Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi 100 nëpunës padisin ILDKPI për gjobat e rënda

Më shumë se 100 nëpunës të administratës i janë drejtuar gjatë vitit 2017 Gjykatës Administrative për shkak të gjobave të kripura që u janë vendosur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.

Në paditë e depozituara nga nëpunësit rezulton se pjesa dërrmuese e tyre kërkojnë shfuqizimin e plotë të gjobave, ndërkohë që një pjesë tjetër kërkojnë uljen e tyre. Pjesa më e madhe e gjobave luhaten në kuotën e 200 mijë deri 300 mijë lekëve, por nuk mungojnë as gjobat e rënda që arrijnë deri në 600 mijë lekë.

Shkak i vendosjes së gjobave janë shkeljet e procedurave të deklarimit, ashtu si dhe vërtetësia e deklaratave personale të pasurisë nga ana e nëpunësve. Ndërkohë që duket se edhe ILDKPI nuk ka ndenjur duarkryq gjatë muajve të parë të vitit. Nga janari 2017, ky Inspektoriat ka depozituar në gjykatën administrative mbi 180 kërkesa për urdhra ekzekutimi.

Përmes tyre, Inspektoriati procedon me bllokimin e llogarive bankare zyrtarëve apo ish zyrtarëve të administratës shtetërore ndaj të cilëve është vendosur penalizimi me gjobë. Në rast se gjobat nuk paguhen brenda afatit, Inspektoriati autorizon shoqëritë përmbarimore të bllokojnë llogaritë e tyre bankare.

Sipas të dhënave zyrtare të ILDKPI, gjatë vitit 2016, janë kallëzuar penalisht për fshehje pasurie dhe konflikt interesi 72 zyrtarë, ndërsa 314 të tjerë janë gjobitur për shkelje të ligjit të deklarimit të pasurisë.

Please follow and like us: