Albspirit

Media/News/Publishing

Diploma e kryetarit

 

 

 

 

 

Cikël me epigrame nga Viron Kona

 

               Trim

Trim je kur bën atë që duhet,

më trim, kur s`bën atë që s`duhet!

 

E sigurt do presësh gjatë….

Mos prit më, por nise punën,

shtëpinë tënde bëje vetë,

gurë mbi gurë e tullë mbi tullë,

mund të bësh pallat për mbret.

 

Po prite ta bëjnë të tjerët,

të flesh gjumë ditë e natë,

e sigurt që keq do mbetesh,

për shtëpi do presësh gjatë….

 

Fjala dhe vepra

Thesi është fjala,

brenda është vepra…!

 

      Delikate

 

Miqësia është si zjarri,

hidhi dru, mbaje ndezur,

një çast po e le pas dore,

hi në vatër ka për të mbetur!

 

Një kovë

Deti s`mbushet dot me kovë,

këtë e di çdo njeri,

por me kovë ujiten lulet,

këtë mund ta bësh dhe ti.

 

Nuk e gjen në çdo udhëkryq

Shokun mbaje mos e lësho,

për një fjalë mos e largo,

se një shokë apo një mik,

nuk e gjen në çdo udhëkryq.

 

Zagar

Dje t`përdorën si zagar,

që t`u sillje gjahun në shteg.

Mos “padashur” atë zakon,

e vazhdon dhe sot në jetë!?

 

Më shumë te vetja ta kërkosh!

Miqtë druajnë të ta thonë të vërtetën,

armiqve s`u beson,

e vërteta është këtu, atje,

mes nesh, tek ai, tek ajo…

 

Kujdes, s`duhet të  harrosh,

më shumë te vetja ta kërkosh!

 

Servilët

Si qen të uritur që i zë vapa,

bredhin gjuhë jashtë e s`gjejnë vend,

nëpër sokakë apo rrugica t`shtrembra,

gjejnë e lëpijnë ndonjë kockë me lëng.

 

Dobësitë

-Pse më godite ?

Ti ndonëse  s`meritoje,

unë të ndihmova, të ngjiteshe lart…!

 

-E po,

meqenëse m`i njohe dobësitë,

thashë  të bëja ty të parin kurban…!

 

Kur nisi beteja

Kur nisi beteja,

nga shkove, ku u fute?

Kurse në festën e fitores,

erdhe plot e përplot i ngarkuar,

me tituj nderi dhe dekorata lufte!

 

Diploma  e kryetarit

Një lyps i mjerë në një kazan mbeturinash gjeti,

një karton të lerosur nga shirat dhe baltërat,

ishte diploma e humbur e kryetarit të qytetit,

dhjetave u kishte dalë boja, kishin mbetur katrat.

 

E shihte diplomën me habi lypsari,

dhe vështrimi i tretej diku larg,

eh, sikur katra edhe ai t`kishte marrë!

Do t`i ndryshonte, do t`i falsifikonte,

dhe, tani, mund të ishte ai kryetar!

 

Pendimi i vonë

Sa do të doja që dy prindërve,

t`mos ua thyeja zemrën kurrë,

por ç`e do se koha s`kthehet,

pendimi s`më bënë më punë!

 

Për një fjalë e për një thumb

Një fjalë unë e një fjalë ti,

gërvishtemi nga pak të dy,

Një thumb unë e një thumb ti,

e tronditim këtë miqësi!

 

Më tej vijnë fyerjet lumë,

ulërima, grindje, sharje,

kush je ti e kush jam unë,

ngrihen “armët” për hakmarrje!

 

Kjo miqësia  mori fund,

për një fjalë e për një thumb!

 

 

Please follow and like us: