Bajram Hysa: Në kujtim të mikut tim të shtrenjtë, prof. Sulo Hadëri
Sot është një ditë e rëndë për të gjithë ne. Një ditë kur fjalët bëhen të varfra përballë dhimbjes dhe kur zemra e ka të vështirë të pranojë atë që mendja ende nuk arrin ta besojë.
Sot i themi lamtumirë një njeriu të veçantë, një intelektuali të spikatur, një pedagogu të përkushtuar, një qytetari me integritet dhe, mbi të gjitha, një miku të shtrenjtë: Prof. Sulo Hadërit.
Për mua, Sulo nuk ishte thjesht një koleg. Ishte shoku im që nga vitet e shkollës së mesme. Ishte një pjesë e udhëtimit tim jetësor, me të cilin ndava vite rinie, ëndrra, përpjekje, biseda, sfida dhe kujtime që sot marrin një vlerë edhe më të madhe.
E kam njohur nga afër. Prandaj, sot nuk flas vetëm për profesorin, për intelektualin apo për personalitetin akademik. Flas për Sulon njeri. Për mikun, për shokun, për karakterin dhe shpirtin e tij.
Jeta nuk i kishte dhuruar gjithçka lehtë. Ai u rrit jetim. Por mungesën e babait nuk e ktheu kurrë në pengesë, as në arsye për t’u dorëzuar përballë vështirësive. Përkundrazi, e ktheu në forcë, në motivim dhe në një vullnet të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.
Me punë, zgjuarsi, këmbëngulje dhe dinjitet, Sulo përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën tetëvjeçare, të mesmen dhe universitetin. Ishte krenar për formimin e tij, sepse e dinte mirë se pas çdo arritjeje qëndronin sakrifica, mund dhe përkushtim.
Ai është një shembull kuptimplotë se njeriun nuk e përcaktojnë vështirësitë me të cilat nis jetën, por karakteri me të cilin i përballon ato dhe gjurmët që lë pas.
Dhe Sulo la gjurmë!
Në jetën akademike, ai u bë një emër i respektuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Profesor, drejtues Departamenti e Dekanati, koleg dhe pedagog i përkushtuar, ai i shërbeu dijes dhe formimit të brezave të të rinjve.
Por madhështia e tij nuk qëndronte vetëm te titujt dhe detyrat që mbajti. Ajo që e bënte Sulon të veçantë ishte mënyra se si i bashkonte dijen me njerëzillëkun.
Ishte i qetë, i matur, komunikues, i afërt me njerëzit. Dinte të dëgjonte, të kuptonte dhe të gjente gjuhën me këdo. Nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të fituar respektin e të tjerëve. E fitonte atë me sjelljen, kulturën, thjeshtësinë dhe personalitetin e tij.
Ishte nga ata njerëz që nuk të imponoheshin, por të fitonin. Nuk kërkonin vëmendje, por e meritonin atë.
Sulo kishte edhe një cilësi tjetër të rrallë: nuk e harroi kurrë vendlindjen dhe njerëzit e tij. Megjithëse u formua dhe ndërtoi një karrierë të respektuar akademike, mbeti gjithmonë i lidhur me Rexhinin, me Tepelenën, me Kurveleshin dhe me njerëzit e tyre.
Për të, vendlindja nuk ishte thjesht një vend në hartë. Ishte rrënja, kujtesa, identiteti dhe krenaria e tij.
Dhe këtë lidhje e dëshmonte jo me fjalë, por me vepra. Ishte pranë njerëzve në ditë të vështira, ndihmonte sa herë kishte mundësi dhe nuk ua kthente shpinën atyre që kishin nevojë.
Kjo është arsyeja pse sot nuk e vajton vetëm familja, nuk e vajtojnë vetëm kolegët dhe miqtë. E vajtojnë edhe shumë njerëz që ndoshta nuk kanë pasur mundësinë t’ia shprehin sa shumë e vlerësonin.
Por, Sulo, sot dhimbja më e madhe është për ata që le pas.
E dashur Gerta,
Tri vajzat tuaja humbën babanë, por ato kanë një pasuri që askush nuk mund t’ua marrë: emrin e mirë, shembullin dhe trashëgiminë morale që u la babai i tyre.
Ato do të rriten me kujtimin e një babai që e ndërtoi jetën me dinjitet, që e fitoi vendin e tij në shoqëri me dije e punë dhe që u bë i respektuar jo vetëm për atë që arriti, por edhe për atë që ishte.
Motrat, të afërmit dhe të gjithë familjarët e tij kanë humbur një njeri të pazëvendësueshëm. E di se asnjë fjalë nuk mund ta lehtësojë këtë dhimbje. Por dua t’ju them se Sulo nuk ishte vetëm i juaji. Ai ishte edhe i yni, i miqve, i kolegëve, i studentëve dhe i të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin.
Të dashur të pranishëm,
Vdekja është pjesë e pashmangshme e jetës, por jo të gjithë njerëzit lënë pas të njëjtën gjurmë.
Disa kalojnë nëpër jetë dhe harrohen. Të tjerë lënë pas tituj, detyra dhe kujtime. Por ka njerëz që lënë pas diçka shumë më të çmuar: respektin, mirënjohjen dhe dashurinë e njerëzve.
I tillë ishte Sulo Hadëri.
Unë sot humba një mik të rinisë, një shok shkolle, një koleg dhe një njeri me të cilin më lidhin vite të tëra jete. Është e vështirë të flasësh për një mik në kohën e shkuar, kur brenda vetes ende e ndien të pranishëm.
Do të më mungojnë bisedat tona, qetësia jote, buzëqeshja dhe ajo mënyra jote e veçantë e komunikimit. Do të më mungojë siguria se, kur të takoheshim, do të gjenim gjithmonë një arsye për të folur, për të kujtuar dhe për të qeshur.
I dashur Sulo,
Nuk e di nëse ka një mënyrë të drejtë për t’i thënë lamtumirë një miku të tillë.
Por një gjë e di me siguri: ti nuk do të largohesh nga kujtesa jonë.
Do të mbetesh në auditorët ku ke dhënë mësim, në kujtesën e studentëve që ke formuar, në respektin e kolegëve, në zemrat e miqve, në kujtimet e njerëzve të Kurveleshit dhe, mbi të gjitha, në jetën e familjes sate.
Ti u largove nga kjo jetë, por nuk u largove nga njerëzit që të deshën dhe të vlerësuan.
Miku im, prehu në paqe!
Ngushëllime të përzemërta familjes, Gertës, tri vajzave, motrave dhe të gjithë të afërmve.
Lamtumirë, Sulo!
Ishte nder që të pata mik. Është dhimbje që të humba. Dhe do të jetë krenari që të kam njohur!
U prehtë në paqe shpirti yt!