Marsela Sinani: Ku shkoi dashuria e LSI? Ç’po ndodh me integrimin?
Para se të shënonte data 25 qershor, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, buçiste me të madhe për zgjedhjet e lira, si një ndër kriteret kryesore për integrimin e Shqipërisë. Për të, zgjedhjet duhej që ti shërbenin konsolidimit të demokracisë në vend. “LSI duke nisur nga kryetari i saj, deri tek anëtari më i thjeshtë, kërkon që vendi të shohë nga e ardhmja”, apelonte më herët ajo. Po teksa rrjedhja e ngjarjeve ndryshoi, ndryshe nga pritshmëritë e LSI-së, Gjosha ka zgjedhur që të heshtë, e kjo shihet qartësisht edhe nga një vëzhgim i thjeshtë në rrjetin e saj social.
Edi Rama është i ndërgjegjësuar për rrugën në të cilën po marshon, e tashmë deklaratat e rrufeshme të saj janë veçse një rrugë pa krye. Që në fillim të qershorit, ajo u përfshi në amullinë e fushatës. Mes entuziazmit që e kishte përfshirë, Gjosha nuk nguroi t’i drejtohej indirekt Ramës, përmes ironisë. Ajo i kujtonte Ramës se kush mund të ishin pasojat kur shoferi humbiste drejtimin. Ishte koha kur të tre, Rama, Basha e Meta kërkonin drejtimin e timonit, aq shumë të dëshiruar. “Ja çfarë ndodh kur makina humbet kontrollin, nuk ka drejtimin dhe shoferin e duhur”, deklaronte ajo.
Ajo çfarë është trumbetuar ndër vite nga ajo mbetet integrimi, e tashmë pas zgjedhjeve, LSI duket sikur është tërhequr. Pyetja e cila na lind krejt natyrshëm është se cili është qëllimi i saj?
Arritja e një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës nuk ishte e lehtë, ndonëse kishte një sërë përpjekjesh nga ndërkombëtarët. Referuar zgjedhjeve, raporti i OSBE/ ODIHR foli me nota optimiste.
Në emër të delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, tha se janë të kënaqur pavarësisht parregullsive. “Theksojmë që PE mbështet plotësisht kërkesën e Shqipërisë për hyrjen në BE, me kusht që të gjitha kërkesat e bëra ndaj saj të jenë të plotësuara.
Është thelbësore që qeveria e re të mund të ecë dhe të bëjë progres përpara, me qëllim që të gjitha reformat, veçanërisht Reforma në Drejtësi dhe Vettingu të jenë të respektuara”, ka thënë ndër të tjera ai.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ajo çfarë na intereson është fakti se çfarë po ndodh me Gjoshën dhe insistimit të saj të vazhdueshëm për integrimin?!
Ilir Meta u kthye në simbol të dashurisë dhe qetësisë, por papritmas kur Rama dhe Basha gjetën qetësinë dhe dashurinë që Meta kishte predikuar, një situatë kaotike është krijuar me LSI-në.
Mos vallë tashmë jemi në kohën ku gjen terren qetësia? Edhe kjo mbetet për tu parë!