Albspirit

Media/News/Publishing

“Vilsoni dhe Genci”, poetët e vrarë nga diktatura

Miranda HAXHIA

Në kopertinën e pasme të një numri të revistës Nëntori, organ i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, e cila u gropos në vitin 1976 pas arrestimit të vëllait të Vilson Blloshmit, Bedri Blloshmi, e që u nxor nga dheu (sikur i vdekuri të ringrihej prej varrit!) pas vitit 1991 lexohen vargjet që mbajnë nënshkrimin V:B.“dhe shpirti i të vdekurve me një pishtar/ vrapon, del i dalldisur nga humbja e ndjen vdekje/Hapësirës në çdo vend. /përzien krahë, flatra, me shpirtin tim/ mbi detin e qetësisë, mbi dallgë kalon/ takon një pikë nga lotët që rrodhën ujë/ dhe dhimbja ndrin argjend!” Vilsoni e parandiente vdekjen. Këtë e dëshmojnë gjithë përkthimet e tij prej poetëve francezë ku me vargjet tyre ai dëshmon gjendjen e parandjenjën e fatit të tij.

Duke përkthyer Rasinin ai shkruan: – “tani po shoh rremin edhe varkën fatale/ ndjej varkaxhinë e vjetër në brigjet infernale/ me padurim thërret: “po të presim, nxito! Hajde, gjithçka ëshët gati, zbrit shpejt, mos më vono!” Mes hyrjeve e daljeve të raftet dhe vitrinat e librit, mbetesh në kopertinën e librit “Vilsoni dhe Genci” të autorit Sadik Bejko. Autori, jo më kot, nuk e ka shënuar emrin e vet në krye, ashtu si rëndom do donte secili, pas një mundi dhe pune të lodhshme për ta sjellë gjithë historinë e këputur të dy poetëve në formatin e një libri lapidar, ku paksa nga rrezatimi i kësaj dëshmie të fortë, do të merrte edhe vetë lavdia e shkrimtarit kushdo qoftë ai. Mirëpo, në këtë rast kemi përplasje të fateve, kemi kryqëzime të së njëjtës kohë, të së njëjtës diktaturë e cila dy poetët i dënoi me plumb, por poetin shkrimtar, publicistin, studiuesin, vet autorin e librit e dënoi sipas parametrave që caktonte po ajo lloj mynxyre. Degdisur në zgafellet e minierës për të varrosur çdo rimë, çdo figurë, apo çdo simbol që drithëron poetin e çdo vendi e të çdo kohe. Mosvënia e emrit të Sadik Bejkos me vet dëshirën e tij në kopertinë, është një lloj dhurate që autori, heshturazi, ashtu si dinë njerëzit e urtë e të mençur, u bën dy djemve që nuk provuan as plakjen, as shijen e ditës së lirisë, as ëndrrën për të botuar një libër me vjershat e tyre. Kjo mjafton që të hapësh librin me një mal respekti për njeriun që e shkroi, për lodhjen e tij, e cila erdhi e copëzuar edhe tek ne, miqtë e tij, sipas deformimeve dhe paragjykimeve me të cilat është e mbarsur bota e madhe e botimit të librave. Ndonjë shtëpie botuese nuk iu duk libër i mirë, pasi sipas paradigmës së tyre: mjaft u shkrojt për krimet e diktaturës…?!” Ndonjë tjetër shtëpi botuese nuk pa fitime të mëdha dhe nuk gjeti njerëzit e duhur për ta marrë përsipër botimin e tij. Ndërsa, për sa kohë enden shkrimtarë në hullinë e pafund të medias së shkruar, për sa kohë ka njerëz që këmbëngulin në dënimin e krimeve të komunizmit dhe vlerësimin e kohës që përçudnoi jetët tona, libri nuk mund të vdiste. Ai u botua nga shtëpia botuese 55 nën kujdesin personal të Fahri Balliut. Dhe dy emrat e poetëve të vrarë në krye të librit “Visoni dhe Genci” qëndrojnë duke lëshuar rreze drite që vijnë prej errësire të thellë vrastare në stendat e panairit, duke tentuar që dalëngadalë të hyjnë në kujtesën dhe në historinë e këtij kombi të marrë nëpër këmbë. Një komb pa kujtesë nuk mund të jetojë gjatë, por një komb me kujtesë të shkapërderdhur prej pseudo historianëve dhe pseudo politikanëve që e përdorin historinë si shami që hidhet sipas drejtimit të erës së interesave të vogla, është më pak se një komb, është një skllavëri e pafund. Ndaj, këmbëngul që libri “Vilsoni dhe Genci” duhet lexuar edhe më tej se njerëzit kuriozë ndaj letërsisë. Duhet ta lexojnë nxënësit nëpër shkolla, politikanët në kohën e tyre të lirë (jo pas gogësimave të drekave e darkave monstruoze!) , duhet ta lexojnë ata që ende janë gjallë dhe hiqen si të vdekur. Ky libër nuk ka nevojë vetëm për një lexim. Nëse Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në promovimin e këtij libri mblodhën pesëdhjetë miq, le të shpresojmë që pas pesë vjetësh të jenë bërë pesëqind, pesë mijë apo më shumë. Libri “Vilsoni dhe Genci” hapet me një parathënie të mrekullueshme nga shkrimtari Ismail Kadare. Askush nuk do t’i bënte më mirë hije se fjala e shkrimtarit që shkroi “Përbindëshi”-n, apo “Pallati i ëndrrave”. Vetëm filozofia e tij rrënqethëse do të sistemonte ndjesitë tona në të lexuar, duke u përqendruar në hapësirë, kohë dhe lartësi të kësaj drame e cila, megjithëse zhvillohet në një fshat të humbur të Librazhdit, thelbin dhe kokën e vet e ka në folenë ku “grerëzat” e sigurimit të shtetit thurnin intrigën kundër poetëve dhe familjeve të tyre. Nuk mund të duronin hienat një familje me traditë që sfidonte lehtë injorancën e tyre. Nuk mund të duronte diktatura që në një humbëtirë të lexohej e shkruhej frëngjisht, në gjuhën e Hygoit, të Bodlerit, të Malarmesë, Bualosë, etj.etj. Diktatura në kulmin e ekstazës dhe çmendurisë së saj të zezë donte edhe kokën e poetëve. Donte vdekjen e tyre. Dhe askush nuk mund të ndihmojë në vrasje ne poetëve më shumë se vet poetët, ata që rimat e vargjet e tyre, që librat e tyre, që studimet e tyre i ngjyen me gjakun e dy poetëve të pafajshëm duke u shndërruar në mëkatarë. Ismail Kadare në parathënie shkruan se kohë për krim nuk ka pasur kurrë në botë, por ka pasur doktrina e njerëz vrastarë që, për fat të keq, vërtiten ende midis nesh. Një armatë e tërë sahanlëpirësish përpiqen sot ta ndihmojnë diktaturën e rrëzuar të fshehë tmerret e saj. Këta janë ish- informatorë të saj, ish- spiunë denonciatorë, që kanë zënë vend në mekanizmat e pushtetit, të profesoratit, të diplomacisë, të mediave e natyrisht të biznesit. Libri “Vilsoni dhe Genci” është shumëdimensional. Ai është dëshmi e një krimi i cili duhet të njihet si krim i kryer nga truri i diktaturës që vet e ngjizte dhe vet e kryente lemerinë. Ky libër është dëshmi e një krimi që ka fundin e vet në natë ne shtatëmbëdhjetë korrikut 1977, kur këpucët e Vilsonit dhe të Gencit nuk ishin më tek dera e qelisë së tyre dhe plaku bashkëvuajtës i qelisë së Vilsonit i përcolli vëllait të vet, edhe ai i burgosur fjalët e fundit të Vilson Blloshmit:- i thuaj Lalës, Hasanit, se nuk kam bërë asgjë nga ato që u thanë në gjyq. Se nuk kam pranuar asgjë. Vilsonin dhe Gencin i pushkatuan tek vendi i quajtur Përroi i Firarit, një rrëpirë e mënjanuar dhe e shkretë, në një të përpjetë, pak nën majën e malit të Zgarës, gati dhjetë kilometra larg qytetit të Librazhdit. Vargjet e tyre u varrosën bashkë me flokët, sytë, gojën zemrën. Uji që rrodhi për mote diku nj shembje dheu e i lau eshtrat e poetëve duke i nxjerrë sipër dheut, sikur të ngriheshin sipër rënkimeve dhe dhimbjes së madhe. Duke lexuar e rilexuar librin “Vilsoni e Genci” të Sadik Bejkos, pikërisht në pjesën ku shfaqet monstruoziteti i turmës së injorantëve përballë njerëzve që vinin nga familjet e mëdha e me kulturë, më vjen në mendje libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” i cili, kujton se si turma i gjuante me gurë priftërinjtë në vitin 1967 e analizon se vetëm nga një popull i paditur e i pakulturuar mund të presësh këto veprime. Është po ajo situatë e cila përsëritet në çdo rast ku gjenden “sabotatorë”, “armiq”, “kulakë”. Skema e diktaturës dhe levave të saj është e njëjtë. Vetëm ndërrojnë njerëzit e shënjuar për tu zhdukur, familjet për tu shkatërruar e ofiqet e shpërblimet për mëkatarët e vërtetë që pagëzojnë veten e tyre duke i zhytur duart në gjak. Në këtë libër, autori ka përmbledhur gjithë shënimet, vjershat, përkthimet e dy poetëve për të bërë akoma më të qartë pafajësinë e tyre, apo fajin e madh pse e donin të bukurën dhe artin. Këtu janë edhe vjershat që përcaktuan vendin e tyre përballë plumbave. Këtu është “Saharaja” e famshme e cila nuk i shkonte për shtat diktaturës, por që vet ky vend ishte një lloj Saharaje për poetin. Poezitë e tyre, letrat dhe përkthimet rrëfejnë se njerëzit që duan jetën, që duan të ardhmen, që e duan të bukurën, e gjejnë edhe në honet e humbura të fshatit ku qenë të destinuar të rronin. Si për të lënë pauzën e nevojshme për gjithë rebelimin e lexuesve, autori në fund të librit ka sjellë gjithë procesin gjyqësor e dëshmitë që ndihmuan për vdekjen e poetëve të Librazhdit. Më tej, lexuesi, patrioti, njeriu i mirë i kësaj kohe reflekton vetiu. Sepse kjo kohë e turbullt ka nevojë për reflekse të mençura dhe të urta, pasi diktatura mund të ringrihet sërish, nëse ne ndihmojnë që ajo të mos vdesë përfundimisht. Ky libër ka nevojë vetëm për kujtesë, vetëm për urti, nuk ka nevojë për urrejtje, nuk ka nevojë për revansh. Nëse urrejtja e mbyt kujtesën, është njëlloj si ti rivrasësh edhe një herë poetët. Tashmë, eshtrat e dy djemve u “ngjizën” prej fillimit në librin e Bejkos, shpirti i tyre kishte nevojë vetëm për zemrën të regëtinte sërish, e ky rit po kryhet pak e nga pak. Në fillim memoriali me dy portretet e memorialit të realizuar me mjeshtëri nga Sadik Spahia, libri i punuar për më se dy vjet prej Sadik Bejkos, dhe botimi dinjitoz prej shtëpisë botuese 55. Mjafton respekti ndaj dy të vrarëve dhe librit që u shkrojt për ta, që ta rendisin në shtëpitë botuese të çmuara për një vend ku vlera e librit dëshmi e kohës antishenjë është e rrëmujshme dhe e keqkuptuar.

 

5.11. 2006

 

Please follow and like us: