Edmond Leskaj, anëtari i bandës së “Gaxhait”, kërkon rishikim e vendimit që e dënon me 25 vite burg
Edmond Leskaj,43-vjeçari që u ekstradua nga Italia në Shqipëri në janar të 2014 dhe që njihet si një nga anëtarët e bandës së “Gaxhait” në Vlorë kërkon të rigjykohet nga e para.
Leskaj është dënuar në nëntor të vitit 2009 me 25 vite burgim. I gjithë procesi hetimor dhe gjyqësor kundër tij është zhvilluar në mungesë, pasi ai i fshihej drejtësisë në shtetin Italian. Në këtë shtet mësohet se Edmond Leskaj ka ndryshuar dhe gjeneralitetet, duke përdorur emrin Daniel Hoxha.
Kërkesa e Leskaj për tu rigjykuar është depozituar në gjykatën e Krimeve të Rënda në 29 gusht 2017, ndërkohë që sot ishte seanca e parë gjyqësore. I dënuari Edmond Leskaj, sipas prokurorisë ka qënë si pjesëmarrës i bandës së Gazmir Brakës me pseudonimin “Gaxhai“, në vitin 1997, ka kryer njё sёrё veprash penal si: vrasje të ndryshme, pengmarrje dhe gjobvënie ndaj biznesmenëve të këtij qyteti”, thuhet zyrtarisht nga Policia e Shtetit.
“Banda e Gaxhait” ka vepruar në qytetin e Vlorës gjatë trazirave të vitit 1997 dhe hapjes së depove të municioneve. Anëtarët e bandës kryenin aktivitetin e tyre në fshatin Cerkovinë dhe në zonat përreth. Me 24 nëntor të vitit 2009 Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm kreun e bandës Gazmir Brakën, i njohur me pseudonimin “Gaxhai”.
Ndërsa u dënuan me 25 vjet heqje lirie Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu. Gjykata e Krimeve të Rënda i shpalli ata fajtorë, për tre vrasje të kryera në emër të bandës, pikërisht për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit dhe Zihni Harunit. Banda e drejtuar nga Gazmir Braka dhe Alfred Nebiu (Kakami), i cili më pas u vra dhe u dogj në makinë, e nisi aktivitetin e saj kriminal pas trazirave të vitit 1997.
Kjo bandë pati përplasje të forta me banda rivale në Vlorë, ku për pasojë u prodhuan dhjetëra viktima. Gaxhai, që vuan dënimin me burgim të përjetshëm, njihet si kundërshtar i përbetuar i Myrteza Çaushit të Vlorës, edhe ky i fundit i dënuar me burgim të përjetshëm.