Arben Iliazi: “Uragani krijues” Bilal Xhaferi dhe poezia “Baladë Çame”
Bilal Xhaferi u lind në vitin 1935 në fshatin Ninat të Konispolit dhe zemra i ndali në 14 tetor të vitit 1986, në Çikago të Shteteve të Bashkuara, ku jetonte si emigrant, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1969, pas privacioneve të shumta që pësoi nga regjimi diktatorial. Padyshim Bilal Xhaferi ishte një talent i lindur, një uragan letrar, me frymëzim dhe kthjelltësi të pakrahasueshme i cili, me veprat e tij, kapërceu dhe e sfidoi kohën. Talenti i tij nuk mund të vihet në diskutim ndonjëherë. Sot, 40 vjet pas vdekjes, edhe pse vepra e tij mbeti e papërfunduar, ngrihet përherë e më mrekullisht drejt një horizonti pa kohë. Studiuesi i letërsisë Adriatik Kallulli, që e njihte nga afër Bilal Xhaferin, shprehej se ai ishte fund e krye “mik i njerëzve të së ardhmes, me energji të pashtershme…një uragan krijues”.
Regjimi komunist i shkaktoi Bilalit plagë të rënda, goditje shpirtërore, gati vdekjeprurëse, si goditje rrufeje, që nuk u mbyllën asnjëherë dhe nuk u shëruan kurrë plotësisht. Goditja e regjimit ndaj Bilalit ishte njëlloj kasaphane ndaj shpirtit të lirë të një shkrimtari dhe poeti kombëtar, prototipi i një natyre organike, me temperament të zjarrtë, aktiv dhe i papërmbajtur.
“Poet i nëmur” do ta quante Bilal Xhaferin shkrimtari Sabri Hamiti, duke u nisur nga vuajtjet e tij të shumta shpirtërore. Por Bilali kishte atributet e rezistencave vetëmbrojtëse dhe asnjëherë nuk e ndjeu nevojën e vetëmohimit. Kurrë nuk u shuan në gjoksin e tij flakët e ndezura të talentit flakërues, vullneti krijues i sprovuar nga përvoja tragjike e jetës, edhe pse fati e braktisi qysh fëmijë. Ishte 12-vjeç kur humbi nënën dhe komunistët i pushkatuan të atin dhe, fill i vetëm, i duhej të kujdesej për tri motrat. “Bilali ishte në gjendje të përballonte ngarkesa të mëdha, tregonte shkrimtari dhe shoku i tij Bedri Myftari. Ai ishte gjithmonë në gjendje të trazuar dhe të shqetësuar. Ishte përherë në gjendje alarmi. Sigurimsat nuk ia dolën asnjëherë ta lëkundnin epërsinë e hekurt të vullnetit të tij. Kishte një vullnet monumental dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vuajtjet…Në ‘68-ën, në skicën e dhomës ku qëndronte, planifikoheshin përgjuesit, e për çdo rast aty ishin operativët, shpesh ndër ata që i rrinin pranë, me dhjetëra, si “Petraq Myzeqari”, “Bilbili”, “Dhespoti”, e të tjerë. Derisa Bilalit nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të arratiset, duke lënë pas një letër”. Studiuesi dhe shkrimtari Ahmet Mehmeti tregon se ka lexuar me kujdes dosjen e Bilalit, e cila përmban rreth 400 faqe dokumente. “Në dosjen e tij ka 111 dokumente. Ndaj tij Sigurimi kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë. Rreth 60 familjarë ishin marrë në shqyrtim, ndërsa prej survejimit implikoheshin 83 persona të tjerë. Kjo tregon masën e përndjekjes që vuajti Xhaferri, vetëm se ishte shkrimtar dhe nuk lëvizte nga fjala e tij”, thotë zoti Ahmeti.
Deri dy ditë para se të arratisej, shkrimtari Bilal Xhaferri punoi në sektorin e fermës “8 Nandori” Sukth, punëtor në Brigadën e Vreshtave, ku u transferua pas debatit të hapur në Lidhjen e Shkrimtarëve për moskonkordancë me romanin “Dasma”. Është fakt se në vitin 1969 jeta e Bilalit u trondit nga cikloni i fuqishëm komunist dhe jeta e tij u shemb me uturimë .“Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e Bilal Xhaferrit, të lënë në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1969. (Fashikulli i shkrimtarit Bilal Xhaferri publikuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018).
Shpirti i tij, pas arratisjes drejt lirisë në SHBA, filloi të çlirohej nga marramendja, mundi të gjejë një koncept filozofik krejtësisht të ndryshuar, një koncept të ri për jetën. Dhe kjo e rriti deri në pambarim mundësinë e forcimit shpirtëror të tij. Kur shkoi në SHBA jeta e tij mori një kuptim të ri. Si shkrimtar, gazetar e polemist i flaktë ai iu kundërvu, me tërë talentin dhe forcën e shpirtit, forcës shkatërruese të realitetit komunist, me ide dhe koncepte të reja për letërsinë dhe jetën. Energjia e rrufeshme e talentit të tij ishte e pashembullt. Shpirti i tij nuk u çlodh dhe nuk u rehatua asnjëherë.
***
Bilali luftoi me kurajo, në ekstazë e me tërbim krijues, kundër harbimit të shfrenuar komunist, që nga Gazeta “Dielli”, ku shërbeu si zëvëndëseditor në vitet 1970-1972, e deri te revista “Krahu i Shqiponjës””, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, që themeloi në Çikago në vitin 1974. Artikujt e tij për çështjen kombëtare, për Kosovën e Çamërinë, dhe për tradhtinë kombëtare të regjimit komunist, të mbushuar me tharm e forcë, shkumëzonin me perla xixëlluese dhe me ritme të fuqishme. Shkrimet e tij kishin një dritë solemniteti, realizmi dhe tejdukshmërie magjike, deri në thellësitë më të mëdha, në mënyrë të pakrahasueshme, me përkushtim e ligjërim të shndritshëm.
Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”.
Duhet pranuar se përndjekja e tij vazhdoi edhe në SHBA, pasi nuk reshti së akuzuari, me tërë forcën e shpirtit, regjimin komunist, si karikaturë e një sistemi të personifikuar te Njëshi. Tregojnë se kur shkruante për E. Hoxhën i kërcente damari i ballit nga tërbimi. Në Dosjen e arkivuar më 10.04.1987, me vlerë studimi, (Fashikulli 2/A nr. 98), e cila është deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018, thuhet:. “Përndjekja e Bilal Xhaferrit vijoi edhe gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Në dosje ka elementë të shumtë që hedhin dritë në dinamikat e jetës së tij, jo vetëm në atdhe, ku u dënua nga sistemi dhe u survejua, po ashtu jashtë tij, ku u ndoq deri kur mbylli sytë në vitin 1986”. Edhe ai e dinte që përndiqej, por u përpoq të ruante mbijetimin e shkrimtarit dhe gazetarit të vërtetë, duke pranuar konsakrimin e vet: një jetë prej martiri dhe asketi. Grehina shpirtërore e talentit të tij digjej nga zjarri i përqendruar i frymëzimit.
Vdekja e Bilal Xhaferit, në një spital të Çikagos, ka mbetur një moment i errët dhe i pashpjeguar. Në jetën e shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj ka rastësi të mbrapshta.
***
Poezia “Baladë çame” është një nga kryeveprat e poezisë shqipe, e cila pikturon me vargje tragjedinë, gjenocidin dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre etnike në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Motivi qendror është crrënjosja dhe eksodi i dhimbshëm. Autori nuk përshkruan thjesht një largim, por një ikje apokaliptike nën dhunë, ku një popull i tërë kthehet brenda natës në “muhaxhirë” (refugjatë). Rruga e tyre ka vetëm një drejtim: veriun (drejt Shqipërisë), duke lënë pas gjithçka që deshën.
Në “Baladë çame”, Bilal Xhaferi përdor një gjuhë jashtëzakonisht të pasur figurative për të përcjellë dhimbjen e shpërnguljes, duke ndërtuar një peizazh dramatik ku lëvizja e popullit bëhet në errësirë, por rruga ndriçohet nga tragjedia:
“Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë. / Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë.”
Metaforat, inversionet dhe krahasimet janë shtyllat e stilit të tij, të cilat arrijnë ta kthejnë peizazhin natyror në një dëshmitar dhe pjesëmarrës të tragjedisë njerëzore. Poeti B. Xhaferi përdor me mjeshtëri natyrën për të pasqyruar tragjedinë njerëzore:
“Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë” – Një krahasim mjaft i bukur, simbol melankolie e ndarjeje tragjike. Ylberi, që zakonisht simbolizon shpresën, këtu është i “përlotur” dhe zhduket mbi flakë. Ylberi krahasohet me një përshëndetje të përlotur.
Ky krahasim përdoret për të bërë më të prekshme dhe më vizuale dhimbjen e madhe, duke marrë elemente nga natyra.
“Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë” është një metaforë gjeniale dhe rrëqethëse, jo thjesht një zbukurim estetik; ajo është piktura dramatike që zëvendëson elementet reale të luftës dhe braktisjes me elemente të natyrës. Toka e mbetur bosh nuk ka më bagëti apo njerëz; aty godasin vetëm rrufetë e shkatërrimit të luftës:
Në vargun “Ullishtet e pavjelura gjëmojnë…” – Ulliri, simboli i paqes dhe jetës çame, duket se ka mbetur jetim, i pavjelur, duke dëshmuar braktisjen e dhunshme.
Ky krahasim krijon një efekt akustik të fuqishëm, duke treguar një natyrë të trazuar e të shqetësuar që po vuan njësoj si njerëzit.
Vargu “Dhe kudo toka çame… rënkon e mbytur në gjak e lot, e mbetur shkretë, pa zot”, shpreh kulmin e dëshpërimit kombëtar. Nuk është thjesht dhimbje fizike e njerëzve që ikin, por është vetë toka, trualli stërgjyshor, që ndjen dhimbjen e zbrazjes dhe të pushtimit.
Xhaferi e përdor inversionin, për të krijuar një ritëm të thyer, të ngadalshëm e marshues, si dhe për të vendosur theksin te fjalët që mbajnë peshën më të rëndë emocionale. Ndërsa nëpërmjet antitezave të fuqishme vendos pranë e pranë dy pamje ose ide krejtësisht të kundërta për të nxjerrë në pah absurditetin dhe tmerrin e luftës:
“Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë / Na e ndriçojnë rrugët flakët…”.
Në vargjë si: “Toka çame… rënkon”, përdoret edhe personifikimi,ose shpirtëzimi, duke i veshur elementet e natyrës me veti njerëzore, duke i kthyer ato në personazhe që vuajnë së bashku me popullatën çame.
Në vargun “Nata na ndjek nga pas” nata personifikohet si një ndjekës i zymtë, që i dëbon dhe i shtyn përpara refugjatët, duke ua bërë rrugën edhe më të frikshme.
Xhaferi e përdor inversionin, për të krijuar një ritëm të thyer, të ngadalshëm e marshues, si dhe për të vendosur theksin te fjalët që mbajnë peshën më të rëndë emocionale. Ndërsa nëpërmjet antitezave të fuqishme vendos pranë e pranë dy pamje ose ide krejtësisht të kundërta për të nxjerrë në pah absurditetin dhe tmerrin e luftës:
“Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë / Na e ndriçojnë rrugët flakët…”
Në vargjë si: “Toka çame… rënkon”, përdoret edhe personifikimi,ose shpirtëzimi, duke i veshur elementet e natyrës me veti njerëzore, duke i kthyer ato në personazhe që vuajnë së bashku me popullatën çame.
Në vargun “Nata na ndjek nga pas” nata personifikohet si një ndjekës i zymtë, që i dëbon dhe i shtyn përpara refugjatët, duke ua bërë rrugën edhe më të frikshme.
Vargjet përmbyllëse kanë një ritëm marshues, por të trishtë:
“Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive… / Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi… / Lamtumirë, Çamëri!”
Thirrja e fundit, “Lamtumirë, Çamëri!”, tingëllon si një amanet dhe një premtim.
Baladë çame
Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.
Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!
Disa nga veprat e Bilal Xheferit
Njerëz të rinj, tokë e lashtë (tregime, 1966)
Lirishta e kuqe (poezi,1967)
Dashuri e përgjakur (1992)
Krastakraus (roman,1993)
Eja trishtim (poezi,1995)
Ra Berati (1995)
Përtej largësive (1996)