Castiglione, artisti i Pallatit perandorak të Kinës
Giuseppe Castiglione (1688- 1766) ishte një misionar jezuit Italian në Kinë, por i njohur dhe si piktor pranë Oborrit Perandorak, i cili shënoi një ndikim të madh në artin kinez të pikturës. Castiglione mbërriti në Kinë në vitin 1715, si një misionar katolik dhe njihej me emrin kinez Lang Shining (郎世寧). Pikturat e tij u vlerësuan nga Perandori kinez Qianlong, një motiv ky pse Castiglione i kaloi shumë vite të jetës duke piktuaruar portrete të perandorit dhe perandoreshës, të konkubinave, por dhe peizazhe dhe caste jete nga ky mjedis.
Janë 12 piktura të italianit Castiglione që paraqesin Perandorin Yongzheng dhe fëmijët e tij gjatë kohës së lire në Yuanmingyuan. Kornizat prej ngjyre të verdhë xhenxhefili ishin një mënyrë për të shprehur konceptin “Çdo gjë i përket Perandorit”. Pikturat e Castigliones ushtruan një ndikim të madh te piktorët e oborrit të dinastisë së fundit kineze Qing, duke krijuar një rrymë të re artistike, gati-gati një stil të ri lindor me ndikim perëndimor. Castiglione kaloi 50 vite të jetës në oborrin perandorak, duke pikturuar per 3 perandorë të dinastisë Qing, përkatësisht, Kangxi, Yongzheng, dhe Qianlong. Aq i lidhur ishte me Kinën jezuiti piktor dhe arkitekt, sa ndërroi jetë në Pekin.
Biografia jetësore
Castiglione u lind në San Marcellino të Milanos më 19 korrik të vitit 1688. I rritur në një familje të pasur ai I mori mësimet e para privatisht në shtëpi, ku shkëlqeu veçanërisht në pikture. Në drejtimin e një mjeshtri, në vitin 1707, Castiglione hyrë në Shoqërinë e Jezusit në Gjenova, kur ishte 19 vjeç. Në shekullin e 17-të një numrë piktorësh jezuitë europianë shërbenin për perandorin Kangxi të dinastisë Qing. Në fillim të shekullit të 18-të Jezuitët e Kinës kërkuan dërgimin e një piktori në oborrin perandorak të Pekinit. Castiglione u përzgjodh si një kandidat premtues për këtë post dhe pas qëndrimit disa vjeçar në Lisbonë dhe Coimbra ku pikturoi kapelat e shumë kishave në gusht të vitit 1715, arriti në Makao të Kinës, për të ardhur pas një viti në Pekin.
Jeta në oborrin e dinastisë Qing
Vetë perandori Kangxi i kërkoi Castigliones të bënte disa piktura dhe më pas piktori italian kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe të krijimtarisë artistike në oborrin perandorak të Kinës. I njohur me emrin kinez Lang Shinig, Castiglione përshtati stilin e tij perëndimor të pikturës me temat kineze në pikture. Puna e ti si piktor u vlerësua mjaft nga perandori Qianglong, të cilit i shërbeu për 30 vjet. Italiani realizoi portrete të perandorit dhe perandoreshës, si dhe shumë piktura me kuaj, që ishin tepër të pëlqyer për perandorin. Duke qenë edhe një arkitekt i talentuar, Castiglione u ngarkua dhe me projektimin e Pallateve perandorake me stil perëndimor, apo të kopshteve perandorake të Pallatati të Vjetër të Verës. Stili perëndimor dhe shija kineze, të ndërthurura e bënë veprën në picture dhe arkitekturë të italianit Castiglione shumë të veçantë dhe njëherësh të vlerësuar. Një nga veprat e vlerësuara në picture është ajo me titull “100 kuaj në lëndinë” e realizuar nga Castiglione në vitin 1728 për perandorin Yongzheng. Piktori dhe arkitekti jezuit Italian Castiglione ndërroi jetë në Pekin më 17 korrik të vitit 1766. Në nderim të artistit të madh perandori Qianlong shkroi një nekrologji për të si dhe urdhëroi vendosjen e një guri të veçantë në varrin e tij. Në vitin 2005, Castigliones iu kushtua një serial televiziv me titull “Artisti i Pallatit” i interpretuar nga aktori kanadezo-kinez Dashan (Mark Rowswell), i cili u transmetua nga televizioni qendror i Kinës CCTV. (Eda Merepeza)