Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Jo kalimthi…

Gjithçka në protestë…
veç njerëzve
dhe gurët
veç gurëve
dhe retë.

Zjarret, gjithandej, djegin
si mund të protestojnë?
Librat digjen
alfabeti
në plojë.

Gjithçka në protestë…

Ndryshe nga të tjerët
dhe unë protestoj
për të gjitha
protestat
humnerë…

Ndonse dritën
të gjithë
e duam njësoj,
Endrrat që digjen
si mund të protestojnë?

*

Fytyrë vajze kjo mbrëmje ngjiz,
mirëfilli pret një të dashur
edhe më të dashur

polic qyteti, helmetë dhe krismë.

Sikur polici të jetë
ati i të dashurit
të kësaj vajze
ç’dhemb më shumë
fytyra e saj që s’ngjizet
a hiri që pi gjakun
e të pafajshmëve?

*

Në rrugët e Tiranës
semaforët përloten,
nga sytë verbohen
sheshet, kryqëzimet
shëtitja e mbrëmjes çalon sonte.

Ku të jetojmë ne këtë mbrëmje?
Kondak s’ka qielli
as hëna s’ka thundër
po pse
është plagosur
gjoksi i ëndrrave?

Në qiejt e Tiranës
fluturimet përloten,
këmbadoras ecin edhe qiejt sonte…

Tirana dikur jetonte tiranisht,
poeti Fatos ia ndjente
ankthin, kësaj bote
k’putur në gisht.

Shoh një gisht në ajër,
shoh një grusht,
prapë po ai
qiell i varfër
mbathur me dimër dhe ushtë.

Tirana, dikur, jetonte e paqtë
me një kokërr plumbi
rreth koke
me një hudhër
në kafkë.

Shoh një gisht në ajër,
shoh një grusht…

*

Jetoj në Durrës
me qytetin e murrët
me gjysm’ skulpture,
i bindur, i pabindur
nga çdo urdhër
urdhërohem
veç prej dallgëve,
portit, lundrimeve, urave.

Ku ta gjej një urë
t’i bashkoj brigjet
e njeriut me njeriun e vërtetë,
ku ngjarjet nuk sjellin
gladiatorë dhe as hije
por duar që linden nga dashuria bletë.