Jani Malo: OGURI
Në ditët e Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës në Korçë, disa karikaturistë patën guximin të merren edhe me surratin tim. Përfituan nga fakti që unë, në shoqërinë joshëse të gotës së verës, nuk ua kisha ngenë. Dhe ata u morën me mua dhe çoç zhgarravitën aty për aty.
Dhe ishin tre. I njohuri im në ilustrimin e dy librave për fëmijë, Endri Beqo, fqinji im në tryezën e asaj dreke, Elidor Kruja dhe një i tretë shumë më i dëgjuar, por fare i panjohur për mua, portugezi Antonio Santos.
Për hir të së vërtetës, krijimet e tyre më mikluan dhe sa më shumë i shihja aq më shumë më pëlqenin. Nuk e imagjinoja se isha aq i mirë si model karikature. Por, veç atij “Faleminderit” që thuhet rëndom në kësi rastesh, nuk gjeta gjë tjetër për t’ua shpërblyer.
Ama, të nesërmen rezultoi se paskam qenë ogur i mirë për ta. Të tre fituan çmime. Endri fitoi Çmimin e Jurisë, Elidori u nderua me Artistic Distinction Award, ndërsa portugezi Antonio fitoi Çmimin e Madh të Bienales në realizimin e portretit të Bujar Kapexhiut.
Mirë t’u bëhet atyre që i qëndruan larg surratit tim. Ikën nga Korça siç e meritonin. Pa asnjë çmim!