Albspirit

Media/News/Publishing

Hilë Lushaku: Ekzekutimi me urdhër të Enver Hoxhës i drejtorit të policisë Veli Vasjari

 
U lind më 12 prill 1887, në fshatin Vasjar të Tepelenës. Qe me origjinë nga një familje bejlerësh të pasur Mbasi kreu arsimin fillor, në vendlindje, ka studiuar në gjimnazin “Vefa”, në Stamboll, ku qëndroi deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Fliste turqisht, greqisht e pak italisht. Pas diplomimit u kthye në atdhe dhe, nga qeveria e Ismail Bej Qemalit, është caktuar në detyrën e komisarit të policisë në Berat, detyrë të cilën e ka kryer në periudhën 1 maj 1913-janar 1914. Më 1 prill 1914 është caktuar në detyrën e drejtorit të Policisë në Durrës, aty ku ishte vendosur qeveria e Vilhelm Wied-it, ngarkuar edhe me detyrën e titullarit më të lartë të Policisë shqiptare. Këtë detyrë e ka mbajtur deri më 30 qershor 1914, duke u tërhequr nga detyra pas rebelimit të Shqipërisë së Mesme dhe marrjes në dorë të situatës nga forcat ushtarake qeveritare dhe ato ndërkombëtare. Vasjari qëndroi në Shqipëri në kohën e Luftës së Parë Botërore, duke u aktivizuar në detyra administrative. Në periudhën 1 prill 1916-31 dhjetor 1917, ka punuar si nënprefekt në Fier, pastaj u caktua nënprefekt i Lushnjës, në periudhën 1 gusht 1918-21 janar 1920. Ai mbështeti organizatorët e kongresit të Lushnjës, ku u përfshinë edhe kryetari i Bashkisë Besim Nuri me shumë pasanikë të krahinës.

Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari, më 9 janar 1920 njoftoi fqinjin e tij, prefektin e Beratit, Bexhet Kumbaron, duke i shkruar se mbledhja e pritshme kombëtare nuk kishte lindur në popullsinë e atyshme, por ishte përfundim i një marrë-veshjeje të përgjithshme në të gjitha fiset e Shqipërisë, si pasojë e pozitës strategjike që kishte qyteti; se mbledhja kishte për qëllim bashkimin, vëllazërimin e dhënien fund të mosmarrëveshjeve dhe se anëtarët e komisionit kombëtar kishin një jetëshkrim të pastër. Autoritetet vendore të Lushnjës, kryetari i bashkisë Besim Nuri, nënprefekti Veli Vasjari dhe komandanti i xhandarmërisë, Meleq Frashëri, ishin tërësisht në mbështetje dhe në mbrojtje të kongresit, ndonëse u shpallën të shkarkuar nga funksionet e tyre nga qeveria (kupto qeveria e Durrësit-H.L.), pas propozimit të prefektit të Beratit, por vendimi nuk arriti të zbatohej dot. Në kongres mori pjesë edhe rezidenti i parë amerikan në Shqipëri, Charls Tellfort Ericson, ardhur si misionar në Shqipëri më 1 gusht 1908. Në periudhën 21 janar 1920 deri më 21 gusht të këtij viti, Vasjari, është larguar (pezulluar) nga detyra, i akuzuar për kapërcim kompetencash në ushtrimin e detyrës), gjë për të cilën është dërguar nga ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, një inspektor i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, por që rezultoi t’i ketë dhënë të drejtë Vasjarit. Në këtë rast, bazuar në shkresat përkatëse të sqarimit të problemit, evidentohet se më 21 janar 1920 Veli Vasjari zëvendësohet në detyrë nga dibrani Rrustem Ymeri dhe thirret në qendër, në dispozicion, duke vazhduar të trajtohet me pagën e nënprefektit. Në kartelën e tij kjo periudhë (21 janar-4 qershor 1920) është llogaritur qëndrim në detyrën e nënprefektit të Lushnjës.

Më 17 qershor 1920 u caktua nënprefekt i Tepelenës (filloi punë në detyrë më 21 gusht) dhe u lirua nga detyra më 30 qershor 1921. Në disa shënime të studiuesit Halil Kaso thuhet ndër të tjera se “Veli Vasjari ishte ndër përfaqësuesit kryesorë në dorëzimin e Tepelenës nga forcat italiane më 21 qershor 1920 ora 18-30, së bashku me Riza Cerovën, Arshi Shehun, Qazim Latifin, etj”. Pas kësaj u caktua nënprefekt në Kolonjë, ku qëndroi deri 11 janar 1922.

Më 11 janar 1922, nënprefekti i Tepelenës, Veli Vasjari, emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë, duke mbajtur këtë post për herë të dytë, deri më 25 prill 1922. Emërimi i tij në këtë funksion është lajmëruar edhe në shtypin e kohës, i cili, ato ditë njoftoi se: “Thuhet se Veli Vasjari, nënprefekt në Tepelenë, vete në Tiranë, ku qenka emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë”). Sipas dokumenteve që ruhen në Arkivin e Shtetit rezulton se Vasjari ka qenë në Sarandë kur më 15 janar është njoftuar prej prefektit të Gjirokastrës për të shkuar urgjent në Tiranë, mbasi do të zëvendësonte në detyrë drejtorin Ahmet Sinani, larguar nga detyra më 10 janar 1922. Më 17 janar Vasjari është nisur nga Saranda, me mjetin e parë që lëvizi ato ditë drejt Sarandës dhe më 20 janar ka qenë në krye të detyrës së caktuar. Edhe këtë radhë Veli Vasjari nuk pati fat të qëndronte gjatë në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, mbasi 5 muaj pas marrjes së detyrës prej tij, u ndërmor një reformë e çuditshme e Policisë. Në këtë kohë kemi suprimim të shumë zyrave të Policisë. Gazeta “Dit’ e re”, në rubrikën “Lajme”, me titull “Mbi ngritjen e zyrave të Policisë në disa nënprefektura”, shkroi: “Këshilli i Ministrave tue pamë se dy a tre polica që janë shpërndamë në nënprefektura nuk po munden me përmbarue detyrën qi ju ngarkohet mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme nr. 5028 më 11.4.922 e nr. 9844 më 24.5.922 vendosi qi zyrat e Policisë të nënprefekturave në Lesh, Krujë, Shijak, Kavajë, Peqin, Gramsh, Librazhd, Lushnjë, Mallakastër, Fier, Skrapar, Kolonjë, Kurvelesh, Libohovë e Tepelenë të mbyllen krejt dhe detyrën qi i përket Policisë t’i ngarkohen gjindarmërisë”. Në nëntor 1922, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen (heqjen, suprimimin-H.L) e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë si dhe të Drejtorisë së Prefekturave. Policia sipas këtij vendimi do të varej drejtpërdrejt nga prefektët dhe komiseritë e qendrës prej Ministrisë së Brendshme. Lidhur me këtë problem, gazeta “Shqiptari i Amerikës” shkroi me zemëratë, duke evidentuar faktin se: “Policia po çkatërrohet…aspirantët do të zënë vendet e policëve…togjerët dhe nëntogjerët do të sjellin grada nënkomiseri dhe komiseri…Flitet se në masat e kursimit që po merren për vitin që vjen përmblidhet dhe Policia e cila do të çkatërrohet fare”128). Në vazhdim, artikullshkruesi theksonte se: “…në qoftë se kjo riformë shembullore do të vihet në zbatim” atëherë duke kërkuar vetulla do të nxjerrim edhe sytë.

Pas lirimit prej detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Vasjari rikthehet në detyrën e nënprefektit. Fillimisht është caktuar nënprefekt i Lushnjës, në periudhën 22 prill 1922- 30 prill 1924, pastaj i Leskovikut, në periudhën 14 maj 1924-29 gusht 1924. Nga Leskoviku ka kaluar zëvendësisht nënprefekt i Peqinit, në periudhën 30 gusht 1924-10 shtator 1924 dhe, në vijim, nënprefekt i Fierit, më 13 shtator 1924, ku qëndroi deri më 28 dhjetor 1924, pa pasur ndonjë problem me qeverinë noliste. Në kartelën (dosjen e kuadrit) e tij nuk ka ndonjë të dhënë për aktivitetin politik apo për ndonjë funksion administrativ që ka mbajtur. Në periudhën 7 shkurt 1927-16 korrik 1927 rezulton të ketë qenë në detyrën “kontrollor i banderolave”. Më 23 qershor 1933, Vasjari gradohet prefekt i Elbasanit, ku shërbeu deri më 19 dhjetor 1935. Referuar burimeve në Arkivin Qendror të Shtetit, evidentohet se më 4 janar 1935, prefekti i Elbasanit Veli Vasjari, kishte njoftuar zyrtarisht eprorët në Ministrinë e Brendshme se i kishte dhënë këshillim hoxhës së qytetit, pasi ai u mësonte fëmijëve në shkollë kuranin, kur sipas ligjit shkolla ishte ndarë nga feja.

Më 1936, caktohet prefekt i Dibrës dhe mandej i Korçës, në periudhën 1937-1939. Kur qe në këtë post, më 1936, ka pasur një korrespondencë të ngjeshur me Zyrën Sekrete në Ministrinë e Brendshme, për lëvizjet e dyshimta të shumë jugosllavëve në krahinën e Dibrës së Madhe e të Gollobordës, e konkretisht: më 7 prill 1936, ka njoftuar Zyrën Sekrete se “kanë ardhur në Dibër të Madhe dy gjeneralë jugosllavë, njëri nga komanda e armatës së Shkupit dhe tjetri nga komanda e divizionit të Manastirit”; më 15 qershor 1936, ka njoftuar Zyrën Sekrete për lëvizjet ushtarake në kufi, si dhe në viset Dibër, Kërçovë, Gostivar; më 25 shtator 1936 ka njoftuar se atasheu jugosllav, Ljubo Petroviç, kishte ardhur nga Dibra dhe, pasi vizitoi autoritetet aty, ishte nisur drejt Gollobordës; më 28 shtator 1936, ka njoftuar zyrën sekrete se “atasheu i legatës jugosllave, pasi ka bërë takimet që përmenden më sipër, thotë se ka pyetur priftin e fshatit Gjinovec, të cilin e ka takuar në hotel, se çfarë gjuhe flisnin banorët e atyre anëve, prifti i ka thënë: “shqip”; më 18 nëntor 1936, njoftoi Zyrën Sekrete se, sipas burimeve të pakonfirmuara, kishte ardhur në Dibër të Madhe kryeministri jugosllav së bashku me ministrin e Arsimit e më pas janë nisur për në Ohër, pas përfundimit të vizitës dyditore; më 2 dhjetor 1936, ka njoftuar se në fundin e nëntorit 1936 (para dy ditësh), kishte ardhur në Dibër komandanti i përgjithshëm i Armatës së Shkupit. Sipas një dokumenti (kërkesë), që ruhet në AQSH, viti 1938, fondi “Ministria e Punëve të Brendshme”, rezulton se, më 1938, ka qenë prefekt i Korçës129). Më 9 qershor 1938, është graduar “prefekt i klasit të parë”.

Më 7 prill 1939 priti Zogun në Pogradec dhe u largua në emigracion me qeverinë zogiste. Nuk ka ndonjë dokument që të provojë kthimin e tij në atdhe, por në kohën e pushtimit nazist ai qe funksionar i lartë në Korçë.

Vritet më 12 maj 1944 midis Grabovicës dhe Çërravës (në Korçë), nga partizanët, të cilët kanë ndaluar autokarron e shoqërisë SATA që vinte nga Tirana. Fillimisht, pasi ka kundërvepruar me një grup xhandarësh kundër çetës partizane, Veliu, është plagosur dhe zënë rob së bashku me aspirant Muharrem Lumani, Hekuran Koprena dhe një ushtar i kufirit, ndërsa automjeti i është djegur. Sikurse u përmend në fillim të këtij jetëshkrimi, kur po kërkonte nga Zyra e Sigurimit e MPB-së hapje fondi të fshehtë për të përballuar veprimet vorioepiriote të klubeve shpallej pavarësia e Shqipërisë, Veli Vasjari ka qenë në Turqi, në kontakte të vazhdueshme me atdhetarët e organizuar për shpalljen e Pavarësisë së vendit, prej nga i shkroi një letër dr. Ibrahim Temos, më 24 maj 1912 (11 maj 1328, sipas kalendarit islam-hixher, d.m.th shpërngulje). Vasjari shkroi se ka takuar Qazim Kokoshin, nga Vlora, dhe ky i ka thënë se Ismail Qemali është në Korfuz. Vasjari shprehet se janë 7-8 letra për Hasan bejn (Prishtina-H.L.) me përmbajtje “Të gjithë jemi gati. Kjo është një kryengritje e përgjithshme. Me një fjalë, punët këtu janë në rregull. Ana e Janinës është shumë mirë. Ismail beu nga Korfuzi shkoi në Kataro. Letrat e ardhura për të ia dërgova, mbasi e di adresën e tij. Këtu erdha para 4 ditëve, do të qëndroj edhe 4 ditë. Është koha e punës, një orë e më parë shkoni në Bukuresht dhe mblidhni ata bashkatdhetarët tanë atje dhe thuajuni që t’ju ndihmojnë kosovarëve me pare, pse me fjalë nuk drejtohet punë. Brenda në letër që do të dërgoni futni 100 fr sa të na çojnë deri në Podgoricë, mbasi unë jam në gjendje të vështirë. Çështja e armëve ç’u bë? Është pikërisht tashti koha, mos humbisni kohë. Kosova është shumë mirë. Nexhib beu (Draga-H.L.), Hasan beu (Prishtina-H.L.), Zejnulla beu (xhaxhai i Hasan Prishtinës-H.L.), Jahja efendiu, Isa Boletini u bënë me kryengritësit. Në Mat po bëhet përpjekje e madhe, 2 batalione u asgjësuan. Salih Butka është gati me 200 veta, po kështu edhe Bektashi (Cakrani-H.L.) jonë. Në Ipek vazhdojnë përpjekjet. Forcat tona janë 10 mijë. Pushka ime po pret, është gati, vetëm mungojnë shpenzimet e udhëtimit. Aman dërgo letër”. (Përkthim nga turqishtja). Veli Vasjari ka qenë baxhanak i Musa Jukës (gati 15 vjet) Ibrahim Temo (1885-1945), qe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, me origjinë nga Mati por i lindur në Strugë, diplomuar për mjekësi në Stamboll. Pas përndjekjes nga kundërshtarët e tij politik në Turqi emigroi dhe u ngulit në Rumani. Më 1914 erdhi në Shqipëri për të luftuar malarien që po korrte rrëqethshëm jetë njerëzore. Ka qenë përfaqësues i shqiptarëve të Rumanisë në konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Vdiq në Mexhidie, Rumani ministër i Brendshëm i qeverive të Ahmet Zogollit), gjë e cila e ka ndihmuar në karrierë. Qeveria proitaliane e Shefqet Vërlacit, i ka sekuestruar pasuritë e paluajtshme të Veli Vasjarit (nuk i dihej vendndodhja në atë kohë) dhe të bashkëshortes së tij Hava Vasjari. Ministri Sekretar Shteti për Drejtësinë i asaj kohe, Xhaferr Ypi, ka nxjerrë dekretin nr. 30, datë 2 gusht 1939 për sekuestrimin e pasurisë së Vasjarit.

Veli Vasjari nuk la trashëgimtarë. Halil Vasjari, fis i Veli Vasjarit, ka qenë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, diplomat shqiptar i shquar në disa vende të botës.

Studiuesi Kastriot Dervishi në librin “Shërbimi sekret shqiptar” ka shkruar se: “Veli Vasjari, ish- prefekt i Korçës, kishte dijeni të plotë për Enver Hoxhën për kohën që ai kishte shërbyer si mësues në liceun e Korçës në vitet 1937-1939”, ndaj ai u vra pa gjyq me urdhër të tij. Fotografia e Veli Vasjarit gjendet përkrah perfektëve të tjerë në godinën e prefekturës së Korçës.

Please follow and like us: