GJON MILI: TOSKANA DHE RILINDJA E ARTIT- DJEPI I GJENIVE PERËNDIMORE ⃰
KRISTAQ BALLI
Ishte takimi i zakonshëm në fundjavës i redaktorëve të revistës “LIFE”, koha për shkëmbimin e ideve. I pyetur ç’mund të bëja më tej për të kënaqur veten, mu kujtua një ëndërr e kohëve të hershme. “Dua të shkoj në malet e Carrara-s, në Itali, për të gjetur gurin (mermerin K.B.) që do të më thoshte: «Ah! Sikur Mikelanxhelo të të kishte pare”!”1)

Ndoshta kjo bisedë ka qenë edhe motivi që, në vitin 1959, Gjon Mili ka vizituar, së bashku me studiuesin Lincoln Barnet, Toskanën, krahinën e njohur në qendër të Italisë:
“…Të thyesh magjinë e mermerit,
është gjithçka mund të bëjë dora që i bindet trurit çfarë ai do të bëjë”
…Format që duken të gjalla,
Të farkëtuara në mermerin e sertë të maleve, do mbijetojnë,
Krijuesit të tyre, vitet i kthehen në pluhur…
Në këto vargje profetike, Mikelanxhelo, i cili ishte një nga poetët, piktorët dhe skulptorët më të mëdhenj të kohës së tij, afirmoi besimin e tij në pavdekshmërinë e artit. Ai nuk fliste vetëm për veten e tij, por për popullin e Toskanës, vendlindjes së tij, gjenialiteti kolektiv i së cilës nxiti shkëlqimin e Rilindjes…
“Mrekullia e Toskanës” përqaset me Erën e Artë të Greqisë, kur fuqitë e historisë kombinohen në sinteza misterioze për të ndezur një zjarr verbues të krijimtarisë njerëzore… Ashtu si lulëzimi i Atikës transformoi botën e lashtë, ashtu edhe kjo provincë e bukur italiane, që shtrihet në veri të Romës, riformoi mendimin dhe gjykimin estetik të botës moderne. Rilindja ishte pranvera e qytetërimit perëndimor. Toskana ishte toka ku ajo bëri shtratin e saj dhe kopshti më i shndritshëm.

Në këto foto, fotografi Gjon Mili rikrijon përsëri esencën pamore të energjive të jashtzakonshme që shpërthyen atje më shumë se 5 shekuj më parë. Afërsisht ai fillon me një bllok të gjallë mermeri të Carrarës, një të tillë si ai, që vetë Mikelanxhelo e nxorri nga guroret e malit dhe nga i cili gjigantët ardhën në jetë nga çekiçi dhe daltat e tij magjike.2)

Zemra e krijimtarisë toskane ishte qyteti i pasur i Firences, forumi i së cilit, Piazza della Signoria, zbulohet në dritën e butë të agimit. Kryevepra të mëdha të skulpturës dhe e arkitekturës zbulojnë periferinë e sheshit. Në foton e mëposhtmë të Gj. Milit, konvergjenca e trashëgimisë klasike dhe traditës së krishterë, që prodhoi kulturën e Rilindjes, simbolizohet nga nga statuja e Davidit – vepër e Mikelanxhelos.

Firence ishte arena ku konfliktet e Rilindjes midis të vjetrës dhe të resë, midis misticizmit mesjetar mbi fatin e njeriut në botën e përtejme dhe kënaqësive të reja të së tashmes, ndryshuan historinë e botës perëndimore. Dante (1265-1321) shenjoi Rilindjen; ai barazoi autoritetin e botëve antike dhe kristiane duke zgjedhur Virgjilin si udhëheqësin e tij në Ferr.
Cosimo de’Medici ishte një nga financuesit e mëdhenj të historisë. Ai dha shuma të mëdha për bamirësi, si dhe manastirit të San Markos (fig. poshtë), si dhe stërnipi i tij Giovanni de’ Medici, me zgjedhjen e tij si Papë, bëri vërejtjen: “Meqënëse Zoti na ka dhënë papatin, le ta gëzojmë atë!”
Libraria e San Marcos është ndërtuar nga Cosimo de’Medici, i cili i donte librat dhe kontribuoi në mësime dhe art. Dorëshkrimi, sipas fotos së Gj. Milit, ka simbole modern muzikore – një shpikje mesjetare.

Ndërkohë fotoja që ka zgjedhur të shkrepë Mili për poetin Dante Alighieri, mbajtësin e pishtarit të Rilindjes, autorin e Komedisë Hyjnore, e cila është vepra e parë e shkruar në gjuhën e përditshme italiane, është bërë sipa një pikture më të vjetër të vitit 1321.
Në fushën e artit, Rilindja përfaqësonte një ndryshim të madh të fokusit nga Qielli në Tokë. Një parim i mesjetës pohonte se nuk kishte bukuri përveç Zotit. Vetëm pas rizbulimit të estetikës klasike, njeriu pranoi hapur dashurinë për bukurinë për hir të saj. Piktorët dhe skulptorët e vështruan trupin e njeriut me sy të çliruar dhe e gjetën atë si një subjekt të përshtatshëm për art. Leonardo Da Vinçi analizoi përmasat e trupit të njeriut me detaje të sakta matematikore.

Edhe arkitektët toskanë u frymëzuan gjithashtu nga antikiteti. Por, ndërsa huazuan element klasikë të vizatimit, ata i përdorën në mënyrë dinamike, duke krijuar efekte të reja emocionuese të formës dhe hapësirës, siç ilustrohet nga Kupola e Sakristisë së Re të San Lorenzos e Mikelanxhelos (djathtas).

Një trup nga Leonardo nga një prej fletoreve të tij ilustron parimin e tij se “hapësira e krahëve të shtrirë të një njeriu është e barabartë me gjatësinë e tij”. Leonardo i shkruante shënimet e tij me shkrim pasqyre të përmbysur, nga e djathta në të majtë, dhe përmbys.
Një kupolë e Sakristisë së Re të kishës së San Lorenzos është produkt i gjenialitetit të Mikelanxhelos. Në ndarjen e saj delikate të zonave dhe formave, ajo kap idealin e bukurisë përmes proporcionit në vend të zbukurimeve dhe krijon përshtypjen e një hapësire në zgjerim.
Tensionet e Rilindjes shprehen në këtë figurë të Natës, një nga katër statujat simbolike, me të cilat Mikelanxhelo zbukuroi varret e Mediçi-t në Firence, Ajo është mbështetur në imazhin e Xhuliano de’ Mediçi (Vdiq më 1516), sarkofagut të të cilit ajo ia kalon. Ashtu si shoqëruesja e saj Agimi, ajo përfaqësohet si një grua masive, por jo femërore dhe mishëron trajtimin dinamik të trupit lakuriq karakteristik të artit toskan. E trishtueshme, Nata shpreh ndjenjën e Mikelanxhelos për tragjedinë e ekzistencës tokësore dhe lidhjen e bekuar të gjumit dhe vdekjes.
Duke artikuluar pesimizmin e tij, ai shkroi: “I dashur është gjumi im, por më mirë të jetë thjesht gur,/ Për sa kohë që mbretërojnë rrënimi dhe çnderimi:/Të mos dëgjosh asgjë, të mos ndiesh asgjë, është fitimi im i madh;/Atëhere, mos më zgjo; fol me zë të ulët.”

Agimi (i ditës) zgjohet në divanin e tij sipër sarkofagut të Lorenzo de’ Medici (vdiq 1519). Zgjimi i tij (Agimi) nuk është i gëzueshëm, por një kthim drithëues në një ditë tjetër. Si Agimi, ashtu edhe Muzgu (nata) edhe shoqëruesit e tyre meshkuj, “Dita” dhe “Nata”, janë të mposhtur nga dobësia dhe dëshpërimi. Përmes qëndrimeve të tyre të pasigurta, Mikelanxhelo i dha formë tensionit të kohës së tij dhe shqetësimit në shpirtin e tij. Si i krishterë dhe dashnor i Lirisë, ai e gjeti veten të bllokuar në një epokë mosbesimi dhe trazirash politike. Si artist ai vuajti nga zhgënjimi në duart e patronëve kapriçiozë. Por, pavarësisht gjithë vështirësive, Rilindja ishte një kohë kur artisti mund t’i jepte plotësisht gjenialitetit të tij. Këto skulptura shënojnë kulmin e artit të Mikelanxhelos dhe të skulpturës së Rilindjes – një mjeshtëri të daltës së arritur nga grekët e lashtë para tij dhe rrallë që atëhere.3)
Kullat e larta mbi një qytet sipërmarrjesh

Horizonti i Toskanës nuk zotërohej nga majat e katedraleve, por nga kullat e larta që u shërbenin pronarëve të tyre tregtarë si ndërtesa zyrash, banimi dhe fortesa, nga ku ata zhvillonin luftë kundër rivalëve të tyre në biznes. Firence dhe Piza ishin mbushur me qindra kulla të tilla 10-15 katesh të larta dhe pronarët e tyre fisnikë njiheshin si “della torre” (i kullës, kështjellar). Sot mund të imagjinohet ende horizonti toskan i së kaluarës falë mbijetesës unike të qytetit të San Gimignianos (Xhiminjano). Qytetet e kullave të Toskanës filluan të ngriheshin rreth vitit 1000, me rritjen e tregtisë urbane. Brenda mureve të qytetit, po krijonin një sistem të ri shoqëror. Por më e rëndësishmja, siguria dhe koha e lirë e jetës në qytet inkurajuan rritjen e atyre forcave të intelektit krijues që e bënë Toskanën inkubatorin e gjenialitetit. Fotoja e G. Milit e ilustron me një ekspresivitet dhe mjeshtri artistike të veçantë pamjen e një lagjeje të qytetit Gimignanio.
Pa dyshim, imazhet e sjella nga Toskana, përqëndruar kryesisht në veprat Mikelanxhelos, treguan për pasionin dhe njohuritë e Milit për historinë e Lashtësisë, veprat e artit dhe atë çfarë trashëgohet prej saj. Këto u bënë nxitje për të tjera sesione që erdhën më pas, si ato të Qytetërimeve Greke dhe Romake.
Përfytyrimin arkitekturor e ambjental, Gjon Mili e ka krijuar nëpërmjet fotove të tij magjike që duket se vijnë nga një realitet fantastik e përrallor i një civilizimi që zhvillohej nën influencën e një botëkuptimi të ri që nxiti Rilindja.4)
□□□
⃰ Të gjitha fotot janë të Gjon Milit
Referenca:
- Gjon Mili: Phoographs & Recollections. Boston 1980, p. 118.
- Lincoln Barnet: Tuscany – The Renaissance Revisited: LIFE, August 17, 1959, pp. 50, 51.
- Lincoln Barnett: The Superhuman Sculpture of Michelangelo, Fotot nga Gj.Mili LIFE, August 17, 1859, p. 59.
- The Soaring Toweers above an Enterprising City. LIFE August 17, 1959, pp. 60-61.