Albspirit

Media/News/Publishing

Amendamenti i kongresistit Engel nis raportimin për veprimet ruse në Serbi

Në ligjin për Mbrojtjen Kombëtare për vitin 2018 përfshihen edhe katër amendamente nga kongresisti i njohur

 

WASHINGTON—Sipas ligjit të ri për Mbrojtjen Kombëtare në vitin 2018, Pentagoni do të fillojë raportimin e rregullt për marrëdhëniet ushtarake dhe të sigurisë ruso-serbe.
“Kjo do të ndihmojë që Shtetet e Bashkuara të kundërshtojnë veprimtaritë destabilizuese të Rusisë në Ballkan”, tha kongresisti Eliot Engel, nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ishte në fakt, një nga katër amendamentet që kongresisti Engel arriti të përfshinte me sukses në projekt-ligj që do të bëjë të detyrueshëm këtë raportim.
Vëzhguesit janë veçanërisht të shqetësuar nga roli i një baze ushtarake “humanitare” që Rusia ka hapur në Serbi. Serbia ka blerë gjithashtu armë nga Rusia dhe sjellja e kësaj të fundit në Ballkan tregon se po investon për destabilizimin e rajonit.
Dy ditë më parë, Engel ka bashkë-sponsorizuar edhe një rezolutë të kongresistit republikan Lee Zeldin që kërkon nga Serbia të bëjë drejtësi për tre vëllezërit shqiptaro-amerikanë, Bytyci, që u vranë në mënyrë kriminale në vitin 1999.
Engel është themelues dhe bashkë-kryetar i kaukusit për interesa shqiptare në Kongresin Amerikan. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: