Albspirit

Media/News/Publishing

DOKUMENTI/ ‘Sigurimi po më torturon’, letra që i lutej Enver Hoxhës ta shpëtonte

Një letër drejtuar Enver Hoxhës në maj 1949, dëshmon natyrën mizore (përmes kërcënimesh e torturash), të funksionimit të Sigurimit të shtëtit gjatë viteve të regjimit komunist. Rekrutimet me forcë  janë dëshmuar përmes shumë dokumenteve, por kjo letër sjell edhe një dëshmi të drejtpërdrejtë se si torturoheshin e kërcënoheshin ata që rekrutoheshin pa dëshirën e  tyre nga Sigurimi i Shtetit. S.N, një nënpunës i thjeshtë deri në vitin 1944, pas çlirimti të vendit kishte nisur të punonte aty ku i pëlqente, por s’do të vononte shumë dhe qetësia në jetën e tij do të merrte fund.

Ai do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit  në nëntor 1947 dhe do të shtrëngohej të punonte për ta  përmes “torturave morale” dhe kërcënimeve të shumta.

Duke mos dashur “ta kryejë këtë punë” dhe pasi kishte shkruar letra deri tek drejtuesit më të lartë të Sigurimit të Shtetit, pothuaj pas dy viteve pas arrestimit të tij, ai mendonte se do të gjente shpëtim tek Enver hoxha.

Ai i shkruan në letër Hoxhës të gjithë detajet e historisë së tij dhe i lutet ta ndohmojë që  “të mos i binin më në qafë dhe ta linin të lirë… ”

Dokumenti ruhet në AQSH bashkë me dokumente të tjera të kësaj natyre, që dëshmojnë metodat e dhunshme përdorur nga Sigurimi i Shtetit sidomos në periudhën kur drejtohej nga Koçi Xoxe. Më poshtë e sjellim të plotë për lexuesit tanë.

Dokumenti i plotë

Sh. Enver,

Më 1932 mbarova licen e Korçës dhe pasi bursë nuk më dhanë, me mundime e sakrifica, dyke qenë njëkohësisht sekretar komune, bëra 2 vjet Droit n’Universitetin e Athinës (Greqi). Më 1937 për shkaqe financiare i lashë studimet fare. Kam qenë i mirë  në lettres, zotëroj mirë gjuhët frëngjishte, italishte, greqishte dhe pak inglishte.
Prej 1933 deri më 1939 kam qenë sekretar komune; prej vitit 1940 deri në vitin 1944 kam qenë kryetar komune, por mund të mburem se jam i pastër nga çdo gjë; asnjë faj nuk rëndon mbi ndëgjegjen t’ime. Kam qenë i harruar nëpër viset më të vështira të vendit t’onë si Pukë, Mat, Mirditë e Lumë po kudo kam mbajtur sjellje të mira nga çdo pikëpamje. Punonja, mbanja familjen dhe studjonja. Meritonja shumë më mirë se sa sekretar komune e kryetar në vendet më të këqija.

Me ardhjen e Pushtetit Popullor nuk humba asgjë, përkunrazi përfitova shumë; nga nëpunës i harruar nëpër shkretira, u bëra sekretar i parë në Ministrinë e Shëndetësisë, dmth, për të parën herë mora vendin që meritonja dhe fillova të jetoj në qytet dhe bashkë me familjen t’ime. Edhe unë në Ministri kam punuar pa u kursyer dhe punën t’ime e dinë të gjithë ata që janë në dikaster.

Pa pritur dhe pa kujtuar, me 24-XI-47 më arestoj oficer i Sigurimit ka. A. Fa., mua që nuk kisha bërë gjë prej gjëje, që nuk isha as menduar keq për Pushtetin t’onë. Të kisha faj nuk do të më vinte aspak keq.
Atë natë, ky me presione e kërcënime më imponoj një punë që nuk e bëj dot, që më ka prishur qetësinë e shpirtit dhe që më ka minuar shëndetin kaq sa një muaj pas kësaj date u preka prej tuberkulozit dhe u detyrova të le punën në Ministri dhe të vij me shërbim këtu në Sanatorium.

Për 9 muaj resht, deri sa dolli Rezolusioni i Informbyrosë i përmenduri më ka trajtuar shumë keq me tortura morale dhe me lloj lloj frikësime, nuk m’a merte kurrë mëndja që të më katandisnin kështu; shpirti im e din sa kam vuajtur, por guri pëlcet dhe njeriu jo; kur e kujtoj këtë gjë zemra më dridhet; ky më është bërë i efialt.

Për këtë akt arbitrar, të paligj unë ahere protestova me letër ne Nesti Kerenxhi, po nuk më dëgjoj njeri.

Tani vij e të lutem ty shoku Enver për këtë gjë, dua që asnjeri të mos më bjerrë më më qafë, dua të roj edhe unë i lirë si gjithë qytetarët e tjerë të Republikës t’onë Popullore.
Me nderime shoqërore
V.F.L.P.
S. N.
….
Tiranë, më 14 maj 1949 /shqiptarja.com

Please follow and like us: