Prof. dr. Bardhosh Gaçe: “MËKATI” QË VJEN PREJ KËNGËS
Për romanin “Dëshmitari i rremë” të Bujar Skëndos
Në dekadat e fundit të jetës shqiptare, shkrimtari Bujar Skëndaj është shpërfaqur me prozën e tij elitare, si: eseist, kritik letrar dhe romancier, duke shënuar një nivel të ri të artit letrar bashkëkohor, ku drama dhe tragjizmi i jetës shqiptare, shpalosen si një faqe në teatrin absurd të kohës.
Romani “Dëshmitari i rremë” i shkrimtarit Bujar Skëndo trajton një nga periudhat më të vështira të historisë shqiptare, atë të sistemit totalitar. Në qendër të veprës qëndrojnë: frika, represioni politik, padrejtësia, arrestimet dhe vuajtjet njerëzore. Përmes historisë së Sandër Barajt dhe këngëtarit Seran Mejdani, autori paraqet ndikimin që kishte sistemi totalitar në jetën, ndërgjegjen dhe zgjedhjet e individit.
Proza e Bujar Skëndos karakterizohet përgjithësisht nga një aftësi e spikatur e zhbirimit psikologjik. Autori ndalet veçanërisht te gjendja shpirtërore e personazheve, konfliktet e tyre të brendshme, frika dhe dilemat morale. Krahas situatave dramatike, romani përmban edhe humor e ironi, të cilat i japin veprës një dimension të veçantë artistik. Romani lidhet me një nga ngjarjet më të diskutuara të historisë së kulturës shqiptare: Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, të zhvilluar gjatë periudhës së sistemit totalitar. Kjo ngjarje u pasua nga pasoja të rënda politike, përfshirë burgosjen, internimin dhe ndëshkimin e shumë artistëve e intelektualëve të njohur të kohës. Kjo klimë represioni dhe frike përbën sfondin historik dhe shoqëror të romanit.
Personazhi kryesor i romanit është Sandër Baraj, një njeri që për shumë vite kishte ëndërruar të punonte në Radio Televizion, por nuk kishte arritur ta realizonte këtë dëshirë. Ai kishte përgatitur vetëm dy telereportazhe dhe më pas ishte larguar nga institucioni. Sandri ndihej i nënvlerësuar dhe i dështuar, sepse drejtuesit e kishin konsideruar të paaftë për punën që dëshironte të bënte. Më vonë, ai fillon punën si mësues letërsie në një fshat të rrethit të Librazhdit. Jeta e tij bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ai humbet shpresën, ndihet i përçmuar dhe i harruar nga të gjithë, duke menduar se jeta e tij nuk ka më kuptim.
Situata ndryshon kur merr vesh se këngëtari Seran Mejdani është arrestuar. Sandrit i lind ideja të dëshmojë kundër tij, me shpresën se kjo do ta ndihmojë të largohet nga jeta e vështirë që po bën. Kështu, ai vendos me vetëdije të bëhet dëshmitar i rremë dhe të shpifë kundër ish-shokut të tij. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në qytetin e Librazhdit, ku mbizotëron një atmosferë e rëndë frike dhe ankthi. Pushteti përpiqet vazhdimisht të zbulojë njerëzit që i konsideron armiq të sistemit. Përgatiten dosje, kryhen arrestime dhe jepen dënime të gjata me burg.
Në roman shfaqen personazhe që përfaqësojnë qëndrime dhe reagime të ndryshme përballë diktaturës. Ata vizatohen në një gjendje të vazhdueshme ankthi, sikur të paralajmërohet ardhja e një kataklizmi. Në këtë gjendje, askush nuk arrin ta ruajë ekuilibrin shpirtëror. Konflikti nuk shfaqet gjithmonë në mënyrë të hapur; ai është kryesisht i brendshëm, psikologjik. Edhe pse jeta e përditshme mund të duket e qetë për një pjesë të madhe të njerëzve, kjo qetësi është vetëm e jashtme. Ata ndihen të sigurtë për sa kohë nuk preken drejtpërdrejt nga pushteti, pa e kuptuar se një ditë mund të bëhen viktima të tij për një fjalë të gabuar, një qëndrim apo një shpifje.
Shkrimtari Bujar Skëndaj e ndërton romanin duke e përcjellë këtë atmosferë më tepër përmes nënkuptimit sesa përshkrimit të drejtpërdrejtë. Kjo dëshmon zotësinë e tij artistike, mënyrën se si i vështron dhe i interpreton dukuritë, si zgjedh teknikën e rrëfimit dhe perspektivën narrative, si dhe mënyrën se si i ndërton personazhet, duke i bërë ata të besueshëm dhe artistikisht të identifikueshëm.
Romani nis me Sandër Barajn, i cili duket sikur vjen nga thellësitë e errëta të nënvetëdijes së vet. Monologu, ose më saktë autodialogu që zhvillon me veten, na sjell përpara një njeri të rrënuar profesionalisht dhe moralisht. Ai kërkon ringritjen e vetvetes pa u brerë aspak nga ndërgjegjja. Kjo ringritje, sipas tij, mund të arrihet vetëm duke viktimizuar shokun e tij, i cili tashmë duket i kapur në çark. Sandër Baraj është një nga personazhet më të gdhendur artistikisht në roman. Ai të kujton një Jago apo një Uriah Hip: një tip njerëzor që ngjall neveri dhe pështirosje. Merita e shkrimtarit Bujar Skëndo qëndron pikërisht në aftësinë për ta bërë këtë ndjenjë kaq të fuqishme në përfytyrimin dhe përjetimin e lexuesit, deri në atë pikë sa të mendosh e të përfytyrosh, se deri ku mund të arrijë ligësia e disa njerëzve.
Shpifja e Sandër Barajt paraqitet si një veprim që, në logjikën e tij të shtrembëruar, ai e sheh si të domosdoshëm për të realizuar ambiciet e tij të mbrapshta. Ai nuk sheh rrugë tjetër: ose duhet të sakrifikojë Seranin, ose do të mbetet përgjithmonë i dështuar. I neveritshëm, servil, i duruar dhe i strukur në vetvete, duke kultivuar ligësinë e tij, Sandri krijon te lexuesi një ndjenjë të thellë pështirosjeje. Kjo ndjenjë përcillet me një forcë të tillë, saqë duket sikur lexuesi dëshiron të largohet edhe nga vetë fryma e tij e rëndë. Pa dyshim, kjo është meritë e portretizimit artistik, të realizuar nga autori përmes penelatave të hidhura dhe groteske.
Përkundruall tij ngrihet Seran Mejdani, këngëtar i talentuar, guximtar dhe me karakter të fortë, një njeri që duket jashtë kohës së vet, por që i përket plotësisht kohës së artit. E vetmja gjë që mund t’i konsiderohej e dëmshme në sytë e pushtetit ishte pikërisht ajo që kishte krijuar dhe interpretuar arti. Në atë kohë imponohej një model tjetër arti, i përcaktuar nga ideologjia dhe i nënshtruar ndaj saj. Arti i Seranit, përkundrazi, nuk i përshtatej këtij modeli dhe, për këtë arsye, u kthye në objekt ndëshkimi.
Akuzat ndaj tij, parë nga këndvështrimi i sotëm, mund të duken qesharake dhe absurde, por në atë kohë paraqiteshin me një gjuhë ideologjike që synonte t’i bënte të besueshme dhe të rrezikshme. Serani vihet nën trysni dhe përballet me dëshmitarë të rremë. Ai nuk është një hero i idealizuar, por një njeri me brengat, frikën dhe shqetësimet e veta, i cili papritur gjendet në rrethanat më të vështira të jetës së tij. Ai e kupton se, çfarëdo që të bëjë, nuk mund t’i shpëtojë dot çarkut, këtij qerthulli të së keqes ku është futur. Është i vetëdijshëm se tashmë është i shënjestruar dhe se diktatura e ka përcaktuar objektivin e saj. Megjithatë, edhe përballë një fati që duket i paracaktuar, ai përpiqet të mbrojë të vërtetën dhe dinjitetin e vet.
Autori ndërton kështu një antitezë të fuqishme artistike midis Seranit dhe Sandrit. Në njërën anë qëndron njeriu që, megjithëse i kërcënuar dhe i dënuar nga padrejtësia, ruan integritetin moral; në anën tjetër, njeriu që, për të shpëtuar veten, pranon të bëhet instrument i së keqes. Kjo përplasje përbën një nga boshtet kryesore të veprës. Një nga pjesët më të rëndësishme të romanit është zhvillimi i gjyqit, ku Seran Mejdani përballet me akuzat dhe me dëshmitarin e rremë, Sandër Barajn. Ky i fundit jep dëshmi të pavërteta kundër tij, ndërsa Serani e kupton se gjithçka është pjesë e një skenari të përgatitur më parë. Ai e përballon situatën me guxim dhe nuk pranon të nënshtrohet.
Gjatë gjyqit, Serani kundërshton akuzat e prokurorit dhe përpiqet të mbrojë të vërtetën. Ai nuk pranon të përkulet para padrejtësisë, ndonëse e kupton se vendimi ndaj tij është marrë që më parë dhe se pranimi apo mohimi i akuzave nuk do ta ndryshonte fatin e tij. Për Seranin, dëshmitarët më të rëndësishëm janë këngët e tij dhe dashuria që publiku ka treguar për to. Kjo ide shpreh besimin se arti mund të mbijetojë përtej dhunës dhe shtypjes politike.
Duke dhënë tiparet e atmosferës së kohës, autori vizaton me kujdes dhe natyrshmëri edhe personazhe episodike, si profesori Maliqi, i cili, me batutat e tij thumbuese, godet dukuri të ndryshme shoqërore të shfaqura në jetën e përditshme. Përmes këtij personazhi, të ndërtuar me zgjuarsi dhe finesë, autori dëshmon se është një njohës i thellë i realitetit të asaj kohe. Thumbat dhe shpotitë e Maliqit përmbajnë gjysmë të vërteta dhe të vërteta të hidhura. Ato trokasin në ndërgjegjen e njerëzve përpara se të mbërrijnë te veshët e përfaqësuesve të pushtetit. Në thelb, ato shprehin: pakënaqësinë, frikën dhe përpjekjen për të dekoduar realitetin absurd në të cilin jetojnë njerëzit.
Për shkak të batutave të tij, Maliqi arrestohet dhe më pas lirohet. Edhe ky episod ka një ngarkesë të fortë ironike. Partia, herë pas here, duhej të demonstronte edhe një lloj zemërgjerësie, për t’i bërë më të besueshme dhe më të pranueshme krimet e saj. Rastet e kësaj të ashtuquajture mëshire duhej të shërbenin si kundërpeshë ndaj ndëshkimeve më të rënda, duke krijuar përshtypjen e një pushteti që, krahas dhunës, dinte të tregonte edhe tolerancë.
Çetin Gjimema dhe Jasini janë personazhe, të cilët e plotësojnë tablonë e tmerrit dhe absurditetit të asaj kohe. Çetini dyshohet se ka shkruar një trakt kundër regjimit. Përpiqen ta zbulojnë autorin përmes një diktimi me shkrim, por nuk arrijnë ta identifikojnë. Më vonë, ai arrestohet dhe dënohet me shtatë vjet burg. Pas lirimit, vritet në rrethana të panjohura dhe askush nuk interesohet për të zbardhur vrasjen e tij. Fati i këtij personazhi dëshmon edhe një herë se sa e pambrojtur ishte jeta e individit përballë një sistemi arbitrar.
Jasini është personazhi që mbart delirin e shfaqur hapur. Në atë kohë, disa njerëz dukej sikur kishin një lloj licence për të qenë të çmendur. Ata dilnin hapur, flisnin pa u druajtur dhe askush nuk u kushtonte vëmendjen që do t’u kushtonte të tjerëve. Në të vërtetë, çmenduria nganjëherë shërbente si maskë, madje edhe si kurth për t’i nxitur njerëzit të flisnin lirshëm, me qëllim që të zbuloheshin pakënaqësitë dhe qëndrimet e tyre kundër regjimit. Jasini i përket pikërisht këtij mekanizmi të manipulimit dhe survejimit.
Të bën përshtypje në këtë roman edhe personazhi i kompozitorit, i cili ndërtohet si një idil i hidhur. Autori ka arritur ta mishërojë artistikisht figurën e Oltit, kompozitorit, i cili vjen në qelinë e këngëtarit si një vegim. Është ajo marrëdhënie e heshtur midis artistëve, të cilët e ndiejnë veten bashkë, edhe pse janë larg njëri-tjetrit. Autori ka arritur ta mishërojë artistikisht këtë trill poetik, duke i dhënë dramacitetin që krijojnë rrethanat e caktuara.
Skenat e gjyqit janë realizuar me vërtetësi dhe dramatizëm. Këngëtari mbron pafajësinë e tij, ndërsa dëshmitari i rremë vazhdon akuzat. Krijohet një antitezë e fuqishme karakterizuese dhe një prozë e ngjeshur me tension, ku replikat dhe shkëmbimet e fjalëve midis të akuzuarit dhe akuzuesve nuk vihen në peshoren e drejtësisë. Ky është një ndëshkim i hidhur për këngëtarin, por njëkohësisht edhe një gjyq ndaj së bukurës, së mirës dhe artit të vërtetë.
Konflikti kryesor i romanit zhvillohet midis Sandrit dhe Seranit. Është një konflikt i imponuar për Seranin nga koha dhe rrethanat historike, por njëkohësisht edhe një përplasje që zbulon thelbin e dy karaktereve krejt të kundërta. Sandri zgjedh tradhtinë për interesin e vet, ndërsa Serani përpiqet të ruajë të vërtetën dhe dinjitetin. Megjithatë, konflikti nuk kufizohet vetëm te këta dy personazhe. E gjithë jeta e asaj kohe është e mbushur me përplasje të heshtura, ankth, pasiguri dhe rreziqe të paparashikueshme.
Vendosja e Sandrit dhe Seranit brenda kësaj atmosfere vetëm sa e thellon dhe e mpreh konfliktin e tyre, duke e shndërruar atë në një përplasje me domethënie më të gjerë morale dhe shoqërore. Nëpërmjet fatit të tyre, shkrimtari Bujar Skëndo na sjell një tablo të një shoqërie, ku frika mund ta deformojë ndërgjegjen njerëzore, ku shpifja mund të bëhet mjet dënimi dhe ku ruajtja e dinjitetit kërkon një guxim të jashtëzakonshëm. Në këtë kuptim, “Dëshmitari i rremë” nuk është thjesht një roman për një artist të persekutuar dhe një dëshmitar që zgjedh të gënjejë. Është një vepër që depërton në mekanizmat e frikës, të nënshtrimit dhe të ligësisë njerëzore, duke zbuluar se si një sistem represiv mund të shkatërrojë jo vetëm jetën e individit, por edhe marrëdhëniet njerëzore, besimin dhe ndërgjegjen morale të shoqërisë.
Gjuha e romanit është e pasur me përshkrime, dialogë, humor dhe ironi. Autori përdor një mënyrë rrëfimi që ndërthur situatat dramatike me ato komike, duke krijuar një humor gri dhe të zi, përmes të cilit shpaloset një tablo e plotë e shoqërisë së asaj kohe. Kemi të bëjmë me një roman të shkurtër, por të ngjeshur në mendime dhe reflektime psikologjike. Fjalitë e shkurtra vijnë në funksion të përmbajtjes së tensionuar, ndërsa pyetjet retorike kërkojnë të ndriçojnë dilemat e personazheve.
Bujar Skëndo zotëron sensin e sendërtimit të një gjuhe të kultivuar, të mishëruar natyrshëm në përmbajtjen që sjell lënda e shtjelluar. Proza e tij, me dramacitet të theksuar dhe me një konceptim thellues të zhbirimeve shpirtërore, arrin të mishërojë dhe të përcjellë mjaft qasje ideore ndaj asaj kohe, pa humbur realizmin, autenticitetin e ngjarjeve dhe besueshmërinë e tyre. Vëmendje e veçantë i kushtohet përshkrimit të gjendjes shpirtërore të personazheve, mendimeve, frikës, dilemave dhe konflikteve të tyre të brendshme. Pikërisht ky përqendrim te bota psikologjike e personazheve i jep veprës një karakter të theksuar psikologjik.
Në fund, romani “Dëshmitari i rremë” na bën të reflektojmë jo vetëm mbi një periudhë të errët historike, por edhe mbi përgjegjësinë morale të individit përballë së vërtetës. Mëkati i Sandër Barajt nuk qëndron thjesht te një dëshmi e rreme, por te zgjedhja e vetëdijshme për të sakrifikuar një njeri dhe për të tradhtuar ndërgjegjen e tij. Kështu, kënga, e cila duhet të jetë shprehje e lirisë dhe e shpirtit njerëzor, kthehet paradoksalisht në shkak ndëshkimi. Por arti mbetet dëshmitari që nuk mund të heshtet, edhe kur drejtësia njerëzore është vënë në shërbim të pushtetit.
Vlorë-Tiranë, tetor 2026.