë e të thellë në shqiptimin e tragjedive tona të jetuara. Të ca dhimbjeve që më mirë se kushdo tjetër, i dinë ata që i kanë hequr mbi shpinën e tyre.
Ai vdiq me penë në dorë. Pak javë para se të mbyllte sytë, u botua libri i fundit. Kjo përmbledhje poetike ishte si një akord buçitës muzikor, si një oratorio me temat më të dashura të gjithë poezisë së Izet Shehut. Në përcjelljes e tij mortore, miqtë u kthyen në shfletime të poezive nga ky libër i fundit. Ai diti të vdesë bukur: me këngë në gojë. Miqtë e tij i morën nga goja që u mbyll përgjithmonë këto këngë dhe i kënduan në ato ditë që po e përcillnin Izetin. Ai u përcoll si poet.
Poezia e tij do të lexohet për dhembjen e thellë, për durimin e krenarinë e të jetuarit edhe mes vuajtjeve. Dhembjet mbase i sjell vetiu historia jonë prej qeniesh humane në udhëtimin tonë përmbi tokë. Disa dhembje janë të bukura, disa janë krenare, disa të fisnikërojnë.
Të jesh njeri, të mbetesh njeri në udhëkalimin nëpër një regjistër të tillë dhembjesh… dhe të bësh poezi. Kjo mbase do të thotë që t’i kalosh nëpër një filtër purifikimi, t’i sublimosh dhembjet.
***
Kam një mendim që shpesh e kruaj,
Kam një mendim që s’jua kam thënë:
“Zot, pse i bëre kuajt
Të dashurojnë e të flenë në këmbë?!,,.
***
Më jep një buzëqeshje ta marr me vete,
Mbase më bie rruga në të tjera planete.
Mbase më bie rruga të shkel dhe në hënë,
Atje buzëqeshja, mbase më bëhet këngë.
Më jep një buzëqeshje si trëndafil të bardhë,
T’i marr pak erë, kur të mbushem me mall.
HOMERI
Mbi një muzg shkon shaluar
Homeri i lashtësisë
“Iliadën” e mban ndër duar,
“Odisenë” mbi kurriz.
Preku mjekrën
Edhe tha:
“Fati është si unë i verbër.
Dhelpra lindi në Itakë,
Qyqja në Trojën e vjetër.
Kal’ i drunjtë nuk është zhdukur,
Rri i strukur në çdo skutë.
Hapni sytë,
Një ditë të bukur
Dheun prapë do ta tund”.
Pastaj shkon mbi muzg shaluar
Sipër maleve me borë.
“Iliadën” e mban në duar,
S’e lëshoka plak i gjorë!
Nga libri “Drithërime muzgu”, 2006.
Tiranë 2013.