Majlinda Bregu: Krimi kundër jetës me përmasa terrorizmi
Në dhjetor të vitit të kaluar, një grua, Liljana Zhezha, nënë e dy fëmijëve, u flak nga dritarja e shtëpisë prej burrit të saj. Asokohe i kërkova nga Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Brendshëm, Prokurorit të Përgjithshëm edhe Presidentit të Republikës, zbardhjen e plotë të ngjarjes e cila niste me papërgjegjshmërinë e zvarritjes së urdhërit të mbrojtjes deri tek absurditeti i jetesës së viktimës dhe vrasësit të saj në të njëjtin apartament. (Në fakt, kështu e parashikon Ligji për Masat Parandaluese të Dhunës në Familje, i cili duhet ndryshuar me urgjencë). Gjykata thoshte se kish lëshuar Urdhër Mbrojtje; policia thoshte se nuk e kishte marrë; pushteti vendor nuk dinte gjë.
I kërkova edhe Kryetarit të Bashkisë Fier, të ndihmonte dajën e fëmijëve të Liljanes, pasi i mori të dy jetimët e vegjël në shtëpinë e tij.
Pas Liljanës kanë humbur jetën edhe dy gra të tjera deri tek rasti i gjyqtares Fildez Hafizi.
Por çfarë ndodh sot?
Nga dhjetori 2016 janë zhvilluar 6 seanca gjyqësore kundër burrit që flaku nënën e fëmijëve nga dritarja. Këto, pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda Vlorë.
4 seanca janë shtyrë me sebepe gjykatash; 2 prej tyre sepse vrasësi thoshte se ishte sëmurë; 1 se mungonte avokati dhe 1 se mungonte prokurori.
Në seancën e dytë vrasësi ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe gjykata e ka pranuar. Sot në seancën e 6-të, prokurori kërkon që dënimi nga i përjetshëm të jetë 35 vjet dhe shkak për këtë është pranimi i gjykimit të shkurtuar nga vrasësi.
Ndërkohë që nuk është shqyrtuar kërkesa për heqjen e prindërimit sipas padisë së bërë nga kujdestari i tanishëm i fëmijëve( (daja). Kodi i familjes edhe për heqjen e prindërimit në të tilla raste të dhunës në familje, sidomos kur gjëma ndodh në prani të fëmijëve nuk është i qartë.
Disa pyetje më lindin tani?
- Çfarë duhet të ndodhë më, që një burrë që vret gruan, gjakftohtë, në kushtet e urdhërit të mbrojtjes, në rastin e Fierit edhe në prani të fëmijëve të mitur, të vuajë dënimin maksimal që njeh ligji, burgim të përjetshëm?!( neni 79 /c i kodit penal).
- Neni 228 i Kodit të Familjes thotë që “përgjegjësia prindërore hiqet kur prindi shpërdoron përgjegjësinë prindërore ose tregon PAKUJDESI të rëndë në ushtrimin e saj”. Po t’i vrasësh nënën fëmijëve çfarë quhet?!
- Edhe sa seanca do duhen në rastin e mësipërm për të marrë një vendim?!
- A ka njeri që nuk mendon se dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre është krim që duhet zbutur apo amnistuar?
Nëse nuk ka, atëhere le të nisim një lëvizje kombëtare për të tundur e shkundur çdo zyrtar, gjyqtar, prokuror, avokat, gazetar, OJF dhe jo vetëm të këtij vendi, që të kuptojnë e veprojnë, pasi dhuna dhe vrasja e grave nuk është ÇËSHTJE KULTURE E ZAKONI, por është KRIM kundër JETËS që po merr përmasa TERRRORIZMI!