Albspirit

Media/News/Publishing

Letra dërguar Enver Hoxhës për të motrën, Kadare tregon detaje: Më është kërkuar ta shkuaj me dorën time

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare në një intervistë për gazetaren Eni Vasili ka treguar detaje në lidhje me letrën e dërguar prej tij Enver Hoxhës për motrën e tij.

Kadare tha se kjo ështe letra e vetme që i kishte shkruar Hoxhës dhe tregoi se ai kishte kërkuar që letra të shkruhej me dorë dhe të mos ruhej as të mos i bëhej kopje.

“Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z.Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej. Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë. Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar”, tha Kadare.

Please follow and like us: