Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Kush e votoi Gramoz Ruçin nga e djathta?!

 

 

 

 

1) Sot të gjithë demokratët janë të befasuar. Një, dy, apo tre vota shkuan për Gramoz Ruçin. Ish ministrin e brendshëm në kohën e ndryshimeve të mëdha në jetën e vendit. Ndofta nga një lloj mbushje mendje se, një pjesë e konsiderueshme me bindje djathtas, demokratët të paktën, jo shqiptarët, janë ndarë një herë e mirë me të kaluarën. Përfshi këtu edhe ata emra si Sali Berisha etj., do kishin aq forcë sa të zgjonin sërisht atë frymën e përbashkët të një llave demokrate. Se për ta ndaluar dihej që nuk e ndalonin dot këtë kanditaturë.

PS-ja i kishte votat e duhura. Për PD-ën qe një rast i artë fillimi. Aq më tepër që në sheshin përpara Kuvendit, protestonin të persekutuarit. Shtresa që ka mbushur radhët e të djathtës. Dhe sado atyre qejfmbetjeve me mënyrën se si u zgjodh Basha, me politikën e tij krejt naïve, çadrash, marrëveshjesh, largimin me bujë të një sërë emrash me karrierë brenda PD-ës, një vote frontale, deri me largim nga salla do kishte sheshuar shumë kundërshti. Dhe PD-ja mund të shihte më në fund një farë shprese për ringritjen e vetvetes.

Nuk e bëri. Madje këtyre hamendjeve se cilët janë ata të dy që votuan pro Gramoz Ruçit. Cilët janë ata demokratë tradhtarë etj. Përkundër zhgënjimit që shkaktoi, duke thelluar akoma hendekun mes militantëve, simpatizantëve dhe PD-së, u nxorri Gridën me preteksin më absurd, se nuk u futën në komisionin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, për t’ju vertetuar shqiptarëve se sa të aftë janë socialistët në manipulimin e votes së lirë. Nga ana tjetër në një apo dy mënyra, duan apo nuk duan ata, Basha e njeh dhe e pranon emërimin në postin më të lart të legjslativit shqiptar, fiks në vitin 2017, rikthimin e një figure të diktaturës së proletariatit.

2) Kush votoi pra për Gramoz Ruçin si kryetar të Kuvendit të shqiptarëve, nga e djathta? Kush? Kush deputet i pa emër dhe pa qënë nën hyqmin e listës Basha? Dhe nëse janë vetëm dy vota, dy emra, nuk ka asnjë diskutim që ata janë Sali Berisha dhe Lulëzim Basha. Dhe duke qënë se është një votim i fshehtë, nuk ka për t’u marrë vesh kurrë. Por ajo çfarë do bëhet shpejt publike, është teoria e denoncimit që PD e filloi me nurin dhe elegancën e Grida Dumës. Duke folur për të qindën herë, tamam si ai qaramani i keq, se iu vodhën a iu shitën votat. Një politikë kurvash tashmë e cila ka vrarë përfundimisht, faktin që, kur ta marrin bukën nga dora, ose fle në këmbë, ose nuk i ndjen duart e tua për asgjë. Kësisoj mbrojtja e votes ka vdekur tashmë si nocion i shenjtë për demokratët. Ata janë të pa aftë.

E gjitha mund të jetë një marrëveshje mafiozësh që po qeveris unë për kaq vjet, e më pas ti. Ndërsa të tjerat mbajini në rrugën e denoncimit përmes fejsbukut të Sali Berishës dhe demokratëve të hallakatur që ngelën duke ia lëruar nënën njëri-tjetrit. Ca për Berishën, ca për Lulin, ca për ata që po stivosin llojet e verërave në bodrumet e vilave në gjirin e Lalzit. Pra a kanë votuar për Gramoz Ruçin Lulzim Basha dhe ”legjenda” Sali Berisha? As që diskutohet, që po. Askujt tjetër nuk ia mbante të dilte kundër. Ata të listës ia dine për nder Bashës. Por edhe ata të listës së Berishës, i detyrohen për marrëveshjen e heshtur, më ruaj të të ruaj. Ndaj të gjitha arsyetimet të çojnë se ata që kanë dale kundër Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, janë pikërisht vet ata.

Dhe mjerë demokratët e ndershëm që janë mjaftuar me faktin e punësimit të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës prej Edi Ramës. Ndaj kjo ishte një nga betejat e humbura me dëshirë…

një turp i demokracisë sonë, kthimi i një ministri të diktaurës në krye të legjislativit.

3) Tani dy fjalë shqiptarëve në përgjithësi. Qofshin këta të majtë e të djathtë, a shqiptarë të thjeshtë, pa parti.

Duhet të kuptoni një gjë vëllezër se, demokracia që po bëhet aty nuk ka për t’u çuar kurrë në Europë. Ose do t’u çojë atëherë kur Europa të shpërbëhet, e natyrisht vendi jonë mund t’u duhet për ndonjë rikthim të strategjive të protektoratit. Shumë nga ju besojnë se Gramozi apo iksi janë burra të mire. Se nuk është ashtu si ata e tregojnë njëri-tjetrin. Madje ka edhe vipa që dalin e flasin për ta me atë mentalitetin e fshatarit që ky më ka bërë nder mua, për mua është burrë i mire. Eshtë tjetër gjë të jesh burrë i mire pas një nderi që i bën dikujt. Dhe tjetër gjë të jesh burrë i mire për vendin dhe shtetarët e tu. Burra të mire janë ata që njohin dështimin, pranojnë fajin dhe hapin krahun. Që vendi të eci si duhet dhe paralel me vendet e tjera. Më thoni në këto njëzetë e shtatë vite demokraci, kush nga këta i njohu një faj vetes.?

I njohu Gramozi si ish ministër i brendshëm, vrasjet e 2 prillit në Shkodër? Qoftë edhe moralisht, t’i thoshte shqiptarëve, këtu gabuam, ndaj po hap krahun. Ia njohën vetes Berisha, Meta, Rama, a Basha…, 21 janarin. U vranë katër njerëz. E përgjegjësia u bë top nëpër këmbë, po kush nuk e mbajti e të thojë, po… këtu gabuam. Pa përmendur 1997-tën, Gërdecin, a prurjet e kriminelëve në Kuvendin e kaluar.

E gjitha kjo nuk është asgjë tjetër po një gërëvërrje e qëllimtë…, që, i bën shqiptarët të ikin. Pastaj të humbin besimet alla shqiptarçe deri sa vendi sot vuan inkuzicionin dhe persekutimin e rrymave. Po kështu edhe në fusha të tjera.Ndaj me të drejtë bota i konsideron shqiptarët si të pa aftë në shtetbërje.

Dallimi i një vendi progresist zë fill nga indinjata, nga mos lejimi i ekuivokëve politikë të sojit të ricklimit nga diktatura.

Megjithatë shoqëria jonë e kaloi në heshtje. Edhe pse diskuton hapjen e dosjeve. Një absurd kolektiv që nuk e di se çfarë motivacioni shoqëror, ia dedikoni vetes. Ky është një turp kombëtar.

 

(Shkruar nën trysninë e Hurrican-it, Irma)

 

9 shtator 2017

 

Please follow and like us: