Albspirit

Media/News/Publishing

Apelon gazetari Zërit të Amerikës: Të rindërtohet shtëpia e Flamurit në Vlorë!

Gazetari i njohur i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto dhe një skicë unikale të shtëpisë ku u ngrit Flamuri i Pavarësisë, në 28 Nëntor 1912, nga Ismail Qemali.
Duke përcjellë pak nga historia e kësaj shtëpie, e cila tashëm nuk ekziston më, ai apelon…, “Aq kuptim të veçantë ka kjo shtëpi në historinë e Shqipërisë, saqë ajo vërtet ia vlen të rikrijohet në formën e mëparshme dhe kjo do të kushtonte shumë më pak se sa ndërtimi i një pallati”.
Postimi i plotë i Ilir Ikonomit

Shtëpia e flamurit
Kjo është ndoshta e vetmja foto që tregon nga përballë shtëpinë, ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli pavarësinë. Nuk kam parë ndonjë fotografi tjetër të kësaj shtëpie, përveç një skice dhe një pikture. Nëse vërtet nuk ekziston një foto nga afër, kjo për mua është misterioze.
Në kohën kur u shpall pavarësia, kjo ndërtesë historike dykatëshe, e quajtur selamllëk, pjesë e sarajeve të mëdha të Vlorajve, ishte pronë e Xhemil bej Vlorës, nipit të Esat pashë Toptanit. Ajo ishte 70 metra e gjatë, kishte një ballkon përpara dhe pikërisht në atë ballkon u ngrit flamuri.
Aq kuptim të veçantë ka kjo shtëpi në historinë e Shqipërisë, saqë ajo vërtet ia vlen të rikrijohet në formën e mëparshme dhe kjo do të kushtonte shumë më pak se sa ndërtimi i një pallati.
Saktësisht ajo ndodhej pranë vendit ku sot është varri i Ismail Qemalit me statujën e Flamurtarit.
Prapa saj ishte haremllëku, një ndërtesë e stërmadhe trekatëshe, që përdorej për jetën e përditshme: banim, gatim, rritjen e fëmijëve. Ekzistojnë disa foto të mira të haremllëkut, që është edhe shtëpia ku ka lindur Ismail Qemali.
Haremllëku trekatësh shpesh, dhe për arsye të pakuptueshme e ndoshta banale, ngatërrohet me shtëpinë dykatëshe ku u ngrit flamuri, edhe pse Eqrem Vlora, njëri ndër trashëgimtarët e hershëm të sarajeve, ka botuar një skicë të rrallë dhe me shënime që sqarojnë mirë e bukur çdo gjë.

Please follow and like us: