Albspirit

Media/News/Publishing

Aurel Plasari: JU MUNDI!

JU MUNDI. Ky djalë ju mundi. Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, jua bëri ky djalë: ju mundi, madje ju poshtëroi, ju përdhosi.

E bëri duke protestuar, duke reaguar, duke mos qenë në një mendje me ju, duke mos u pajtuar me politikën tuaj, duke e vënë në dyshim autoritetin tuaj, domethënë: me armën më të fortë të mundshme që është të menduarit ndryshe.

Kujtoni se do të harrohet se ku e kishit mbërthyer në hekura si martirët në Mesjetë? Në vendin më të përshtatshëm për turpin tuaj: në portat e Ministrisë që etiketohet si e “Arsimit”. Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni, pse do të ikni. Nga historia e qeverisjes suaj këtë njollë nuk do ta shlyeni dot kurrë.

Ja ai në shtratin e spitalit, i plagosur prej jush, i ruajtur nga policë që më nuk janë tanët, dhe po lexon. Është pra nga ata studentë që, edhe në kushtet më të pavolitshme, lexojnë libra. Dhe më kujtohet Heine-ja, kur policët prusianë i kontrollonin bagazhet, – siç u kontrolloni ju sot çantat adoleshentëve, – kurse poeti i tall duke thënë me vete: Ç’rrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj, kur unë kam në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se gjithë autorët e ndaluar prej jush në Prusi?!

Bibliotekave në kokë të një brezi tjetër, që mendon ndryshe prej jush, si do t’ia bëni?