Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Lame: Nous sommes Scanderbeg

Ndërsa bëra sot paradite një status për çështjen e raportit tashmë të përvitshëm Bajram – Skënderbe, me kalimin e orëve fillova të kuptoj një fenomen që sa vjen e rëndohet. Dikush e ka nisur që vjet me këtë temë, duke shkruar se Skënderbeut ju ulën në gjunjë turqit e rinj, dikush më shkruante mua duke më thënë “ai heroi yt” (dhe këtu kuptohet edhe qëndrimi i tij ndaj Gjergjit të shkretë; një tjetër që nuk i sheh dot me sy islamikët, propozon që të ndalohet emri Skënderbej dhe të thuhet vetëm Gjergj Kastritoti, duke harruar që vetë Gjergji e quante veten Skënderbe; një tjetër nëpër forumet disi të pozicionuara shkruante se edhe një hap na ka mbetur për ta hequr kaurrin; një tjetër (Mero më duket) propozonte që Bashkia të bëjë një rregullore për aktivitetet që lejohen në shesh, duke harruar se kjo rregullore do ngjante më shumë me Dekretin gishtfshehës të Ramizit më 1991 për të mbrojtur monumentet dhe me të cilin halli ishte vetëm te ato të Enverit; një jetër mallkonte by… e ngritura përpjetë; ndërsa një tjetër i lumturohej me ekstazë sheshit të mbushur plot e përplotë.

Fundi i muhabetit, ka një tendencë të frikshme që po nis ta transferojë Skënderbeun nga një simbol nacionalist në një simbol fetar. Dhe meqë si nacion jemi një dhe kështu Skënderbeu na bashkon, si fe jemi katër dhe këtu Skënderbeu bëhet sebep sherri.

Rilindasit (ata të para një shekulli e ca) e dinin mirë se me ç’milet kishin të bënin. Kur ja ofruan Skënderin miletit arnaut u kujdesën bukur fort dhe me një sukses të admirueshëm t’ia fshihnin fenë. Ndër qindra imazhe, piktura, kartolina, medalione, grafika, posterë e pamflete patriotike të kohës, nuk gjen asnjë element fetar tek pamja e heroit. Për të kuptuar diferencën, mjafton të shikoni imazhin e e kujtdo heroi nacionalist të kohës ndër kombet e tjera që po zgjoheshin lart e poshtë dhe që ishin të mbrujtur me elemente fetare të krishtera apo islame sipas rastit. Zogu dhe Enveri më pas, e perceptuan mjaft qartë këtë mesazh dhe vijuan së njëjtës udhë. Megjithëse disi i mitizuar dhe klishe, Skënderbeu mbeti një figurë bashkimi afetare, bashkë me gjithë klishetë e tjera me të cilat jemi mbrujtur se luftoi për lirinë e vendit, se bashkoi popullin, e plot mite nacional-rilindase por pozitiviste.

Aq ishim të sigurtë në këtë perceptim, saqë askush nuk e vuri në dyshim se pas vitit 1990 mund të ndodhte ndonjë gjë që të cënonte figurën dhe funksionin bashkues identifikues të Kastriotit të Madh. Mirëpo tani në distancë çerek’shekullore, duhet të pranojmë të gjithë (të paktën ata që ndjejnë përgjegjësi publike dhe morale) që diçka shkoi keq. Tashmë për fat të keq, Skënderbeu ka filluar të perceptohet edhe si figurë me një ngarkesë religjoze të caktuar. Dhe jo rastësisht që, gati të gjithë ata që e shohin pa qef janë muhamedanë, ndërsa ata që e kanë inatin me Islamin e sotëm radikal e shohin si hero të tyrin Gjergjin. Dikush ngrihet të thojë se ai s’është heroi im sepse ka vrarë myslymanë (dhe meqë ra llafi dhe për t’i qetësuar të këtillët, Gjergji nuk ka vrarë vetëm myslymanë, por edhe të krishterë e katolikë pa hesap, sa here puna ja desh këtë punë). Ndërsa në krahun tjetër, s’ka ca vite që një prift zellant katolik deshi të bënte një meshë te vendvarrimi i Heroit në Lezhë.

Please follow and like us: