Cikël poetik nga Ruzhdi Gole
SPIKAMË
Rrezja spikati
nga qerpiku i drithshëm
furtuna spikati,
shpejti do të jemi
mes qeshjes, bubullimës
aty jemi… s’i shohim
i shohim tinëz
ngadalthi.
Ç’shohim përpara mijëra herë?
Gjunjtë me më pak lëngje,
shpejt do të jemi
pasardhës të denjë
në një dhëmbje
(mos shëmbje)
do na krisin kërcinjtë,
me e pa shkop
me syze fenerë
në shpirtin
bashkëshortor
pa nëpërkën
reumatizmë.
Ç’shohim përpara
mbarëprapthi?
Spikati rrezja,
furtuna
spikati.
ECJE PYLLI
Mëngjesi, në mjegull, këndellur
pylli plot shtigje
duket
sikur e ka humbur shtegun.
Ecën edhe pylli? Ndoshta…
poshtë me rrënjët
e mpleksura
sipër
shthurrur
sa bota.
Gishtrinjtë e acartë të mëngjesit
të gjallë pa thonj e baltë
sot e nesërmi.
E paskam humbur unë shtegun
pak, fare pak,
në Bamberg shtigjet
mua më bëjnë të lumtur
m’i kthjellojnë rrugët tempuj
lakadredhas, rrallë t’acartë.
Ndoshta…
rrënjët e mpleksura poshtë
sipër shthurrur botë sa bota.
ZOJA NDIH
Zoja më e re e këshillit të mirë
thurr dantellën e mëngjesit
me përshpirtje e me fill,
me fillin e etjes
të vesës,
nën qirinj’
të shpresës.
Patjetër kjo Zoj’ kaq hijerëndë
nuk puth por don të puthet
lutjet e reja nuk janë
në hënë
por tek ujërat e shenjtë
sot nesër
tek afresku i buzëve.
Iu afrova një çast kësaj Zoje
me falje e lajka ëndërrt,
me hojet e saj rroja
k’saj bote
drojeve
Zoti
shtrembër
më shihte
por paprit’.
më ndihu zemër.
Zoja e këshillit të mirë
tek afresku i buzëve
gjoja të puth s’din
veson
nuk shterr
puthjeve…
SHAMI BOTE
M’u rrit mjekra sa u rrojta,
goja lidh
me shami
nga bota,
sytë pak rrezm,
bëj të dal përpjetë
ka gropa
dimëra të sertë
nga mortja,
lëvrijnë shpejt
gjarprinjtë
epoka…
…dikur isha qytet..
Pash më pash tash
rrënojë hoplash,
gojëlidh’
me shami
nga bota.
DRITARE PLUMBI
Fluturuan, fluturuan gjer sot ditët
me dritare të mbyllura përqark,
Ylberi nuk doli
diku rronte mëditës
ndritën stuhitë
paprit’
brofje ngadaltë
Me çark dita zuri çfarë mundi
ndoshta njeriun e lodhur përreth,
fluturan ditët me dritare prej plumbi
që ne jashta qentë mos t’i ndigjonim
por ata lehnin shqyeshin brenda nesh.
Fluturan dritaret e ditëve prej plumbi…