Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: Prof. Nikoll Dakaj, viktimë e “Revolucionit kulturor”

Image result for nikoll dakaj

1967 – Një Shqipni aq e vogël me aq shumë trazime, gati e pabesueshme!

Frenat e shtetit gjithmonë ndër duer të e vrasësve injorantë. Po Europa, shka thotë?

– Shkoni në Shqipni e shikoni modelin e “harmonisë fetare”, si aty askund tjetër!

Hapja e dosjes së Prof. Nikollë Dakës, asht një tregues i saktë i atij “revolucioni” që ende sot nuk e njeh jo vetëm Europa, po përveç Kinës, vështirë se din kush shka u ba?

Në dosjen e tij shumë shkodranë do të gjejnë “shumë sekrete” që nuk i mendojnë!

Përpara arrestimit të dytë kur po zhvillohej “Revolucioni Kultural i 1967” edhe unë e kam njohë Profesor Nikollën, vetëm për paraqitje. Një burrë i heshtun, me një paraqitje të kujdesshme dhe gjithmonë i gatshëm me të përshndetë me përzemërsi. Fliste me za të lehtë dhe t’ jepte përshtypjen se nuk e flet një fjalë pa e mendue mirë përpara…

Atë ditë kur asht hapë fjala për arrestimin e tij, jam kthye me i tregue atë lajm edhe Prof. Gasper Ugashit, i cili u mpij dhe iu mbushën sytë me lot… Nuk e dijshe se janë njoh në Normalen e Elbasanit, ku e kishte drejtue Prof. Karlo Gurakuqi, porsa asht kthye nga Italia dhe e rekomandonte Prof. Gasprin me e ndihmue se asht një “djalë i ri, po me një përgatitje të admirueshme në fushën e Gjuhësisë dhe si përkthyes nga italishtja…”.

Prof. Gaspri filloi me dyshue për ndonjë “informacion” të dhanun për përkthimet e tij dhe për disa punime që kishte fillue qysh i ri në Elbasan, po, që ishin të ruejtuna nga Prof. Nikoll Dakaj tepër sekret, mbasi nuk përputheshin me zhvillimet e kohës. Ishte në dijeni edhe për konsideratën e Prof. Joklit, kur Prof. Nikolla, ishte 21 apo 22 vjeç i rij…

Nga profesorët Guljelm Deda, Arshi Pipa dhe Gasper Pali dinte prirjen e Prof. Nikollës në folklor, histori dhe dramaturgji, me prirje shumë moderne. Shkruente pothuej në të gjitha revistat e kohës me disa pseudonime: Melibeu, Basho Jona, NI, N.D., etj., se landa që botonte ishte e shumtë dhe e njëkohshme mbrenda Atdheut. Autorë të mëdhaj të letërsisë antike greko e latine dhe asaj italiane prej Homerit, Virgjilit, Horaci, Dante, Petrarka, Leopardi, Karduçi, Manzoni, të gjithë i gjen në përkthimin mjeshtëror të Prof. Nikoll Dakaj, me një gjuhë të pastër e të gjallë e me atë tingullin akustik të maleve që kanë në origjinal, ku ruhet struktura e vargut, rima dhe figuracioni i pasun.

***

Poema “Koineja e gjuhës shqipe” u shkrue me një frymë burrash, me çiltërsi, me vrullin e një shpërthimi të mbrendshëm, kur “kazma dhe pushka” i rrënonin thëmelet…

 

Nuk ecën para gjuha me ligje e dekrete,

as me vendime gjuhëtarësh gjysmakë,

që vetë të zbehtë fjalën e kanë të pakë

e s’u shkon as proza, as vargu nuk u vete.

 

Mjeshtria e fjalës, zotësi më vete,

thithet në vogëli nga gjyshja plakë,

merr turr e rritet, digjet zjarr e flakë

e n’gojë të poetit buron si mjaltë blete.

 

Fatkeqësisht disa nga veprat e Prof. Dakaj janë zhdukë. Barbari Ramiz Alia, kur po i vente kazmën kulturës së Veriut, ngarkoi skilen Jup Kastrati me detyrën e njohun tashma: “Kryetar i Komisionit Përzgjedhjes Leteratyrës Fetare Kishtare”, mbasi ia kishte marrë dorën asaj punë që në vitet 1950, me shkencëtarin At Justin Rrota…

Prof. Nikolla asht e vërtetë se studjoi në shkollat e Klerit Katolik, po prift nuk ishte…

Atëherë pse u arrestue? – Ishte e mjaftueshme kenja katolik. Kaq i duhej drejtuesit të “Revolucionit” Ramiz Alia në Shkodër, mandej Xhemal Dinat e Musa Krajat plotësonin dokumentacionin dhe zhdukej ajka e kulturës së Veriut përjetësisht. Ndonëse, Profesor Nikolla, plotësonte edhe një kusht ma shumë “me kenjen nxanës i At Gjergj Fishtës”!

At Gjergj Fishta, mbasi kishte lexue poezinë “5 Maj” të A. Manzonit të përkthyeme nga nxanësi i vet i apasionuem tek artet e bukura, në mencë gjatë ngranjes së mëngjezit i asht drejtue para të gjithëve i entuziazmuem: “O Nikollë, ma ke kalue!”

Po, Prof. Nikoll Dakaj i këndon Dedë Gjo’ Lulit dhe asnjëherë nuk harroi At Fishtën:

 

– Sa Osja bashkë e Marash Ucit t’kndohen –

Gjithmon Atmes do t’i rrijë parzmore,

Gjithmotin FISHTËN gjallë e ruen ndër ne,

Valët e Drinit sa t’dynden rrotullore.

 

Prof. Nikoll Dakaj asht Burri i Hotit, që mbeti deri diten e fundit të jetës atdhetar!

Madhështia e tij qëndron në paftën e bronxit që trimit i ngjeshej për parzëm…

Melbourne, Shtator, 2013.

Image result for nikoll dakaj

Image result for nikoll dakaj

Nikoll Dakaj dhe Pashk Çobaj, Tiranë 1942

 

Please follow and like us: