Detajet e lidhjeve ushtarake Rusi-Serbi
Ja çfarë do të ketë në raportin e Sekretarit të Mbrojtjes të siguruar nga kongresisti Eliot Engel
Sipas tekstit të amendamentit të përfshirë në ligjin e ri për sigurinë kombëtare amerikane, një raport mbi marrëdhëniet Rusi-Serbi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë do të paraqitet jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e Aktit.
Amendamenti u shtua nga kongresisti Eliot Engel, që dëshmoi njëkohësisht edhe njëherë se mbetet i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në Ballkan dhe se ka fuqinë dhe autoritetin për të imponuar një mekanizëm të këtij lloji në administratën amerikane.
Raportin duhet ta hartojë Sekretari i Mbrojtjes në konsultim me Sekretarin e Shtetit dhe duhet t’ia dërgojë komiteteve kongresionale të mbrojtjes dhe Komiteteve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ja lëndët që do të përfshihen në raport:
(1) Një listë e sistemeve të armëve ruse dhe mjeteve të tjera të rënda ushtarake dhe teknologjike me vlerë 1 milion dollar e lart, që i janë dhënë Serbisë që nga viti 2012.
(2) Një përshkrim të pjesëmarrjes së forcave të armatosura serbe në stërvitjet dhe manovrat ushtarake ruse që prej 2012.
(3) Një listë të çdo marrëveshjeje të nënshkruara nga Serbia dhe Rusia, në fushën e bashkëpunimit të mbrojtjes dhe sigurisë që ka hyrë në fuqi që nga 2012.
(4) Një vlerësim se sa ndihetn të rrezikuara vendet që janë në kufi me Serbinë nga kërcënimi i forcave të armatosura serbe për sigurinë e tyre kombëtare.
(5) Një hetim për bashkëpunimin e spiunazhit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
(6) Një hetim mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
(7) Një hetim se si marrëdhëniet ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Rusisë mund të ndikojnë në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Serbinë në po këto fusha dhe në bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n.
Raporti do të jetë në formë të paklasifikuar, dmth që mund të lexohet nga publiku, por nëse është nevoja mund të shoqërohet nga një aneks i klasifikuar për t’u lexuar vetëm nga anëtarët e Kongresit që kualifikohen për lexuar sekrete ushtarake dhe të sigurisë.
“Ky amendament do të ndihmojë që Shtetet e Bashkuara t’i kundërpërgjigjen veprimtarive destabilizuese të Rusisë në Ballkan”, tha kongresisti Eliot Engel, nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe bashkëkryetar i Kaukusit për interesat shqiptare në Kongresin Amerikan.