Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Humor sa për vete

Ajri ngjeth, dritë s’shoh askundi
me reumatizmë ashensori
sytë mbyll nën qerpikë,
Me kyçet e këmbëve
do të ngjis ngadalë
turbullti… ca kate
melodramatikë.

Tek kati i parë taban i dheut
shtrëngoj tendinat, trastat
çadrën, çdo mbartje,
në katin e dytë
hop ngjitem
më shpejti,

dritare shkalla s’ka
pengohem ca shkrehur
tek hija lozonjare e tjetrit.

Nëpër hapa, picërroj sytë.
Ajri përvëlues në ecje
me flatra sikur
m’afrohet
vrulltas
i urtë.

Në katin e përpjetë po ndjej
plot flutura frymëmarrjen,
sy qashtër më duket
se më shohin
shkallaret.

Mbartjet s’më ankohen në ngjitje
hatërmbetje nuk ka mes nesh,
frutat syçelur, fryma ime
gulçe – gulçe intime
rroket, qesh meje
jetnon shpresë.

Po nderet diç në ajër…
lodh’ kërcinj thatë
kati i gjashtë.

Pak ëndërrt m’u bë sikur
çadra u hap vetvetiu,
nga pëlhura e saj
nga telat… retë
shkund urnë
gjasme sot
nga lart

kubeja më e re
e vogëlth
e shiut.

Haplehtë mbërrita ku desha, më lart
kërkoj çelësin plot tinguj në xhep,
O, o, o… më ka humbur çelësi
pa e dit’ më është grisur
trallis nga gishtat e mi
herët xhep i ngratë
sot në mëngjes?

Kur, ku më paska rënë
rojtari marramendës
rojtari më shtëpiak,

mëndjen time nga vetja
paskam humbur t’errët
tymtas kam përzënë
pa lënë për veten
diku një farëz?

Kur të zbres tani vrapvrapthi
poshtë, më tëposhtë
do të gjej çelësin
a kokën time
mpakuri
ç’kyçur…
bosh?