Ruzhdi Gole: METEOROLOG
(skicë)
O shkurtabiq, o shkurto, o gjatosh i të shkurtërve, k’ce njëherë rrumbullak!
Oooo, k’ceve? Po ku je tani? S’të shoh? S’ta ndigjoj zanin? Ooo, ja ku qenke, sipër e poshtë një reje (afër teqeje), sipër e poshtë një flakëze (thellë vashëze), poshtë një oxhaku fyelltar?…
Si u ngrite nga poshtë përpjetë, të thërriti teqeja, ndonjë qyngj çatie, të thërritën retë?
Sa bëhem gati ta mas me sy së nalti shkurton ai kthehet anash n’ajri. Koka i shtrihet nga bregu, këmbët nga kodra. Ulet, ngjitet, gufon, diku as ngjitet, as nuk zbret. Ngadalë – ngadalë përhapet gjithandej pafund pllajnajë e hirtë ajrore.
Gjithçka gjallërohet kur i vjen afër era e i ledhaton flokët, i puth sytë, i fishkëllen butë në vesh dhe i heq çorapet e vapës.
Ta shohësh shkurton ahere… pupthi-pupthi, më i hareshmi sikur s’është i këtushmi, ta shohësh degë-degë të hareshmin, sikur s’është gaz veç sot por dhe nesërmi. Ta k’qyrësh nesërmi si i qeshin edhe flokët, edhe thonjtë.
Era e rrëmben butë edhe vrullti, me ledha e fshikuj aq sa shkurtoja i vogëlth e pllajnajë nuk di nga t’i’a mbathi, nuk di ku të fshihet. Të marr përpjeta nga kodra ka frikë se gris e shqep penjtë e tij të hirtë tek halat e pishave dhe bredhave, ka frikë se rrxohet tek ndonjë gropë që e hapi papritur nata dhe nuk e mbyll dot gjithë dita e lume. Kjo pllajnajë dhe shkurto bashkë po të zbresin tek bregu i detit mund të ftohen keqas nga grykët ose të zhyten në dallgë pa vetedije dhe horizont.
Të jetë ky shkurto pllajnaja që k’cen në qytetin tonë blojë e të pablojë?
Shkurtoja gëzon fat, fat fitimtar. Suferina nuk e zë, se ai i dredhon fshikujve të saj, nuk i tut asnjë qerpik,
rrufeja nuk e mbërrin se ai mblidhet krruspullti mbi ca rrënoja të pagoja
mbetur rrethrrotull nga Vila mbretnore, tash aq jetime sa s’ia beson askujt rringjalljen e saj ko(m)bëtare.
Ky shkurtabiq, me dhe pa të liq, (secili e gjen vet cili është,) nuk ia thotë
askuj’ të vërtetën se ia vjedhin shpejt origjinalitetin e befasisë mjedisore.
Agu është harta natyrore plot dritë e paramëngjesit. Në paramëngjes agu jetnon mes nesh, brenda e tej nesh meterolog natyror për detin, qiellin, qytetin me amfiteatër.
Vrapi i agut i gëzon të shumtit. Ky vrap urban – lokomotivë (e qëmotshme?) me një shigjetë të padukshme në krye i nxit’ e i ndërron kahjet urbane, i afron dhe i ndan ato, kurrsesi nuk i shuan e s’i tret.
(Po perëndimi?)
Vërdallosja tërheq këmbët zvarrë e herë si pupël. Vërdallosja, ky hi i bredharakut, bredhëron sa andej-këndej me be e belara se ai vuan, jeton vorfën, se xhepat ia merr edhe flladi e kur ai është përgjumsh në mes të ditës ia vjedh qindarkat.
Vërdallosja cingëron e thatë, kërcure, e pa vaditur. Ushqehet mjerisht, jo aq mjerisht, gojon e përgojon shumë, shqyhet llupëse anekand.
Shquhet për kërcimet dhe përdredhjet e saj. Lum e mjerë kush vërdalloset!
Shpalosja e së vërtetës është e hidhur, e rëndë, kërcënuese, e bëftë. Kjo shpalosje shpartallon bredharakun dinak e më dinak me buzagazin më të helmët.
Dikush, i dikurshëm sa më s’ka, (para)thotë se ky shkurto rrethohet nga hiri tribal. Dikush, i këtushëm, (para)ndjen se i hirnosuri kallkanoset e zjarrmon çdo frymë e frymëmarrje të hirnosur, në mos secilin prej nesh.
Kryenalti me bulçinjtë gaz anadollak (para) gjykon se ky shkurto kërcimtar nuk është i hirnosuri.
(Si mendon ti, o njeri, tundshkundur gjithë jetën mes tymrave, kacafytur me veten e me botën jo për hair por për pahir të botës njerëzore mbi vete)?!
Kush të jetë anekënd rrotullimit të begatë ajror, kush të jetë rrethrrotull ca gërmadhave të tjera prej fabrike me nofulla të ndryshkura metali?
Qe besa, askund keqardhje, askund pendesa! Ne ishim grabitësit e gjithçkaje e të grabitur në gjithçka tek vetja po nga vetja. Në mos nga vetja nga tjetri, jo më i ngathëti por më sypatremburi.
Gërmadhat zbukurohen përdita, jo shumë të nalta tani, se atyre ua ka ngrënë kuja e varfërisë hekurat. Shkul’rrjep’gjakos’ duart e njeriut, shitur për një kothere bukë. Poshtë gërmadhave mjekrojnë motmotit themelet plot gongalla të krisura betoni. S’i sheh askush e askush s’ka me i pa veç gjarprinjve e të vdekurve.
Plasa – plasa tymi, prandaj duket i shkurtër këtuatje, i cekët e i thellë, hollak e bufalaq, kërcimtar e zvarritje këmbësh.
Këmbët i shtrihen nga bregu, koka i freskohet nga kodra. Kujt? Tymnajës qytetare pra, shkalafitjes qytetare…