Albspirit

Media/News/Publishing

Plani i Federatës Ballkanike: Tregti pa kufij rajonalë deri në vitin 2023

Blerina Hoxha – Monitor

Kur Shqipëria po anëtarësohej në OBT në fillim të viteve 2000, një ekspert i organizatës që kishte ardhur të ndiqte nga afër procesin, mbeti gojëhapur teksa dëgjoi përfaqësuesit e organizatave të biznesit në Shqipëri që e konsideronin OBT një mrekulli ekonomike. Eksperti me origjinë japoneze kuptoi se qeveria shqiptare dhe bizneset nuk i kishin aspak të qarta pasojat. Disa industri të mëdha prodhuese që tashmë kishin forcuar pozitat, duke plotësuar kërkesat e tregut vendas me prodhime shqiptare, sapo marrëveshja hyri në fuqi, panë falimentin përgjatë viteve 2005-2006. Por historia duket se do të përsëritet, mbase jo me të njëjtat përmasa me krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Kryeministrat e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës kanë firmosur një marrëveshje dhe tashmë një plan veprimi është në zbatim për krijimin e një zone tregtare pa dogana njësoj si në vendet e BE-së deri në vitin 2023.

Në disa aspekte, ky lehtësim që ka nisur me marrëveshjen e CEFTA redukton ndjeshëm barrierat dhe procedurat tregtare ndërmjet vendeve, por sakaq vë në vështirësi disa industri në vend që të bëhen jokonkurruese me hapjen e tregjeve për disa arsye.
Adi Haxhiymeri nga Shoqata e Fabrikave të Përpunimit të Miellit, njëkohësisht administrator i fabrikës Bloja tha se, edhe në kushtet kur tregu nuk është liberalizuar tërësisht, industria e shqiptare nuk po përballon konkurrencën e miellit nga rajoni. Serbia, Maqedonia dhe vende të tjera në rajon aplikojnë politika të subvencionit të prodhimit të grurit, ndërsa Shqipëria jo. Edhe pse fabrikat shqiptare të përpunimit të miellit kanë investuar në teknologji moderne, ato nuk kanë akses të njëjtë në lëndën e parë, si bizneset e tjera të përpunimit të miellit në Serbi dhe Maqedoni. Haxhiymeri tha se, nëse nuk merren masa për parandalimin e subvencioneve, industria e përpunimit të millit në vend do të falimentojë përballë tregtisë pa dogana.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Luan leka, administrator i kompanisë EHW ka pritshmëri të tjera. Sipas tij, heqja e barrierave tregtare sjell gjithmonë zhvillim. Duke analizuar industrinë e përpunimit të mishit, zoti Leka tha se hapja e tregjeve me rajonin i mundëson atij hyrje edhe në vende të tjera të rajonit, për të cilat aktualisht ka vështirësi, për shkak të barrierave tregtare.

Por teksa marrëveshja e tregtisë së lirë ka marrë dakordësinë e kryeministrave përkatës, bizneset shqiptare nuk janë të njoftuar dhe as nuk janë në dijeni për procesin. Shqipëria këtë vit po kalon një tranzicion të brendshëm për shkak të zgjedhjeve dhe reformës së fortë institucionale që po bën qeveria Rama 2, teksa Këshilli i Koordinimit Rajonal (Regional Cooperation Council, RCC), i ngritur me kontributin e gjashtë vendeve për të krijuar tregun e përbashkët të WB6 dhe me mbështetjen e donatorëve ka nisur të veprojë. Përveç hapësirës së lirë tregtare, janë bërë përparime për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë. Ka përfunduar një studim për një platformë të përbashkët për investimet e huaja, ku do të ndërhyhet në gjashtë fusha që nga ligjet dhe niveli i taksave për investitorët.

Në sektorin e transportit ka përfunduar studimi për korridoret rajonale dhe bizneset që do të zhvillohen nga infrastruktura dhe logjistika.
Në fushën e turizmit, vendet kanë hartuar një ofertë të përbashkët, për turin ballkanik që ka nisur të aplikohet këtë verë. Gjithashtu janë ngritur task-forca rajonale për antikorrupsionin dhe përmirësime në sistemet e drejtësisë. Në fushën e lëvizjes së lirë është rënë dakord në parim për njohjen e diplomave në fushën e mjekësisë, shërbimeve dentare, inxhinierisë dhe arkitekturës. Në shërbim të të gjithë këtyre reformave tashmë janë në dispozicion 2 miliardë euro të dhëna nga donatorët që do të përdoren sipas nismave për secilën reformë.

 

Arritjet

Duke zbatuar planin për krijimin e tregut të përbashkët, Këshilli i Koordinimit Rajonal (KKR) ka përfunduar studimin mbi Korridoret Ekonomike dhe të Transportit të Europës Juglindore, që ka themel rritjen e aktivitetit ekonomik përgjatë infrastrukturës ekzistuese, si dhe zhvillimin e zinxhirëve rajonalë të vlerave në sektorët e prioritarë. Shqipëria është aktivizuar në këtë nismë me Korridorin 10 dhe me plotësimin e akseve dhe bypass-eve në korridorin tetë dhe Rrugën e Kombit. Investimet në infrastrukturën rajonale të Ballkanit kërkojnë rreth 2.5 miliardë euro.

KKR ka bërë gati projektin e turizmit “Triple P”, duke aplikuar për herë të parë një ofertë rajonale të përbashkët në sektorin e turizmit dhe promovimin ndërkombëtar të saj. Projekti është vënë përpara dhe ka marrë reagime pozitive nga KE dhe është jetësuar këtë verë.
Më 15 dhjetor 2016, në Tiranë është arritur një marrëveshje paraprake për të hapur negociatat në sektorin e shëndetësisë dhe sektorin e ndërtimit, për katër profesione prioritare (mjekët, dentistët, arkitektët dhe inxhinierët civilë). Kjo marrëveshje synon njohjen e kualifikimeve të këtyre profesioneve njësoj në të gjashtë vendet e rajonit. Qeveritë kanë hapur negociatat për katër marrëveshje multilaterale për njohjen e kualifikimeve profesionale, të cilat janë në proces diskutimi. Përveç njohjes së ndërsjellë të profesioneve është rënë dakord për ndërtimin e kapaciteteve të Transferimit të Teknologjisë.

Një plan i përbashkët për investimet e huaja ka përfunduar dhe është duke u konsultuar nga qeveritë lokale.
Në sektorin e administratës publike, vendet tashmë kanë rënë dakord që ligjet dhe strategjitë para se të miratohen të kalojnë një proces të konsultimit publik. Qeveritë kanë rënë dakord të përmirësojnë praktikat e tyre në konsultimet publike për hartimin e legjislacionit.
Një dokument i përbashkët në këtë drejtim synon që të përcaktojë metoda efikase për një dialog të mirëfilltë me ato grupe interesi që ndikohen nga politikat apo ligjet e reja.

Në sistemin e drejtësisë funksionon tashmë Grupi Rajonal i Punës për Drejtësinë, Rrjeti SEE i Institucioneve të Trajnimit Gjyqësor. Gjithashtu ofrohen trajnime për gjyqtarët përmes organizimit të seminareve rajonale, si dhe po zhvillohen materiale edukative për gjyqtarët dhe prokurorët. Takimi i marsit 2017 vlerësoi se duhet vijuar në mënyrë më intensive në trajnimin e gjyqtarëve.

Puna aktuale e rrjetit të EJL është e fokusuar në rritjen e ndihmës së ndërsjellë juridike ndërmjet gjyqësorit në rajon, mbi bashkëpunimin ndërkufitar në çështjet civile dhe tregtare, si dhe në përmirësimin e kompetencave të gjyqtarëve në jurisprudencën e BE-së, përmes seminareve rajonale dhe europiane. Në këtë kuadër, KKR dhe GIZ po zbatojnë projektin 20-mujor për trajnimin e trajnerëve për gjyqtarë dhe prokurorët në nivel rajonal.

KKR ka punuar në ngritjen e kapaciteteve të autoriteteve për luftën ndaj korrupsionit veçanërisht në Kosovë dhe në Maqedoni. Aktivitete të ngjashme janë planifikuar në ekonomitë e tjera në rajon. KKR ka nisur një aktivitet për të ndihmuar qeveritë në kryerjen e vlerësimeve reale mbi përhapjen e fenomeneve të korrupsionit, sidomos për rreziqet në sektorin e shëndetësisë.

Tregti pa kufij deri në vitin 2023

Këshilli i Koordinimit Rajonal (KKR) funksionon si një strukturë koordinuese që ka hartuar axhendën e reformave deri më 2020 dhe koordinon ecurinë e detyrave për secilin shtet. KKR ka hartuar një plan veprimi që është në zbatim nga të gjashtë shtetet në tre vitet vijim. Lehtësimi i tregtisë së mallrave dhe shërbimeve zënë pjesën kryesore të axhendës.

Vendet e WB6 janë të angazhuar për Zbatimin e Planit të Veprimit në fushën e tregtisë për të arritur objektivin e krijimit të një zonë ekonomike rajonale në CEFTA me rregulla të njëjta si në BE. Masat synojnë uljen e kostos së tregtisë për të eliminuar pengesat dhe për të optimizuar koston e prodhimit. Kryeministrat e gjashtë vendeve kanë firmosur që deri në vitin 2023 në Rajonin tonë mallrat, shërbimet, investimet dhe njerëzit të lëvizin lirisht pa tarifa njësoj si BE-ja sot pa kuota apo pengesa dhe ku tregtia lehtësohet nga rregullat e OBT-së. Kontrollet e përbashkëta kufitare me një ndalesë duhet të nisin nga puna gjatë 2018-2019. Heqja e barrierave për tregtinë e shërbimeve dhe njohja elektronike e certifikatave duhet të ndodhë deri në vitin 2023. Deri në vitin 2020 duhet të jetë zbatuar protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të CEFTA dhe vendet duhen të kenë kryer gjithashtu investimet në infrastrukturën e brendshme për tregtinë pa tarifa. Deri në vitin 2020, gjithashtu duhet të funksionojë një Task Forcë që të ndalojë subvencionet e fshehta të shteteve të veçanta ndaj sektorëve të caktuar.

Shqipëria aktualisht e ka të kufizuar tregtinë me vendet e rajonit. Sipas të dhënave nga CEFTA, shihet se tregtia e Shqipërisë me këto vende nuk pësoi ndryshime të dukshme që kur u nënshkrua marrëveshja në vitin 2013. Përkundrazi në vitin 2016, Shqipëria importoi më pak mallra nga vendet e CEFTA-s se viti paraardhës. Nga 8% që ishte pesha e importeve në këto vende më 2015, në 2016 zbriti në 6%.
Raporti për tregtinë i CEFTA-s tregon se, Shqipëria ka partnerin e saj më të fuqishëm tregtar për eksportin Italinë. Me këtë shtet, Shqipëria realizon 58% të eksporteve, ndërsa me vendet e CEFTA-s realizoi vetëm 14% të eksporteve, një peshë e njëjtë me atë të vitit 2015. Shihet se gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka rritur më tej (7%) përqendrimin e eksporteve me Italinë në raport me 2015.

Investimet, gati plani i përbashkët

Të gjashtë vendet e Ballkanit arrijnë një popullsi prej 20 milionë banorësh dhe nëse njehsohen politikat për tregjet dhe investimet bëhet një treg interesant për investitorët e huaj.
Gjashtë vendet e Ballkanit në kuadër të planit të përbashkët për integrimin rajonal kanë përfunduar draftin për bashkëpunim në fushën e investimeve. Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, drafti për investimet mbulon gjashtë fusha. Kuadrin ligjor specifik për IHD, pranimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për investimet, lehtësimin e klimës së biznesit, harmonizimin e regjimit tatimor për investimet, harmonizimin e politikave dhe aftësive në forcën e punës dhe përpjekje të përbashkëta në drejtim të promovimit të mundësive për investime.

Ky dokument synon të rrisë konkurrencën e përgjithshme të rajonit, si dhe kapacitetin e saj për të tërhequr IHD-të, veçanërisht në industritë e orientuara nga eksporti dhe zinxhirët e vlerës.

Studimi ka përfunduar procesin e konsultimeve kombëtare dhe do të shqyrtohet në Grupin e Përbashkët të Punës për investime të SEEIC-CEFTA. Drafti përfundimtar i studimit është finalizuar tashmë dhe në të janë integruar rekomandimet e BE-së për reformat në sektorin e investimeve.
Këtë verë janë zhvilluar disa takime, njëri prej tyre ishte takimi i gushtit në Durrës, ku krerët e shteteve të Rajonit u informuan me axhendën e reformave të investimeve dhe raportit të IHD-ve.

Ndërkohë donatorët që kanë mbështetur këtë projekt po vijojnë përpjekjet për të përmirësuar imazhin e rajonit, në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja.
Fokusi i strategjisë së përbashkët të investimeve do të jetë përmirësimi i klimës së biznesit në të gjashtë vendet e rajonit të përfshira në këtë nismë. Qëllimi është që nga përmirësimi në mikro në ambientin e bizneseve të arrihet në përmirësime makro të politikave në vendet e rajonit.

Axhenda dixhitale e integrimit, gati ulja e tarifave roaming

Ka përfunduar gjithashtu edhe një studim për një “Roaming rajonal”. Azhurnimet e fundit nga tregu kanë treguar një rritje domethënëse të trafikut roaming, duke konfirmuar rëndësinë në rritje që ka reduktimi i tarifave në të ardhmen. Ulja e tarifave Roaming pritet të sjellë lehtësim të kostove për konsumatorët brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Por Ballkani Perëndimor ka nevojë të rregullojë disa masa rregullatore në këtë drejtim, të njëjta si ato të BE-së.

Si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për transformimin dixhital dhe integrimin e Tregjeve Dixhitale, KKR ka ndërmarrë një studim për të analizuar gjendjen aktuale të dixhitalizimit dhe ndikimin në ekonominë e rajonit. Në këtë projekt po merr pjesë edhe Banka Botërore. Studimi ka nisur dhe synon të eksplorojë potencialin e infrastrukturës dixhitale në sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit për zhvillimin e internetit rajonal me brez të gjerë. Studimi synon të përcaktojë një strategji dhe plan veprimi të bazuar në pengesat e identifikuara në secilën ekonomi si në aspektet teknike, organizative dhe në ato rregullatore.

Mjedisi, pranohen standardet për klimën

Vendet kanë rënë tashmë dakord për përmbushjen e standardeve mjedisore për klimën. Është ngritur një grup pune për zhvillimin rural dhe KKR është duke punuar për të përgatitur fillimin e tre projekteve rajonale. Projekte të tjera janë ndërmarrë dhe synojnë të lehtësojnë miradministrimin e burimeve ujore, energjisë dhe sigurinë ushqimore, duke ruajtur ekosistemet dhe funksionet e tyre, rritjen e qëndrueshmërisë së klimës dhe kapacitetet e ekonomive të Ballkanit Perëndimor përmes integrimit të praktikave më të mira të BE-së në lidhje me infrastrukturën e gjelbër. Synohet rritja e njohurive për përmirësimin e kapaciteteve të monitorimit dhe raportimit në menaxhimin ndërkufitar të biodiversitetit. Duke njohur rëndësinë e ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të biodiversitetit për rajonin e Europës Juglindore si KKR dhe GIZ kanë bashkuar përpjekjet për krijimin e një Task-Force me qëllim të promovimit dhe lehtësimit të bashkëpunimit rajonal dhe arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Strategjinë e Biodiversitetit të BE 2020.

Në fushën e politikave të energjisë dhe në përputhje me parimet e Strategjisë së Bashkimit të Energjisë, puna u përqendrua në menaxhimin e energjisë në sektorin publik, i cili do të shërbejë si një mjet që mundëson ekonomitë e rajonit të kursejnë 9% të konsumit deri në vitin 2018. Një analizë rajonale që po bëhet synon të ndihmojë në përmbushjen e kërkesave dhe nevojave konkrete të ekonomive të rajonit për energji.

Pse vendet e Ballkanit duhet të bashkohen

Stabiliteti makroekonomik ka qenë i vështirë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas krizës së vitit 2008. Kriza globale financiare tensionoi pozicionet fiskale në të gjashtë vendet duke ulur ndjeshëm rendimentin fiskal dhe nga ana tjetër, rriti presionin mbi borxhin publik.

Politikat kundërciklike çuan në dyfishim të deficiteve primare në rajon, nga 1.7% e PBB-së në vitin 2008 në 3.8% në vitin 2009, duke vijuar mbi 2% deri në vitin 2016. Si rezultat, mesatarja e borxhit bruto në rajon u rrit nga rreth 30% e PBB-së në 2008 në mbi 50% në vitin 2016 (Shqipëria dhe Serbia ka nivelin më të lartë në mbi 70%).

Kriza nxori në pah edhe disa dobësi të tjera strukturore. Banka Botërore analizon se, ekziston nevoja për të përmirësuar efikasitetin, barazinë dhe transparencën e fiskalitetit dhe politikat për mobilizimin e burimeve në mënyrë më efektive dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike.
Shpenzimet publike në rajon mbeten të përqendruara në pagat, pensione dhe pagesa sociale, duke lënë pak hapësirë për investimet.
Banka vlerëson se ka vend për përmirësimin e mbledhjes së taksave dhe për një progres më të madh në politikat tatimore. Tani pas krizës financiare ekziston një nevojë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor për të siguruar stabilitetin makroekonomik për të konsoliduar financat publike dhe për të rritur kapacitetet në tërheqjen e fluksit të investimeve direkte.

Tranzicioni në drejtim të konsolidimit të ekonomisë së tregut mbetet i paplotë në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka arritur përparim të konsiderueshëm në liberalizimin e çmimeve, tregtinë me jashtë, në privatizime, por transformimi strukturor mbetet i vonuar dhe pas ekonomive të tjera të vogla në tranzicion.
Veçanërisht, sot, “rezultati i tranzicionit” në Ballkanin Perëndimor është i ngjashëm me atë të ekonomive të tjera europiane në tranzicion në vitin 1996. Progresi ka qenë ngadalshëm në fushat e konkurrencës, qeverisjes, ristrukturimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe privatizimit në shkallë të gjerë.

Vitet e fundit, konvergjenca për të arritur vendet e BE ka qenë e ulët në vendet e rajonit. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shënuan ulje të fortë të varfërisë që nga fillimi i tranzicionit drejt ekonomive të tregut. Standardet e jetesës u rritën gati gjashtëfish në Bosnjë dhe Hercegovinë, pothuajse u trefishuan në Shqipëri dhe u dyfishuan në Serbi midis 1995 dhe 2015.
Gjatë viteve 2000-2008, standardet e jetesës në Ballkanin Perëndimor u zgjeruan më shpejt se në vendet e tjera të botës dhe në mesataren e BE-së. Gjatë kësaj periudhe, krijimi i vendeve të reja të punës ndihmoi në uljen e varfërisë.
Në fillim të viteve 2000, afërsisht një në tre persona në rajon ka jetuar në më pak se 5 dollarë për dita. Deri në vitin 2008, kjo shifër kishte rënë vetëm një në pesë. Tregues të tillë si jetëgjatësia, shkathtësia dhe qasja në shërbime gjithashtu u përmirësuan gjatë kësaj periudhe.

Ballkanit i duhen 50 vite për të arritur standardet e BE-së

Pavarësisht progresit, sot gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten në mesin e më të varfërve në Europë. Para viteve të krizës financiare 2008-2009, ritmi mesatar i konvergjencës i vendeve të Ballkanit me BE ishte më i ulët se ai i vendeve të tjera në tranzicion në Europë.
Maqedonia është rasti për të shpjeguar këtë ndryshim. Në vitin 1995, Letonia dhe Maqedonia kishin nivele të ngjashme të të ardhurave, rreth 30% të të ardhurave për frymë në krahasim me mesataren e BE-së. Në vitin 2015, Letonia arriti në më shumë se 60% të të ardhurave të mesatares së BE-së për frymë, ndërsa të ardhurat e Maqedonisë mbeten në rreth 35% e mesatares së BE-së.
Me ritmet aktuale, vendeve të Ballkanit u duhet një gjysmë shekulli që të arrijnë standardet e BE-së. Në vitin 2015, norma e papunësisë në vendet e Ballkanit shkonte në mes të 17 dhe 35% dhe papunësia ndër të rinj është pothuajse dyfishi i mesatares kombëtare në çdo vend.

Për t’u bërë një “lagje e fortë”

Duke analizuar situatën ekonomike në të cilën ndodhen vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore thotë se 6 shtetet e rajonit duhet të veprojnë shpejt për të ristrukturuar ekonomitë joefikase shtetërore dhe të rrisin lidhjet rajonale dhe globale. Duhen përshpejtuar reformat për të përmirësuar mjedisin e biznesit në lidhje me investimet, politikat e konkurrencës, pronave, respektimin e kontratave, përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe heqjen e barrierave ndaj punësimit dhe përmirësimin e lidhjeve në rajon (p.sh., tregtisë, logjistikës, transportit dhe infrastrukturën e energjisë).

Ballkani Perëndimor po përballet me nivele të larta të emigracionit, ku të rinjtë dhe njerëzit e arsimuar kërkojnë mundësi diku tjetër dhe gjithashtu popullatat po shkojnë drejt plakjes.
Ballkani Perëndimor është i vonuar me reformat strukturore në raport me vendet e BE-së me të paktën dy dekada. Raportet e tranzicionit të BERZH kanë treguar se reformat më të avancuara do të lehtësonin integrimin dhe do të krijonin një model më të qëndrueshëm të rritjes.
Banka Botërore thotë se integrimi brenda Ballkanit Perëndimor do të ndihmojë në ndërtimin e një “lagjeje të fortë”. Një rajon i ndërlidhur do të mbështesë një shkëmbim më të lehtë të mallrave dhe shërbimeve si energjisë elektrike, telekomunikacionit dhe transportit tokësor.
Një argument i ngjashëm vlen edhe për tregjet e punës. Në burime të veçanta, koordinimi i forcës së punës mund të rrisë cilësinë e mallrave për eksport jashtë Ballkanit.

Bashkëpunimi, përtej tregut të lirë

Avancimi i integrimit ekonomik kërkon një politikë të përbashkët, e cila duhet të jetë përtej liberalizimit të tarifave doganore, – këshillon Banka Botërore. Ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, firmat në Kosovë përballen me kostot më të larta eksportuese. Eksportuesi kosovar harxhon gati dy ditë (42 orë) për përmbushjen e detyrimeve ligjore në kufi në krahasim me mesataren e 7 orë dhe 3.8 orë në pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përveç kësaj, firmat kosovare duhet të paguajnë 264 USD për një eksport, krahasuar me një mesatare prej 72 USD në pesë vendet e tjera. Anasjelltas, firmat në Mal të Zi paguajnë shpenzimet më të larta për import, i cili gjithashtu i tejkalon kostot e eksportuese. Firmat malazeze harxhojnë 33 orë dhe paguajnë 406 USD për të importuar mallra, ndërsa firmat serbe harxhojnë vetëm 7 orë dhe paguajnë 87 USD. Analiza e Bankës Botërore për tregtinë në rajon tregon se ka ende hapësirë për rritjen e tregtisë në rajon.

Ndër vendet e CEFTA-s, nuk ka tarifa në mallrat industriale dhe tarifat kanë rënë ndjeshëm në mallrat bujqësore. Eksportet nga vendet e Ballkanit Perëndimor mund të hyjnë në BE-së falas, me përjashtim të kufizimeve të kuotave për disa produkte agrokulturore. Por CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në nuk e mbulojnë aksesin e tregut për tregtinë në shërbime.

Please follow and like us: