Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Në birucat e Sigurimit të Shtetit

Fragment nga romani: “Rini e copëtuar”

Qelia ku më mbyllën ishte nën rampën e shkallëve. Kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste, sikur pëshpëriste:
– Hej, kush jeni?
Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe munda të ngrihem me mundim. Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ” L “. Në dritaren e portës së saj pashë fytyrën e një burri.
– Ujë! – i thashë me gjysmë zëri
U mundua të më jepte shtëmën e vogël që kishte, por atë nuk e nxinin hekurat, Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri të pija ujë me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi përsëri dhe e përpiva edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën herë dhe më tha:
– Laj fytyrën!
U lava. Ndjeva se uji më solli në jetë. Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa, mori një batanie dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.
– Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja.
E mora dhe u mbulova. Pas pak më zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. Ishin hapat e rojeve. Dola në dritare dhe i fola komshiut. Filluam të bisedojmë Ishte Imer Rakipi nga Gjormi, i ati i Neki Imerit, ish komandant partizan i vrarë po nga ata.
U ula në një qoshe dhe fillova të vështrojë qelinë. Nga drita e paktë që hynte nga dritarja, vura re disa shënime të bëra me gërvishtje në mure. U afrova dhe lexova njerin:
“Këtu u dergj Gogo Zhupa!”
Kush ishte ky Gogo Zhupa që ishte dergjur aty? Gjatë kohës që qëndrova në burg nuk takova njeri me këtë emër. Ata që e kishin njohur më thanë se ishte nga Himara.
Më tutje një shënim tjetër më i gjatë:
“Nënë e dashur!… Më fal!… Po vdes … me brengën… se po të lë vetëm…Kriminelët më… kanë sakatosur… ashtu si bënë… edhe me babanë…Më fal o nënë… se të kam…shqetësuar…!”
Petr..“
Emrin nuk kishte mundur ta përfundonte. Çfarë e quanin? Petrit, Petrika, Petraq, Petref apo ndoshta Petro? Si duket vdekja nuk e kishte lejuar të mbaronte emrin e tij.
Duke lexuar këto shënime mendova:
– Si duket këto qeli qënkan për të vdekur! Po unë a do të shpëtojë?
Mendja më shkoi te shkolla. Atë ditë ishte hartimi. Para syve më dolën shokët dhe shoqet e klasës. Në atë moment ata po shtjellonin temën. Kurse unë dergjesha në atë qeli, prej nga nuk dija në se do të dilja dot i gjallë. A mund të kishte temë më të dhimbëshme se gjendja në të cilën ndodhesha? Një ndienjë melankolie më mbuloi.
dukej sikur shikoja fytyrën e Nerit. Kjo ndienjë ma shtonte më tepër dhimbjen.
Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte me të madhe kur i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike.
– Sa më qenke zbukuruar me këtë ngjyrën e kuqe! – thoshte duke u ngërdheshur si ndonjë përbindësh, kur i shihte viktimat të gjakosura.
Tetar Vlashi nuk ishte i keq si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Në përgjithësi, sillej mirë, sidomos me mua që më njihte.
Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut, vëllait tim. Kishte krijuar bindjen se duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arritëm kurrë të kuptojmë se për ç’arësye dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut, Shefqet Xhikun. Na torturonte për të na detyruar të pranonim se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Ne nuk kishim si të pranonim. Ishim të detyruar të duronim torturat.
Një natë po flija në qelinë time. Ndjeva një goditje të fortë në këmbë. U ngrita i tronditur. Para meje qëndronte kapter Myfiti
– Çohu! – tha me një zë të ashpër – Po të pret xhelati.
– Xhelati? Cili xhelat? – e pyeta unë.
Bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:
– Do ta shohësh kur të shkosh lart.
Më shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.
– Qëndro aty.! – foli duke treguar qoshkun e murit.
Unë rrija i heshtur. Isha dobësuar jashtë mase. Nuk kisha fuqi të qëndroja në këmbë. U mbështeta pas murit.
– Mos u mbështet! – tha me një ton urdhërues pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara. Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si mbaroi punë, u ngrit dhe u drejtua nga unë:
– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?
E vështrova i habitur. E ku i kishin mbetur florinj tim eti pas gjithë atyre peripecive që kishim hequr. Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.
– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.
– Ashtu, nuk do të tregosh? Ti di edhe vrimat e miut që janë në shtëpi.
– Ato i di, por florinj im atë nuk ka.
– Mirë, më qafë paç veten!
Më lidhi duart me hekura dhe m’i shtrëngoi fort. Më shtriu në tokë dhe filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi kishte. Shikoja krahët e tij që hapeshin me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë
– Hë, fol, ku janë florinjtë?
Dhimbjet ishin të tmerrshme. Nga hundët filloi të më rridhte gjak. Kjo gjendje vazhdoi për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva
dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.
Isha në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë më çfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. Para syve më dilte portreti i Fatushes, motrëe time, që më jepte kurajo, por ai zëvëndësohej menjëherë me atë të Demirit që më kërcënonte.
E mblodha veten shpejt dhe thashë:
– Bëhu burrë dhe mos turpëro veten!
Kjo gjendje vazhdoi deri në mëngjes.
Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi gjatë dhe në fund më pyeti:
– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?
Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha. Po rrija i menduar pa i kthyer përgjigje.
– Hë, si thua? – vazhdoi ai.
Vendosa t’i thoja të vërtetën:
– Aspak.
Përgjigja i erdhi e papritur. Më vështroi me inat dhe pastaj më tha;
– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.
Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:
Deklaratë
Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:
Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.
Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuarsepse janë deponimet e mija.
Reshat Kripa
Vlorë më 11-VIII-1951
Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli më tha:
– Kështu ti dashke anglo-amerikanët?
– Po, shqiptarët dhe anglo-amerikanët. Ata janë aleatët tanë. – iu përgjigja.
– Aleatët e sat’ëme apo tyt’eti?
Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.
Një ditë u hap porta e qelisë dhe tetar Vlashi më tha:
– Merr rrobat dhe eja me mua!
I mblodha ato pak rroba që kisha dhe u nisa pas tij. Kur mbërritëm te qelia numër shtatë, qëndroi, hapi portën dhe më tha të futesha brenda. Ishte një qeli më e madhe se e para. Kishte dimensionet 3 X 2 dhe lartësi 3 metra. Në njerën anë të saj ishte shtrirë një burrë rreth tridhjetëvjeç. Ana tjetër ishte bosh, Përshëndeta mikun e ri dhe vendosa rrobat në vendin bosh. U ula dhe filluam të bisedojmë. Më pyeti nga isha dhe përse më kishin arrestuar. I tregova. E njihte tim atë. Kishte prurë ullinj në fabrikën tonë. Pastaj e pyeta edhe unë. Ishte nga Dukati. E quanin Halo Çanaj. Ishte arrestuar pasi kishte strehuar disa të
arratisur. Kishte qenë ushtar me çetat e Ballit Kombëtar.
Halua më përmendte betejat e Gjormit, Drashovicës, Selenicës dhe të tjera. Më fliste për Termopilen shqiptare, luftën e Grehotit me italianët ku u vranë komandanti Hysni Lepenica dhe tridhjetepesë burra të tjerë. Më fliste për Skënder Muçon dhe dy shokët e tij që i pushkatuan gjermanët, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë.
– A ke dëgjuar për ndonjë betejë tjetër ku të kenë rënë komandanti dhe
tridhjetepesë trima të tij? – më thoshte me krenari.
Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Më tregonte edhe për fillimin e vëllavrasjes, për luftën e Dukatit, ku forcat nacionaliste u sulmuan pabesisht nga partizanët:
– Ishte fundi i nëntorit të vitit 1943. Kishte kaluar mesnata kur u zgjuam nga krisma e armëve. U dha kushtrimi. Ishim sulmuar pabesisht nga dy batalione partizane, ai “ Asim Zeneli “ dhe “ Halim Xhelo “. Burrat e fshatit, nën komandën e Maliq Koshenës, rrëmbyen armët dhe filluan të mbrohen. U zhvillua një betejë e përgjakshme. U vranë njëzetetre djem, katërmbëdhjetë nga partizanët dhe nëntë nga ballistët.
Ka mbetur si legjendë debati i zhvilluar ndërmjet partizanit Myrto Sadiku nga Tërbaçi dhe ballistit Murat Bodo nga Dukati. I pari foli Myrtua:
“Hidhe armën, fashist i ndyrë!”
Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:
S’jam fashist, por i Dukat,
As ti rus, por i Tërbaç,
Por na qenka taksirat
Që na vjen dhe vret në prag!
U qëlluan të dy zjarr për zjarr. Në këtë betëjë u vranë 23 veta, 8 nga Ballistat dhe 15 nga partizanët. Dukati i qau të rënët pa dallim. Ai i varrosi të dy palët sipas zakonit shqiptar. Nënat dukatase i qanë njëlloj bijtë e Shqipërisë:
Korba, na u vranë djemtë,
Ca këtu e ca në çetë.
Ca këtu, ca në parti,
Vaj medet, o Shqipëri!
Komandantin tonë, Maliq Koshenën, e pushkatuan komunistët vitin e kaluar. Halua heshti. Kujtimi i asaj ngjarje e tronditi tepër.
Për herë të parë dëgjova një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë e dëgjova nga goja e një luftëtari të thjeshtë nacionalist, një njeriu të pa shkollë, por me një zemër të madhe Tregimi i thjeshtë i Halos, pa shtirje dhe me sinqeritet të dukshëm, filloi të ndryshojë mendimin tim për atë periudhë të historisë dhe ata personazhe që u bënë heronjtë e saj.
Pas gjashtë muajsh e gjysmë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit. Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halua, Imeri dhe katër të tjerë, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.
Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe antarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi. Prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë pretencë, midis të tjerave thuhet:
“Të tre të pandehurit bashkarisht, në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një
grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.\
Në fund të mbledhjeve merrnin vendime për të shtuar rradhët e grupit. Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi. Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.”
Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.
– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë
Të njëjtën përgjigje thanë edhe shokët e mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhet:
“Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin. U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari” Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjene fletushkave me përmbajtje antipushtet”.
Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.
Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:
Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.
Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

 

Image may contain: 1 person

No automatic alt text available.

Image may contain: text

Image may contain: text

Please follow and like us: