Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Ndrek Luca dhe drama ime “Paqe e përgjakur”

Me aktorin Ndrekë Luca, (1927-1995) “Artist i Popullit”, jam njohur drejtpërsëdrejti në Gjirokastër, më 1987.

1.        

Ndreka hyri me shumë nxitim në jetën time, hyri ballaz dhe fare papritmas. Mendoj se kjo ishte natyra e tij. Kur diçka i duhej, ai pa shumë prita apo lakadredhje, i sulej asaj gjëje fluturimthi dhe nuk ndalej sa ta merrte.

Ishte viti 1987, 75-vjetori i Pavarësisë. Punoja si libretist i teatrit në Gjirokastër. Gjatë verës së atij viti, mbështetur në një tregim të S.S. shkrova një dramë dhe e futa në teatër për sezonin e vjeshtës. Drama sillte jehonën e viteve në prag të Pavarësisë. Ngjarjet vendoseshin në veriun e Shqipërisë. Nga drejtuesit e teatrit u mendua që Ndrekë Luca mund të ishte aktori i rolit kryesor të kësaj drame. Hynë në biseda për ta sjellë Ndrekën me shërbim në Gjirokastër. Iu dërgua teksti i dramës. Ai pranoi. “Po”-në përfundimtare për ardhjen e tij duhet ta thoshin drejtuesit kryesorë të partisë dhe të pushtetit në rreth. Edhe ata e miratuan ardhjen e tij në Gjirokastër.

Ndreka ishte njeri i futur dhe, sapo erdhi, i takoi ata “Të mëdhenjtë” e rrethit të Gjirokastrës dhe që të gjitha figurat kryesore të jetës së qytetit.

Teatri filloi nga puna dhe mua m’u hoq një barrë nga supet. Libretisti është si furnitori: unë e kisha furnizuar ‘ndërmarrjen’ me ushqim, me lëndë të parë. Mulliri filloi të bluante. Tani mund t’i jepja vetes pak pushim.

Por nuk qe e thënë.

Një mbasdite vonë Ndreka më troket te dera e shtëpisë. Nuk njiheshim fare. Dhe që kish ardhur në teatër, i kisha qëndruar disi larg.

Habia ishte se ai po kërkonte mbështetjen time si libretist dhe si autor i dramës për atë që kish ndërmend të bënte. Donte që t’i dilja krah atij.

Dramën e kishte lexuar, kish vërejtje të ndreqshme, por nuk kishte ardhur te unë për të më dhënë vërejtjet për tekstin a rolin e tij, si roli kryesor i pjesës. Donte diçka tjetër. Kishte biseduar veçan me disa nga aktorët dhe kish marrë miratimin e tyre. Halli ishte se atij nuk ia mbushte syrin regjisori i teatrit. Dhe donte që regjisori i shfaqjes të ishte ai, Ndrek Luca. Do të përmbyste platformën e shfaqjes, punën e bërë, ndarjen e roleve… të gjitha.

E mbështeta, për sa më takonte mua: si autor më pëlqente që regjisor dhe aktor kryesor të ishte Ndrekë Luca. Ishte fat për çdo autor. Por kishte një problem etik dhe administrativ. Regjisori i emëruar i teatrit nuk mund të shmangej si me puç. Ai zyrtarisht ishte regjisor. Ndaj kishte punë me administratën e teatrit, me shefat e kulturës në rreth, deri dhe me të mëdhenjtë e rrethit që e kishin miratuar ardhjen e tij në teatrin e Gjirokastrës.

Ai më tha që të mos i dilja kundër, se të gjitha do t’i zgjidhte.

Për çudi, unë nuk e besova, por Ndreka ia arriti që të jetë regjisori dhe aktori kryesor i dramës.

Për disa muaj ai e mori në duart e tij teatrin. Regjisori bën ligjin në teatër: të gjithë vihen në zbatim të kërkesave të tij për të arritur realizimin e shfaqjes. Mua më donte pranë se u pëlqyem në muhabet dhe se në ecje e sipër gjatë punës që bëjnë aktorët në tavolinë, dilnin vërejtje për dialogun a për skena që mund të detajoheshin më mirë apo të shkurtoheshin.

Vënia në skenë e dramës u shty deri në muajt e parë të vitit 1988. Ndreka ishte një karakter shpërthyes dhe të merrte para si një lumë me dallgë. Aktorët i kishte bërë me krahë. Teatri, vënia në skenë e një drame, do dashuri, përkushtim, është një makineri e rëndë në veprim. Mjedisi, klima në teatër ishte e përçarë. Ata artistë që kishin marrë role, ishin me Ndrekën, të tjerët kundër tij… Nga të pakënaqurit shkruheshin letra fshehtas. Letra në Komitet, në Ministri, në parti…

Personaliteti i fortë prej dukagjinsi i Ndrekës i theu të gjitha pengesat dhe shfaqja u realizua.

Ajo po ndiqej nga publiku. Kaluan mbi dy javë dhe salla e teatrit mbushej plot.

Ndrekë Luca i dha sukses teatrit të Gjirokastrës me vënien në skenë të dramës “Paqe e përgjakur”. Në shtypin e kohës, në gazetat “Zëri i Popullit’, “Zërin e Rinisë” kjo ngjarje u paqyrua pozitivisht… nga vlera e shfaqjes dhe sigurisht nga emri i Ndrekë Lucës, Artist i Popullit. Gazetari i njohur i “Zërit të popullit”, gjirokastriti Sedat Braja shkroi: “Shërbim i gjatë i Ndrek Lucës në Gjirokastër”. Poeti Ilirian Zhupa shkroi në gazetën “Zëri i Rinisë”.

Drama u shfaq mbi 20 herë në Gjirokastër, pastaj dhe në Tiranë, në skenën e Teatrit Popullor.

Në shfaqjen e parë në Teatrin Popullor erdhi Foto Çami, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Ministria e Kulturës na pa me sy pak shtrëmbër.

Nuk i vumë rëndësi.

Ndreka si çdo artist i shquar kishte adhuruesit, të dashurit, por edhe të padashurit, deri kundërshtarët e tij.

Pas shfaqjes në sallën e Teatrit Popullor në oborrin jashtë teatrit, na priste vetë Foto Çami. Ndreka i qeshur e kishte mbërthyer fort për krahu. Shoku Foto i qetë përgëzoi aktorët, tha fjalë të mira për shfaqjen. U përmend veçan aktori Fane Bita, që luante rolin kryesor, si dublant i Ndrekës.

Shoku Foto m’u drejtua me pyetjen: “Pse Gjirokastra vjen me një temë nga Veriu? Temë e mirë e Veriut, tha ai, është ndërprerja e gjakmarrjes në zgjedhjet për Frontin më 1945. Mund ta shikosh”. Do mbledh material mbi këtë temë, i thashë si me të përtypur. Pastaj tha: “Kam dëgjuar se je mësues i mirë. Mos e lër arsimin”. Na dha dorën dhe u ndamë.

Aty për aty nuk e vura re nëntekstin e fjalëve të tij: “Mos e lër arsimin”. Por dardhët e ëmbla… e kanë bishtin e hidhur mbrapa.

Ne, gjirokastritët, ato ditë ishim lart në qiell. Dhamë shfaqje në Tiranë. Na u dha leja të jepnim shfaqje në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Ndreka fliste dhe për një turne në shumë rrethe të tjera të veriut.

Ai gëzohej që po na ecte.

Si do na priste Shkodra? Gjirokastra me një temë dramatike të veriut në Shkodër? Ishte kuriozitet.

Publiku e duartrokiti shfaqjen. Na pritën në shtëpi si miq artistët e Shkodrës. Unë e Ndreka u pritëm dhe nga personalitetet politike të rrethit Shkodër. Dukagjinsi Ndreka aty ishte si në shtëpinë e vet.

Por… papritur “me urdhër nga lart” u ndërpre dhënia e shfaqjeve.

Pak si me erë e me thëllim po mbaronte kjo ‘mblesëri’ e teatrit të Gjirokastrës me Ndrekë Lucën. Atij iu tha prerë se shfaqja do të pezullohej deri në një urdhër të dytë. Nuk kishte më punë në Gjirokastër.

Siç thashë, regjisori Ndrek Luca e kish dubluar me aktorin Fane Bita rolin e tij që shfaqja të jepej edhe pa atë.

Por drama kaq e pat, u ndalua, nuk u shfaq më. Kurrë!

2.        

U kthyem në Gjirokastër. Atje, në vend që të na lavdëronin, na prisnin mbledhje që ngjanin me linçime. Priteshin ndëshkime. Ne ’ndrekistët’ u shpallëm të padëshiruar. Kishim shkelur etikën. Kishim mbështetur Ndrekën, duke iu kundërvënë regjisorit të teatrit, të emëruarit zyrtarisht. Mbledhjet ishin pak të gjata, të egra në fjalë dhe vazhduan disa ditë. Kishte hidhtësi, ligësi, tundje këmbësh e kërcëllimë dhëmbësh, që të trembnin. Flitej për heqje nga puna, për dërgime në prodhim…

Mbledhja e fundit me trupën e teatrit, me inspektorët e titullarët e kulturës në rreth u bë në sallën e Komitetit të Partisë së rrethit në prani të Sekretarit të Parë. Kishte diçka që na fshihej, nuk na thuhej hapur. Shfaqja dhe se kishte pasur sukses, kishte sjellë përçarje në teatër. Një përcarje të rëndë, thoshin. Ne përçarësit duhet të mbanim përgjegjësi. Aty m’u drodhën gjunjët. Duhet të bëja autokritikë dhe nuk e dija përse. Një aktor i ri, I. Lluri, më dha mësime se si ta kontrolloja (si aktorët në rol) frymëmarrjen e ankthshme.

Çfarë po ndodhte? Çfarë kishim bërë? Ndrekën, ashtu siç e sollën, po me një urdhër dhe e larguan. Pse duhet të ishim përgjegjës ne që ndenjëm afër të tij, kur po punonim për dramën? Shefat mund ta ndërprisnin bashkëpunimin me Ndrekën, nëse nuk do t’i pranonin kushtet e tij. Pse nuk e ndërprenë? Pra, etikën e kishim thyer bashkë me shefat.

Siç duket, arsyet ishin të tjera. Një aktor pas një mbledhjeje dërmuese tha: ”Ore, kjo drama kot e kishte me Pavarësinë. Ajo na flitka për kohën e sotme”. “Po… kjo ishte looooja”, do të ishte përgjigjur Ndrekë Luca, ia priti një tjetër.

Drama ‘lart’ nuk ishte pëlqyer për mesazhet që përcillte: një ’paqe e përgjakur’ me vrasje dhe me njerëz të uritur, asaj kohe nuk i përshtatej një atmosferë e tillë (siç!).

Mua më zbuan nga teatri. Flitej se do ta pësoja keq. Por monizmit atëherë, më 1988, po i binin dhëmbët. Me ndërhyrjen e miqve të mi, pas një muaji më rikthyen në arsim. Shumë aktorë të teatrit, të rinj në moshë e në profesion, morën vërejtje të rëndë, heqje nga pozicioni i mëparshëm. Ndonjëri shkoi në fshat. Nuk dua të përmend emra, as të të ndëshkuarve, as të atyre që na hidheshin në fyt ne “fajtorëve”.

Flamur Çani, kryetari i atëhershëm i rrethit të Gjirokastër, në kujtimet e tij (vëllimi i tretë) ka shkruar emrin e një regjisori gjirokastrit, nga një familje e njohur, i cili me lot sy i kishte kërkuar që mua, libretistin e teatrit, të më burgosnin.

Veç shtetit dhe ne artistët ia kemi nxjerrë sytë njëri-tjetrit.

3.        

Pas rreth një viti e gjysmë ngjarjet në botë po rrokulliseshin me shpejtësi… Më pas edhe tek ne në Shqipëri… erdhi pluralizmi.

Mbeta me një respekt të pafund për Ndrekën… Në ato pak muaj u bëmë miq… U njohëm dhe familjarisht. Ai ishte një njeri i veçantë, një antikomunist i bindur. Që atëherë fliste “kundër”, por fliste për njerëz që të dridhej buza po t’i përflisje, apo t’i mallkoje ashtu si shkumëzonte e gjëmonte Ndreka kundër tyre…

Fshehtazi recitonte Fishtën…

…Një mbrëmje, në të errur ai trokiti në shtëpinë time. Prisja ç’do më thoshte. Punonim për të inskenuar dramën. Në dhomën e miqve po pinim kafe dhe nga një gotë. Papritur Ndrek Luca shpërthen në sharje të rënda ndaj Enver Hoxhës.

I thashë: – Lëre kafen, dalim jashtë. Dalim tani nga shtëpia.

E kisha kapur nga krahu. Te sheshi i kalasë, rreth pesëqind metra larg shtëpisë në lagjen ‘Pazari i Vjetër’, ndaluam. I thashë: – Si guxon e flet keq për Enver Hoxhën në shtëpinë time, te fëmijët e mi.

– Ishin në dhomën tjetër.

– Mos fol si fëmijë. Është shtëpia ime, fëmijët e mi, familja ime. Ti vjen e më sjell zjarrin në shtëpi.

– Ti ke qenë i dënuar, tha Ndreka, ti je artist, ti nuk je komunist, si të gjithë ne, ti nuk e do Enver Hoxhën. Nuk ma hedh dot mua.

– Me që qenkam kështu, siç thua ti, ajo shtëpi mund të jetë e përgjuar nga policia. Aty janë fëmijët e mi e do thonë: në këtë familje dhe fëmijët janë kundër Enverit. Lëre ç’më gjen mua, por fëmijët e mi, fëmijët e mi?

Ndreka më qetësoi. Ishte muaji Nëntor. Ora 9 e mbrëmjes. Rrugët e qytetit ishin bosh. Ishim në rrugën poshtë kalasë.

– Këtu ku jemi mund të flasim çfarë të duash, i thashë.

– A ha, e dija. Ta shajmë?

– Sa të duash.

Më mori për qafe.

Pastaj festuam me nga një pije, edhe me nga një tjetër… në lokalin e ‘Hotel Turizmit’. Në këto lokale mund të kishte përgjues, ndaj e kafshonim gjuhën. Por vetëm aty mund të gjeje një pjatë të mirë.

Muhabete që nuk mbaruan vetëm atë natë.

…Pinim kafe në Tiranën e vitit 1992. Nuk na pëlqenin shumë gjëra për atë sesi po merrnin punët në këtë kohë që quhej pluralizëm a demokraci. Por si “kundërshtarë” të regjur të komunizmit nuk na e nxinte goja t’i shprehnim pakënaqësitë për këtë kohën tjetër, kohë që ndryshe quhej dhe “Tranzicion”.

Ndreka, Artisti i Popullit, mbi një biçikletë të përdorur u binte rrugëve kryq e tërthor. Energjik si gjithmonë…

4. Një dorëshkrim drame

Nën një kopertinë blu, lidhur me kapak të fortë, ruaj në arkivin tim të vogël dorëshkrimin e vitit 1987 të dramës sime “Paqe e përgjakur”, dramë e mbështetur mbi disa motive të një tregimi të S. S.

Nuk e kam botuar dhe as nuk do ta botoj. E ruaj se më lidh me kujtimet, me bashkëpunimin tim me një aktor, me Artistin e Popullit, Ndrek Lucën, të cilin me veten time e përkujtoj sa herë ka përvjetorin e lindjes.

Dëshmi mbi atë bashkëpunim, që jo për fajin tonë mori për keq, me një shfaqje të ndaluar e të hequr nga skena, janë dhe një pusullë me shkrimin e dorës së Ndrekës dhe një biletë tren-autobuzi e asaj kohe që nga pas me stilolaps blu mban autografin e Nderk Lucës.

Që nga viti 1988 janë në arkivin tim.

Kur u ndamë me Ndrekën në Tiranë më 18 prill 1988, ai m’i dha pusullën dhe biletën që t’i plotësoja urdhërshërbimin për punën e kryer si aktor dhe regjisor pranë teatrit të Gjirokastrës… duhet t’i kthenin lekët për këto shërbime.

I paraqita ato në llogarinë, në drejtorinë e teatrit Gjirokastër, por gjërat kishin ndryshuar për keq. M’u hodhën në fyt. Këto letra me shkrimin e Ndrekës përfunduan në kosh.

I mora, i ruaj dhe sot.

Nuk ia ktheva dot honorarin, as paratë e dietave Ndrekës së dashur.

Ruaj dramën, ruaj pusullën, ruaj billetën me autografin e Ndrekë Lucës.

Pse?

Nën regjinë dhe aktrimin e Ndrek Lucës në Gjirokastër shfaqja e kësaj drame u dha për rreth tri javë rresht. Salla plot e përplot. Pastaj dhe në sallën e Teatrit Popullor në Tiranë u dhanë dy shfaqje. Sipas pusullës me shkrimin e Ndrek Lucës, gjirokastritët aktruan në Tiranë më 8 dhe 10 prill 1988. Po, sipas pusullës që ruaj prej Ndrek Lucës, më datat 13, 15, 17 prill 1988 artistët e Jugut të Shqipërisë dhanë shfaqje në sallën e teatrit “Migjeni”, në Shkodër.

Këto arritje mbetën të papërsëritura më pas për teatrin e Gjirokastrës… shfaqje në Tiranë, në Shkodër, në sallat më të famshme për kohën.

Ky sukses u arritën falë punës, talentit dhe karizmës së një kreshniku të artit teatral si Ndrekë Luca. Pak artistë të tjerë kishim si ai.

Por, siç thashë më lart, u ndalua dhunshëm shfaqja e dramës… u ndalova të punoj dhe në teatër.

(Mos e lër arsimin, më kish thënë shoku Foto Çami)!?

Ndek Lucës, veç miqësisë, i kam borxh honorarin dhe shpenzimet për ditët kur jepnim shfaqje nën regjinë e tij.

Për këto, mbase për këto e ruaj dorëshkrimin (41 faqe) të dramës “Paqe e përgjakur”.

Bileta tren-autobus Tiranë-Gjirokastër, dëshmon se me ç’mjet udhëtonte në ato kohë një Artist i Popullit…

Një artist i madh… cilido qoftë ai, mbase kurrë nuk mund të shpërblehet për artin e tij.