Albspirit

Media/News/Publishing

Nicole Kidman: Mbush 50 vjeç dhe jam e lumtur. Sepse e di çfarë dua!

“Nuk ka jetë të përsosur për askënd. Dhe askush nuk e di se çfarë qëndron prapa një dere të mbyllur. Shumë shpesh ne vendosim qëllime të pamundura dhe përfundojmë duke besuar se jemi personazhet që themi se jemi. Përballë të tjerëve, por edhe përballë vetes tonë. Pastaj, papritmas, e kuptojmë se nëse i lejojmë vetes të ndihmojmë dhe të komunikojmë me të tjerët, jeta është më e thjeshtë. Dhe më mirë”

Eshtë kaq e madhe (dhe jo vetëm për shtatin një e tetëdhjetë metra), saqë në Cannes kanë dashur të krijojnë një çmim posaçërisht për të: çmimin special për 70-vjetorin e Festivalit. Nicole Kidman është mirënjohëse, por jo aq e ngazëllyer sepse nuk ka nevojë për medalje në një ditëlindje të pesëdhjetë. Në fakt, u kthye qetësisht në Nashville para ceremonisë, të cilën e ndoqi me video: “Më vjen shumë keq që s’jam atje me ju, por unë jam me familjen time”, shpjegoi ajo. Pastaj, iu deshën vetëm disa ditë për t’u kurorëzuar princeshë e kurorës. Kush ka prezantuar ndonjëherë katër filma në Festival? Dhe mbi të gjitha, katër personazhe kaq të ndryshme, origjinale dhe unike? Nicole e shqetësuar, e turbulluar dhe mbrojtëse tek “The Deception” i Sofia Coppola. Nicole matriarke e punk-ut anglez tek “How to talk to girls at parties”. Nicole gruaja elegante tek “The killing of a sacred deer”. Nicole, plakë dhe e frikësuar tek “Top of the lake”, i Jane Campion.

Pothuaj 50-vjeçare, keni më shumë energji dhe kërshëri se kurrë.

“Ende kam entuziazmin si kur isha 20 vjeç! Ose kur, në adoleshencë, futesha në një kinema, në një dhomë të errët, që të “shëtisja” në universe të tjera. Më pëlqen ende të aktroj shumë, dhe zgjedhja e projekteve që unë besoj, më jep një energji të pakontrollueshme, pasioni për të vepruar është ndoshta edhe më intensiv se kur isha më e re. Për mua, çdo rol është një eksplorim, një udhëtim në gjendjen njerëzore. Megjithatë në Kanë ishte një rastësi e pastër që të kishim kaq shumë filma bashkë”.

Kohët e fundit, gjithmonë zgjidhni të keni më shumë histori për gratë. Tek “The Deception”, i vetmi burrë në grup është Colin Farrell.

“Po, historia është përqendruar te gratë, na tregon se çfarë jemi në gjendje të bëjmë nëse e provojmë. Ne luajmë me kostume të mrekullueshme, vendi ku xhiruam në jug të Shteteve të Bashkuara është i mrekullueshëm. Unë kam punuar me shumë regjisorë, por më duhet të pranoj se Sofia ka një ndjeshmëri të veçantë. Të kupton dhe përpiqet të të rrijë pranë në momentet më të vështira. Në xhirime, ne ishim një ekip i bukur vajzash, shumë të përshtatura. Dhe më pëlqen të punoj me brezat e rinj. E pëlqej kaq shumë këtë punë, saqë shpresoj se mund t’u mësoj diçka aktoreve të reja, sepse vajzat kanë nevojë për dikë që t’i mbrojë dhe t’i drejtojë”.

Si është Colin Farrell?

“Tmerrësisht joshës. Tek “Deception” ka një skenë ku unë duhet ta laj atë me një sfungjer. Nuk do ta harroj. Edhe sepse kaluam një ditë të tërë për ta xhiruar!”

Ai është gjithashtu partneri juaj tek “Killing of a Sacred Deer”.

“Një film shumë i vështirë. Kam interpretuar bashkëshorten e një kirurgu, pikërisht Colin, i cili do ta gjejë veten të detyruar të marrë një vendim të tmerrshëm, kur një djalë i vogël që takon do të fillojë të sillet në një mënyrë të ligë. Regjisori u përpoq të më thoshte të mos merrja gjithçka seriozisht, të veproja sikur të ishte diçka komike, por nuk ishte e lehtë. Ishte sikur të isha hipnotizuar nga tema. Kurrë nuk kam përjetuar një përvojë të tillë”.

Tek “How to Talk to Girls at Parties”, jeni një matriarke punk-u. Një rol shumë larg nga personaliteti juaj, elegant dhe i sofistikuar.

“Jam argëtuar shumë në këtë rol. Por i mbaj larg vajzat e mia, nga disa filma që luaj. Ato do t’i shohin kur të rriten, edhe pse preferoj t’u siguroj jetën më normale të mundshme. Me to më pëlqen të jem vetëm nëna e tyre! Ato më panë në filmin “Paddington” në rolin e të keqes, dhe nuk e pritën shumë mirë. Që nga ajo kohë, mendohem dy herë para se t’u tregoj një film që luaj. Sidoqoftë, unë mendoj se ato kanë vetëm një ide të mjegullt të zanateve të nënës dhe babait. Dhe për momentin nuk më vjen fare keq”.

Sa rëndësi ka miqësia femërore?

Shumë. Jam e bindur që, nëse gratë kuptojnë se është më mirë të jenë shoqe dhe të mbrojnë, mbështesin njëra-tjetrën, në vend që të jenë xheloze, gjithçka bëhet më e lehtë. Së bashku jemi forcë e madhe.

Keni thënë se plakja nuk është më problem, por një mundësi.

“Kur isha e re, kisha frikë, por tani po ndryshojnë koha, gratë janë gjithnjë e më të vetëdijshme dhe tërheqëse në çdo moshë dhe e dua këtë kohë të jetës sime, sepse kurrë nuk i kam pasur idetë kaq të qarta, për atë që dua të bëj dhe atë që dua të jem. Pastaj, kur je e rrethuar me dashuri, gjithçka bëhet më e lehtë”.

Ju dhe Keith, përkundër thashethemeve për krizë, dukeni më të lidhur se kurrë. Në Kanë ju ishit emblema e dashurisë.

“Përtej suksesit që mund të kem në karrierën time, të paturit e një familje është gjëja më e rëndësishme. Për mua është një përparësi për ta bërë të funksionojë këtë martesë, sepse unë me të vërtetë besoj”.

Disa njerëz mund të bëhen shumë konkurrues kur partneri i tyre ka talent dhe sukses. Sidomos nëse janë dy yje.

“Keith është gjithmonë pranë meje dhe mund të mbështetem në ndihmën e tij në çdo gjë: me vajzat, apo edhe për një mendim të sinqertë për punën time”.

A është e vërtetë që mendoni të keni fëmijë të tjerë?

“Gjithmonë kam dashur një familje të madhe dhe ai gjithashtu. Dhe një fëmijë është gjëja më e bukur që mund të ndodhë. Ju kurrë nuk do të jeni kundër një të ardhuri të ri në familje! Do të ishte një gëzim i pabesueshëm për mua, Keithin dhe vajzat! “

Ndër të tjera, ai është një baba i madh.

“I mrekullueshëm. Mjaft të them se lumturia e vajzave të vogla dhe e imja është për të dhurata më e madhe”.

A është jeta juaj më në fund e përsosur?

“Nuk ka jetë të përsosur për askënd. Dhe askush nuk e di se çfarë qëndron prapa një dere të mbyllur. Shumë shpesh ne vendosim qëllime të pamundura dhe përfundojmë duke besuar se jemi personazhet që themi se jemi. Përballë të tjerëve, por edhe përballë vetes tonë. Pastaj, papritmas, e kuptojmë se nëse i lejojmë vetes të ndihmojmë dhe të komunikojmë me të tjerët, jeta është më e thjeshtë. Dhe më mirë”. / Vanity Fair – Bota.al

Please follow and like us: