Vodhi miliarda dollarë, kryeministrja arratiset në Dubai
Ish-kryeministrja e Tailandës, Yingluck Shinawatra, u arratis para gjyqit që do t’i bëhej për vjedhjen e miliarda dollarëve nga subvencionimi i orizit. “BBC” bën të ditur se ajo është arratisur në një nga qytetet më të pasura të botës, në Dubai. Burime të afërta me partinë e saj thanë se ajo e mori vendimin që të largohej papritur, pak para se të zhvillohej gjyqi në Bangkok. Shinawatra nuk u paraqit në Gjykatën e Lartë, duke bërë që gjykatësit të lëshonin një urdhër arresti për të. Avokatët e saj thanë se ajo nuk kishte mundësi të merrte pjesë, sepse “ishte e sëmurë”. Por gjykata e hodhi poshtë këtë argument dhe e shtyu gjykimin për në 27 shtator. Ish-Kryeministrja Shinawatra ka mohuar çdo akuzë lidhur me skemën që i kushtoi Tailandës, miliarda dollarë. Por, nëse shpallet fajtore, ajo mund të burgoset deri në 10 vjet dhe të dëbohet përgjithmonë nga politika.