MES OPTIMIZMIT TË ZYMTË DHE PESIMIZMIT ME DRITË…
Intervistë me gazetarin, ambasadorin dhe shkrimtarin Bujar Skëndo.
Intervistoi: Sokol Paja
I nderuar z.Skendo romani juaj “Flijimi i maskave” trajton marrëdhënien e ndërlikuar mes botës së krimit dhe pushtetit të korruptuar. Çfarë ju shtyu ta vini këtë fenomen në qendër të romanit dhe çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni lexuesit përmes tij?
Bujar Skëndo: Nuk më shtyu asgjë më shumë se revolta dhe refuzimi ndaj asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë. Një gjë monstruoze, e përbindëshme: Kriminalizimi i vullnetshëm, i vetëdijshëm, madje i planifikuar i pushtetit dhe më pas, i tërë jetës së vendit. Në roman, përmes vetëzbulimit dhe zbulimit të mendjes dhe shpirtit të personazheve, përshkruhen hapat nëpër të cilat kaloi ky proces rrënues, tjetërsimi i misionit të pushtetit dhe shoqërisë. Pushteti ndau qeverisjen me trafikantët, u hapi portat e Kuvendit të Popullit, dyert e zyrave, kurse krimi ndau paratë “e pista”me pushtetin. Lindi një pushtet hibrid, i dyfishtë mes dy forcave që teorikisht do të duhej të ishin antagonistë, kundërshtarë, armiq të njëri tjetrit. U krijua një klimë kriminale në vend: Shoqëria shqiptare, prej rreth tri dekadash, u mësua dhe pranoi të jetojë së bashku me qeveritarë- biznesmenë dhe me ishtrafikantë e kriminelë- qeveritarë. Të dy palët të kriminalizuar, të korruptuar. Të dy palët iu vërsulën buxhetit të shtetit, pra taksave të qytetarëve dhe pasurive natyrore të vendit me një grykësi tmerruese. Në këtë moment njerëzit e ndershëm u shtangën, shpresat e tyre nisën të zbehen, në mos edhe të shuhen, si flaka e trembur e qiririt. Rezistenca, reagimi, përplasja nuk u dukën kund. Ishte kohë e adaptimit me murtajën.
Romani “Flijimi i maskave” ështe një reagim i paqetë artistik, një thirrje plot pikëllim drejtuar njerëzve të thjeshtë për të shpëtuar vendin nga lëngata e pafundme në të cilën është flakur me përçmim. E keqja tashmë ka arritur në një pikë kulmore. Por triumfit përfundimtar të më të keqes i nevojitet nënshtrimi i plotë, jo i një pjese të shoqërisë, por i të tërës. Gjunjëzimi i saj. Asfiksimi. Shkurt, përshtatja pa kushte e saj. Nëse njerëzit e mirë të vendit, intelektualët e ndershëm, të rinjtë guximtarë nuk do bëjnë diçka, kjo do të shënonte ngadhënjimin përfundimtar të të keqes, të krimit dhe korrupsionit.
Nëse qëndroni neutralë në situara padrejtësie, thoshte Platoni, ju keni zgjedhur anën e shtypësit. Nëse njerëzit e mirë, atdhetarë do i thonë “Jo” këtij pushteti ogurzi, të neveritshëm, të kriminalizuar me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, atëherë ky pushtet do nisë të shëmbet.
Metafora e maskës përshkon gjithë romanin dhe simbolizon hipokrizinë, mashtrimin dhe tjetërsimin e identitetit njerëzor. Si lindi kjo metaforë dhe në ç’masë mendoni se njeriu i shoqërisë së sotme e ka humbur dallimin mes fytyrës së tij të vërtetë dhe maskës që mban përpara të tjerëve?
Bujar Skëndo: Në mjegullën që e rrethon shkrimtarin ndërsa shkruan, në mënyrë të turbullt, unë kuptova se po shkoja drejt një pike të panjohur, tronditëse. Isha duke shkruar faqet e para të romanit: Një aktore e talentuar e gjen veten të huaj e të braktisur nga teatri, nga shoqëria. Nga gjithçka. Shoqet e saj të dikurshme lëviznin me makina të shtrenjta rrugëve të Tiranës. Shkojnë për pushime në Dubai apo në Ibiza e më tej në vende ekzotike botërore… Ishin lidhur me ishtrafikantë, njerëz të krimit, por që tashmë kishin arritur t’i pastronin paratë e pista nëpërmjet korruptimit të zyrtarëve…
“Është koha të ndryshoj diçka brenda vetes sime”, duhet të ketë pëshpëritur Ema dikur. Me sa duket unë po i vija rrotull diçkaje si mbulimi i diçkaje të vërtetë me diçka të gënjeshtërt. Ndoshta ky ishte sinjali i parë në nënvetëdijen time për të kuptuar se si njeriu e fsheh mashtrimi, si mbulohet diçka e mbrapshta… Si njeriu gënjen pa iu skuqur fytyra ditën me diell. Pastaj dyfytyrësia, pafytyrësia… I isha afruar në mënyrë krejt të pavetëdijshme dhe njëkohësisht fatale simbolit të maskës…
Në përfytyrimin tim nisën të shfaqen më shumë maska se fytyra. Flijohet fytyra për maskën. Pastaj flijohet edhe kjo për një tjetër maskë. Dhe më pas, një maskë tjetër… Maskë hipokrizie, maskë e etjes për pushtet e para, maskë për gjithçka. Madje maskë edhe kur ndodhesh përpara vetes tënde, dmth maskë edhe kur je vetëm me vetveten. Komike e tragjike, në të njëjtën kohë. Maska pa fund, njëra më mashtruese se tjetra. Një tmerr më vete, i pafund edhe ky. Simbolika e maskës ka qenë dhe mbetet një pasqyrë shtrembëruese, deformuese. Devijuese e të vërtetës.
Vend qëndror në roman zë figura e Leonit, ishtrafikant i shndërruar tashmë në një biznesmen “të ndershëm”, pronar i një restoranti diku afër Parkut të Madh të Tiranës me emrin provokues “Korbi i bardhë”. Ishte vendi ku nisnin rrugëtimin e ri tërë ishtrafikantët, tashmë biznesmenë të veshur me kostume e gravata të shtrenjta, me makina lluksoze…Maskat e tyre shkëlqenin me magjinë e tyre makabre. Në krah të ishtrafikantëve, vajza të ekranit, muzikës në rolin e bashkëshorteve. Krejtësisht ndryshe nga e shkuara. Kishin vënë maskat rrëzëllitëse e ziplotë edhe ato. Të tërë krejtësisht të pafytyrë, dikur ia vënë syrin politikës. Maskat janë në apogjeun e tyre.
Gjashtë nga klubi i “Korbit të bardhë” futen në listat e partisë që kërkon të rimarrë pushtetin. Dhe këta monstra me maska bëjnë diçka të padëgjuar: I fitojnë votat më herët se të vinte dita e votimit. Si? Maskat shumëfishohen brenda natës dhe mbulojnë fytyrat e përvuajtura të votuesve për 50 apo dhe më shumë Euro… Jo vetëm të atyre që votojnë pro tyre, por edhe të atyre (nënkupto të krahut tjetër politik) që nuk dalin fare të votojnë…
Për t’u rikthyer te pjesa e fundit e pyetjes tuaj, mendoj se njeriu dhe shoqëria shqiptare janë të prekur rëndë nga murtaja e maskave. Në roman është një episod ku përshkruhet një djegie masive maskash. Njerëz me fytyra të përgjakura nga shkulja e maskave, maska pa fytyrë, fytyra pa maska, pastaj një bllokim trafiku në Sheshin Skënderbej i shoqëruar me një stuhi ere, një polic që ka ngecur midis dhe që vetëm thërret “skenë krimi”! Njolla gjaku gjithandej… pamje vërtet groteske.
Virtytet dhe veset janë brenda njeriut në një përpjekje të përjetshme për dominimin e tjetrit. Për një çast, për një kohë ose edhe për gjithë jetën. Tek ne koha e dominimit të veseve po zgjat shumë. Histeria e veseve çnjerëzore ka kohë që ia ka zënë frymën virtyteve njerëzore.
Por mendoj se pjesa e mirë e shoqërisë shqiptare është ende gjallë, me fytyrën e saj të vërtetë. Janë edhe moshat e reja, studentët e gjimnazistët e Gjeneratës Z. Janë intelektualët e ndershëm. Njerëzit e thjeshtë që jetojnë me punën e tyre të ndershme. Të gjithë këta kanë refuzuar të lënë peng fytyrën për maskën e ofruar nga qeveria e kriminalizuar që punon kundër tyre. Shumë të tjerë nuk kanë rezistuar dhe për të ruajtur “faqen e bardhë” kanë marrë udhët e botës. Janë detyruar në mënyrë djallëzisht të qëllimshme të lënë vendin. Por shpesh ndodh që edhe një grup i vogël mund t’a ndryshojë vendin.
Njerëzit me fytyrën e vërtetë janë makthi më dëshpërues për maskat qeveritare. Njerëzit pa maska i trëmbin, u kallin drithërimat pushtetarëve të kriminalizuar, të korruptuar. Dhe maskave të tyre, gjithashtu. Gjithçka nis me një ndezje flake për drejtësi. Një shkrepje kundër padrejtësive. Pastaj zjarri i ndezur djeg gjithçka që i del kundër. Maskat digjen së bashku me fytyrat e ndotura të krimit dhe korrupsionit.
Në roman, krimi dhe pushteti duket se ushqejnë njëri tjetrin, duke dobësuar drejtësinë dhe liritë e shoqërisë. A synon vepra juaj të jetë vetëm një pasqyrim artistik i një realiteti bashkëkohor, apo edhe një thirrje për ndërgjegjësim e reagim shoqëror?
Bujar Skëndo: Romani im nuk është aspak, thjesht tregim i të vërtetës së jetës. Por është art i të vërtetës. Ai zbulon artistikisht të keqen dhe të këqinjtë dhe u heq këtyre maskat pa pikë mëshire. Thirrjen për pakënaqësi, për mospranim, për revoltë romani e ka të shkrirë në çdo ind artistik të tij. Deri më sot “mishi në hell” nuk ka qenë as i kryeautokratit dhe as i shpurës së tij me maska kriminale e të krimbur në vese, por ka qenë fytyra e vërtetë njerëzore, virtytet e njerëzve të thjeshtë, të ndershëm. Përplasja midis dy palëve është e pashmangëshme. Dhe fitorja, gjithashtu.
Një nga veçoritë e romanit është ndërthurja e ngjarjeve me përsiatjet e personazheve dhe zërin reflektues të rrëfimtarit. Si e keni ndërtuar këtë ekuilibër mes rrëfimit të ngjarjeve dhe mendimit filozofik në mënyrë që lexuesi të depërtojë përtej sipërfaqes së personazheve?
Bujar Skëndo: “Flijimi i maskave”, sikundër edhe dy romanet e tjerë të mi, janë të tipit psikologjik. Priren nga zbulimi dhe vetëzbulimi gjendjeve emocionale dhe mendore të personazheve, konfliktet me vetveten, përjetimet, frikërat, kotësia e jetës, ankthet ekzistenciale, pendesat, ambiciet, fajësinë, etjen e të qënies së tyre për pushtet dhe para. Reflektimi i ngjarjeve dhe episodeve në psiqikën dhe shpirtin e tyre. Të dyja të fshehta, të ruajtura thellë në një vend të errët dhe të vështira për t’i kuptuar me një vështrim të jashtëm. “Unë, thoshte Dostojevski, dëshmoj për thellësitë e shpirtit njerëzor”. Dhe ai mbetet ende sot Mjeshtri i Madh i romanit psikologjik.
Në roman unë tentoj të zbuloj si reflektohen në mendjet njerëzore ide, mendime filozofike, ngjarje e imazhe. Si shpërfaqen ato në zonat errëta të mendimit të personazheve. Është, si të thuash, një udhëtim brenda vetes, në thellësitë që as vetë personazhet nuk i dinë dhe nuk i njohin. Pikërisht aty ku ata luftojnë me vetveten, me të keqen dhe të mirën, me gënjeshtrën dhe të vërtetën, me moralin dhe absurdin e tij. Me pasionet dhe krizat e vetëdijes të vetvetes. Me ankthet dhe tjetërsimin. Dhe është normale të tronditen, të dyshojne te vetvetja, të tërhiqen ose t’u shkojnë edhe më thellë pasioneve të tyre. Të pranojnë dobësi që në asnjë rrethanë tjetër nuk do t’a bënin. Të dallojnë të vërtetën brenda vetes edhe në mjegullën e dëndur të shpirtit njerëzor. Kështu bëhet e mundur të çahet “deti i ngrirë brenda nesh” i Franc Kafkës. Të tillë personazhe në roman janë Leoni, Ema, gazetari analist Albert Vango, psikologu Gazmend Tasho, Elona, bashkëshortja dhe “zyra e biznesit” të Prokurorit të Përgjithshëm.
Romani e tërheq lexuesin në thellësitë e mendimit e emocionit individual, të trazuar e të mjegulluar, të ndrrydhur e të shtypur përdhunshëm nga forca të jashtme. Dhe për paradoks, edhe nga prirje negative të brendëshme. Dhe, me sa kam kuptuar prej përshtypjeve të lexuesve, një stil i tillë të shkruari dhe të konceptuari jo vetëm nuk të lodh, por, përkundrazi, të nxit për të depërtuar edhe më thellë brenda vetes. Në atë që lexuesit “shkruajnë” me imagjinatën e tyre pas mbarimit së lexuari romanin. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por kam kuptuar se në këtë lloj romani lexuesit mezi presin të zbulojnë sekretet e personazheve, e për analogji, të takohen edhe me sekretet e vetvetes.
Në “Flijimi i maskave”, korrupsioni dhe hipokrizia shndërrohen në një traumë sociale me pasoja psikologjike duke prodhuar vetmi, frikë dhe mungesë dashurie. Si ndikon kjo klimë te bota e brendëshme e personazheve dhe çfarë na zbulon ajo për brishtësinë e njeriut përballë pushtetit dhe parasë?
Bujar Skëndo: Në roman është një përshkrim prej 3-4 faqesh për disa grupime njerëzish që në mënyrë instiktive mblidhen çdo muzg në kënde të ndryshme të lulishtes në krah të Librit Universitar. Qëndrojnë aty për orë të tëra pa e ditur pse, por edhe të pashqetësuar që nuk e dinë. Dikush prej tyre kishte qenë biznesmen me emër, por një natë ia kishin hedhur në erë me eksploziv. Dikush tjetër thjesht kujton se dikur, vite apo edhe dekada më parë, kishte qenë biznesmen. Të vetmuar apo në grupe të vogla, si fantazma hijerënda. Ishin atje të zymtët, me vështrimin të tretur në askund. Pak më tej grupi i të mërziturve me vetveten dhe gjithë të tjerët. Të poshtëruar nga jeta, të uritur dhe pa një kokërr leku në xhep, veç mallkonin. Në skajin më të largët ishin të dëshpëruarit. Të gjithë të rrënuar, të zhgënjyer, të pashpresë, të pamend. Të dështuar. Askush nga kalimtarët nuk u hedh sytë. Askush nuk pyet ç’janë. As pse janë atje. Mendo për një çast, sa të tillë janë sot pas gati tri dekadash nga koha e ngjarjeve të romanit. Ky është kapitalizmi egër e mafioz që u projektua dhe u ngrit në sistem nga kriminalizimi i vullnetshëm i pushtetit, ekonomisë dhe tërë jetës së vendit, nga ndarja e pushtetit, parave dhe pasurive të vendit me krimin dhe trafikantët…
Titulli “Flijimi i maskave” sugjeron një paradoks tragjik: Edhe maskat duket sikur bëhen vetë viktima të mashtrimit që janë krijuar për të fshehur. Çfarë kuptimi i keni dhënë fjalës “flijim” në këtë kontekst dhe si lidhet ajo me deformimin e identitetit njerëzor që në roman merr edhe përmasa groteske e tragjike?
Bujar Skëndo: Unë i kisha vënë një tjetër titull romanit, “Vejusha milionere”. Dhe kisha motivet e mia. Por botuesi nuk e pëlqente. Diskutuam gjatë e nuk u morrëm vesh. U ktheva në shtëpi dhe ndihesha i ftohtë me romanin, por pa e kuptuar as vetë kisha nisur t’a lexoja nga faqja e parë. U trondita kur vura re se sa shumë herë përmendej fjala flijim: Flijim i të mirës, flijim i virtyteve, flijim i moralit, flijim i shoqërisë, flijim i fytyrës, flijim i të drejtës… Dhe më në fund, paradoksalisht, flijim edhe i vetë maskave prej të tjera maskash edhe më monstruoze. Tamam i atyre mbi të cilat ishte ngritur i tërë romani. Ia nisa menjëherë titullin botuesit dhe brenda disa sekondave ai më telefonoi i lumturuar. Ky, po, tha ai. Romani meriton pikërisht këtë titull. I shpreha mirënjohjen për këmbënguljen.
Flijimi, në vetvete, është tragjik. Por kur bëhet fjalë për flijim të maskave atëherë shfaqet ana e fshehtë e metaforës. Grotesku. Njeriu i sotëm dhe jeta e tij është si një karnaval me apo pa maska. Një herë e fsheh fytyrën pas maskës dhe më pas maskat, në mënyrë qesharake e groteske, ndërrojnë njëra tjetrën duke e gjakosur atë që ka mbetur nga fytyra fillestare. Por fytyra e vërtetë njerëzore është shumë më e sofistikuar se një maskë, sado mashtruese të jetë kjo. Dikur, psh tri dekada më parë, krimi i organizuar vepronte në fshehtësi. Sot, duke i veshur fytyrës kriminale maskën e demagogjisë e të paturpësisë, përpara se të vidhen dhjetëra e qindra milionë, ndryshohen ligjet, kinse për interesa kombëtare. Maskë mbi maskë. Ose maskë e dyfishtë. Kur vesi mbulohet nga maska e virtytit, është vrasës. Por gjëmën ta bën maska e atij që e shfaq fytyrën të zbuluar. Kjo lloj maske e re diabolike, groteske për fytyrën që mbulon e zbulon, njëkohësisht, me atë që ofron në mënyrë të dhunshme, kthehet në tragjike për individin dhe shoqërinë. Grabitjen ditën me diell të votave, të taksave të shqiptarëve dhe pasurive të shenjta të natyrës së vendit tonë që vidhen e shiten pa pikën e brerjes së ndërgjegjes, nuk ka maskë që e fsheh, nuk ka maskë që e deformon.
Tërë shpërfillje, plot fodullëk, përplot me urrejtje të pakursyer ndaj njerëzve të thjeshtë, tani qeveria e organizon vetë krimin e organizuar. Kjo nuk është tjetër veçse vetë tirania e maskave dhe maska e tiranisë. Gjithë sistemi është i kriminalizuar. Brenda sistemit vjedhin kush e kush më shumë. Bien vetëm disa, bashkë me maskat e veta. Edhe rënien e atyre pak grabitësve të parave të popullit, shpesh duket se e organizon vetë maska qeveritare për të shpëtuar kryemaskën.
Në roman fjala “flijim” është përdorur në kuptimin e një akti suprem. Flijimi për një ide të lartësuar- një thirrje ekzistenciale për atë që jemi dhe për atë që synojmë të jemi. Një apel, një ftesë, një klithmë, një britmë për t’u prirur drejt të mirës, virtytit, përparimit të sinqertë, të vërtetë. Një akt i paheshtur. Pa maska e vese vetvrasëse. Kemi trashëguar diçka të shenjtë e të shtrenjtë: Atdheun dhe banorët e hershëm të tij, shqiptarët. Të sakrifikojmë, të flijojmë, jo diçka, por gjithçka kemi që tua kalojmë gjeneratave që vijnë të pacënuar, të patjetërsuar, të plotë… Të panxirë, të panjollosur… Ky është edhe një nga mesazhet e fshehta të romanit.
Në analizën e romanit mund të dallohen ngjashmëri me botën kafkiane, ku individi përballet me tjetërsimin dhe deformimin e qënies. E shihni këtë vepër si një reflektim mbi absurditetin e shoqërisë moderrne dhe, mbi të gjitha, a besoni se ekziston ende mundësia që njeriu të heqë maskën dhe të rikthehet te vetvetja e vërtetë?
Bujar Skëndo: Të falënderoj për zbulimin e kësaj ngjashmërie. E kanë vënë re edhe kritikë e studjues. E madje, edhe lexues që e njohin mirë dhe e admirojnë shkrimtarin gjenial Franc Kafka. Por dua të theksoj se është një prirje e natyrshme e stilit tim të të shkruarit depërtimi në thellësi të nënvetëdijes së personazheve për të zbuluar, jo aq, vetëm atë që ata bëjnë apo nuk bëjnë, atë që ndiejnë apo nuk ndiejnë, por edhe arsyen u ndodh kjo, pse përpëliten, pse i kalojnë ditët në një mëdyshje absurde. Pse ndihen të vetmuar, të huaj edhe kur gjenden në mesin e njerëzve. Për të përshkruar frikërat që u vijnë nga drejtime të panjohura, madje edhe nga brenda vetes. Qenia e tyre përshkohet nga ankthe dhe nga mungesa e guximit për t’u përballur me atë që i kërcënon, të cilën, shpesh herë, as nuk e kuptojnë çfarë është dhe as përse i sulmon… Këto dhe të tjera aspekte të personazheve të romanit tim mund të quhen edhe një zbritje në errësirën e të vërtetatave të zhveshura, lakuriqe të psiqikës njerëzore.
Shkrimtari ka guximin të hyjë në mendjen e njeriut dhe të zbulojë tërë të fshehtat që ruhen atje, në atë vend të errët e të vetmuar.
Personazhet e romaneve të mi shkojnë drejt drejt vetëmbylljes, vetëizolimit dhe absurdit. Ose edhe vijnë nga atje, nga mbyllja, vetëizolimi, absurdi. Prandaj jo rrallë shfaqen të gatshëm të vënë në dyshim ekzistencën e vetvetes. Ndihen të tjetërsuar, të pazot të dalin nga udhëkryqet shpirtërore e psikologjike ku e kanë çuar veten pavetëdijshëm, ose i kanë detyruar të kryqëzohen në udhëkryqet e jetës. Dhe të gjitha këto ngaqë mjedisi për rreth u duket armiqësor, zyrat i përjetojnë si organe shtypëse, tiranike. Dhe largohen të tmerruar pa mundur të gjejnë prehje e mbrojtje as brenda vetevetes. Mandje, shpesh, as nuk e pranojnë këtë prehje a ndihmë. Ndihen të qetë vetëm brenda absurdit të pakuptueshëm të vetvetes e, paradoksalisht, edhe përtej ekzistencës vetjake.
Pak a shumë ky është njeriu moderrn që përpëlitet në një botë përherë e më të egër, jo miqësore. Sidoqoftë, edhe pse njerëzit vuajnë, gëzojnë, argëtohen, përleshen dhe në fund… vdesin duke marrë me vete tërë pasiguritë e sëmundjet psiqike të shekullit, njerëzimi, prapëseprapë rinohet. Jeta normale apo absurde qoftë, me gjithë ulje- ngritjet e temperaturave të brendëshme të saj e ka dominuar përherë vdekjen. Dhe në këtë proçes të ndërlikuar, kundërshtia mes fytyrës së vërtetë njerëzore dhe maskës çnjerëzore do vazhdojë. Virtytet dhe veset do vijojnë të përplasen, të përqafohen apo edhe të shqyhen midis tyre. Dhe ndoshta, do e çojnë vetëm përpara shoqërinë njerëzore. Njerëzimi ka parë edhe më keq, por e ka gjetur përherë rrugën e mbijetesës edhe përmes kaosit.
Përsa i takon njeriut shqiptar, mendoj se sot veset çnjerëzore, maskat, po dominojnë mbi virtytet, mbi fytyrat e vërteta. Por kjo gjendje nuk besoj se zgjat shumë. Me kohë krijohet një tjetër klimë, një tjetër atmosferë, e ngjashme, ndoshta me drithërimën që përshkon atmosferën para ciklonit dhe rivendoset sërish ekuilibri i të mirës mbi të keqen.
Sa për mua, unë e gjej veten diku mes optimizmit të zymtë dhe pesimizmit me dritë.