Jamarbër Malltezi: Ringritja e PD, shqetësimi ynë i përbashkët
Kjo mbledhje është e domosdoshme për të parë njeri-tjetrin në sy dhe reflektojmë, është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë.
Të gjithë ne këtu duhet të mbajmë parasysh se armik nuk kemi njeri-tjetrin, por Edi Ramën. Është armik jo thjesht i demokratëve, por armik i Shqipërisë dhe shqiptarëve pasi ka një aleancë me krimin e organizuar, futi drogaxhinjtë, vrasësit dhe përdhunuesit në parlament dhe po përzë shqiptarët nga vendi përditë. Është një armik që ka miliona euro para të pista që i ka përdorur rregullisht për të korruptuar ambasadorë, europarlamentarë, e të tjerë.
Prandaj unë jam me shkrimin e sotëm të Andi Bejtes që propozon një bashkim të madh opozitar kundër kësaj të keqeje të madhe për vendin. Edhe para disa muajsh në këtë sale, në mbledhje kryesie, kam propozuar që të gjenden emërues të përbashkët me sa më shumë përfaqësues politikë që janë të ndërgjegjshëm për të keqen, krimin dhe korrupsionin galopant që përfaqson Edi Rama. Natyrisht jam për bashkim me vlerat politike dhe jo me qelbësirat pasi ato le të rrinë me aleancën e qelbësirave.
Jam plotësisht dakort që qeveria u angazhua në një aksion kriminal në shkallë të gjerë ku u përfshinë (i) shit-blerje votash, (ii) grumbullimi i kartave të identitetit, (iii) presioni mbi administratën, (iv) frikesimi i zgjedhësve nga banda kriminelësh të liruar nga burgjet, etj. Po PD ku ishte? Pse nuk reaguam? Pse nuk denoncuam çdo ditë dhe ku është dosja e dhunimeve të procesit zgjedhor? A kemi në PD një ekip që monitoron zgjedhjet? Ose nuk e kemi ose ka qenë inekzistent. Në 2001 kur PD kishte veç një kompiutër të vjetër dhe një modem mblodhi pafund fakte të manipulimit të zgjedhjeve dhe 8 persona vullnetarisht përkthyem qindra faqe materiale të mbledhura saqë mali i provave u bë goxha i madh për OSBE dhe u detyrua të ndryshonte raportin. Po sivjet pse nuk u dokumentuan këto? Po pse nuk u bë shembull për të gjithë monstra në Maliq që u kap me vizore duke tentuar të nxjerrë fletë-votimin e qytetares për të parë nëse kishte votuar për PS apo ta pushonte nga puna? Aty do duhej ndërprerë votimi, sjellë OSBE, çuar në burg monstra që shkel të drejtën kushtetuese të qytetarëve ku vota duhet të jetë e fshehtë. Nëse ne do kishim reaguar siç duhet dhe të insitonim në prokurori, OSBE, PPE, e kudo të mundeshim për respektim të Kodit Zgjedhor dhe respektim të të drejtave kushtetuese të qytetarëve atëhere ne do i kishim dhënë shumë më tepër besim qytetarëve.
Përmbi 2 vjet përpara kërkova në mbledhje kryesie që të nxjerrim çdo muaj 10 skandalet më të mëdha të qeverisë dhe tua nisim gjithë shqiptarëve përmes strukturës sonë. Kjo qeveri është përmbytur nga skandalet dhe ka mbuluar skandali-skandalin, por harrohet skandali i mëparshëm në këtë proces. Janë harruar vrasja e bankierëve, grabitjet multi milionëshe edhe brenda aeroportit, etj. A nuk do ishte më mirë që tua rikujtonim skandalet shqiptarëve? Sidomos në kushtet kur nuk kemi asnjë media.
Mesazhi gjatë fushatës erdhi duke u fishkur. Po pse prioritetet e gabuara të Ramës do bënin ata të votonin kundra tij? Apo do duhet të mbushnim qytetin me shpallje konkrete që Edi Rama të ka vjedhur nga xhepi o shqiptar plot 2000 euro (600 milionë euro afera CEZ, 120 milionë euro për Vilmën, 90 milionë euro për refugjatin me 1 punëtor për sterilizimet, 120 milionë euro për njëfare Zoto për inceneratorë plehrash me kapacitet 6-fishin e mbetjeve që prodhon vendi). Imagjino tabela me pyetjen ndaj qytetarëve “Si thua sikur shteti të të japë ty 300 euro lekë thjesht nga anullimi i koncesioneve për Vilmën & miqtë e Edvinit?” Kush mesazh ishte më i duhuri për qytetarët?
Ne kishim PD të madhe dhe tani rrezikojmë që PD të kthehet në një parti kingmaker. Kjo është trishtuese. Largoji servilët dhe ata që të mbajnë si një kristal se mos thyhesh dhe dil më afër njerëzve që të thonë të vërtetën qoftë dhe e hidhur. PD është krijuar dhe duhet të mbetet parti e njerëzve të lirë, e studentëve dhe intelektualëve që kanë dinjitet dhe respekt për veten jo parti servilash dhe dredharakësh.
Ishim mirë vjet se dolëm të mbronim një çështje qytetare, mos betonimin e parkut të liqenit dhe parkut rinia. U deklarua që nuk do i lëmë, që do i ndalojmë, etj por pastaj u harruan. Fituam pikë kur e çuam në KQZ për referendume lokale dhe kur KQZ e frikësuar dhe urdhëruar nga PS-LSI i ndaloi. Të nisa mesazh ku të kërkoja që duhet të dalim me strukturat të mbledhim firma nëpër banorë nëse duan të bëhet referendum për ndertimet e kullave tek parku i liqenit dhe parku rinia. Hiç asnjë përgjigje.
Si mendoni a ishte mirë që e lamë t’u harronte apo do ishte më mirë që të organizonim strukturat tona të shkonin derë më derë të mblidhnin firma për një kërkesë referendare për mbrojtjen e mushkrive të qytetit dhe fëmijëve të tyre? Pasi të kish takuar çdo njeri dhe të kish mbledhur mbi 200,000 firma dhe qeveria prapë të kundërshtonte mbajtjen e referendumeve vendore për mushkritë e tyre do kishim të drejtë të ngrinim gjithë qytetarët kundra qeverisë që refuzon fjalën tuaj direkte dhe gjatë kësaj fushate strukturat tona nëpër lagje do mund t’i kujtonin që “erdha njëherë për mushkritë e tua por qeveria nuk lejoi referendum, tani po vij të na votosh neve që të ruajmë mushkritë e fëmijëve tanë dhe t’i tregojmë qefin arrogantëve që nuk lejuan të dëgjohet fjala jote”
Unë besoj se do kishim reflektim të fortë dhe qytetarët do përçmonin kronikat e gatshme TV të Veliajt nëse ne do i kishim treguar qartë që ne ishim tek qytetarët, mblodhëm firmat dhe që qeveria dhe bashkia injorojnë kushtetutën dhe detyrimin për të dëgjuar zërin e qytetarëve veç për të përlarë disa miliona më shumë.
Ngritja e çadrës mes bulevardit ishte një vendim trim nga ana jote kryetar. Ajo që është më e rëndësishme është që ishte vendim që më pas u votua në Kryesi dhe e miratuam me unanimitet. Kështu që edhe kur dolën 2-3 persona në Maj që thanë se duhej të hiqej çadra ata mbetën të vetëm pasi ishte vendim kolegjial. Pra pavarësisht nëse vendimi ishte mirë apo keq, në momentin kur ka një vendim kolegjial mbështetja për ty ishte 98 %.
Ama çfarë ndodhi në çadër kur u organizua takimi për mbetjet? As nuk u njoftua askush nga Departamenti i Mjedisit i PD jo më që ne do duhej të ishim organizatorët e takimit dhe e morëm vesh nga mediat. Kjo ishte e rëndë se përçmon punën dhe dinjitetin e dhjetëra intelektualëve, profesorë, doktorantë dhe aktivistë tanët të cilin vinin për të na mbështetur në çadër, por kur qenka puna për të folur për këto çështje PD nuk paska nevojë për ta por i zëvendëson me persona të tjerë sipas dëshirës së njerëzve që as nuk janë të zgjedhur dhe as nuk i lidh asgjë me PD?
Në të gjitha debatet TV personalitetet nga Departamenti ynë i kanë gozhduar me argumente kundërshtarët tanë politikë aq saqë tani largohen dhe nuk pranojnë më të vijnë në debate. Disa prej këtyre personaliteteve nuk janë fare anëtarë të PD, por vijnë pse besuan që Departamenti ynë do ishte një forum i mendimit qytetar, i njerëzve të lirë dhe të ndershëm për ato çështje që pastaj do jenë qëndrimi zyrtar i PD. Por kur u dashka organizuar takimi për mbetjet këta personalitete, përfshi zv. Rektorë, ish Dekanë, ish deputetë, profesorë dhe doktorë shkencash qenkan të pavlefshëm për ata servilë që të rrethuan?
Le të bëjmë disa pyetje të thjeshta:
- A ishte kjo fushata e duhur kundër kundërshtarit që nuk kishte mbajtur asnjë nga 41 premtimet e dhëna në 2013?
- Ku pati ndonjë spot TV apo fletëpalosje zyrtare që t’i kërkonte llogari dhe kujtonte shqiptarët për premtimet e pambajtura pra që Edvin Rama është mashtrues?
- A ka nevojë PD për këshillin kombëtar? Nëse po pse ka mbi 3 vjet që nuk mblidhet në kundërshtim me statutin? Nëse jo, eja e shkrijmë si forum.
- A ka nevojë PD për kryesinë? Nëse po pse nuk diskutohen temat e rëndësishme në kryesi?
- A ka nevojë PD për departamentet apo jo? A do i respektojmë dhe dëgjojmë apo do i zëvendësoni me personazhe që lëvizin sipas interesave vetjake?
- A është mirë që u hoqën të gjitha postet e punës të drejtuesve të Departamenteve nga selia e PD? Të gjithë ne kemi zyra dhe disa vende pune, por prapë përpiqeshim të vinim 1 orë në seli të sillnim intelektualë dhe media në një mjedis model pune. U hoqën postet e punës dhe dosjet që kishim përgatitur. Dhe pastaj çuditet ndonjëri këtu pse në seline e PD nuk gumëzhijnë njerëz.
Egoja shkoi përtej arsyes. A ishte Lista Basha apo Lista e PD? Jemi gjendur keq në fushatë me qytetarët që të pyesnin edhe me qesëndi.
Lista personale nuk të forcon si lider, por thjesht tregon tendencë për diktat. Por natyrisht të përgëzoj që hoqe nga lista ata deputetë që flirtuan me Edvinin. Qysh të nesërmen e daljes së listës, shumë anëtarë kryesie por edhe deputetë të sotëm më thanë “kjo nuk është listë fituese, kjo është disfatiste por ishalla nuk është humbje e rëndë”. Kjo doli humbje dërmuese.
Na ka humbur busulla dhe duhet të ftillohemi. Duhet të kthehemi në baze. Tek morali, tek parimet, tek sfidat, tek shokët dhe kolegjialiteti. Duhet të kthehemi tek rrënjët tona, tek dhjetori 90, tek “Freedom Works”, të shohim njeri-tjetrin në sy. Duhet të takojmë gjithë brezin idealist që e filluam “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe t’i pyesim pa komplekse “Ku gabuam?” “Pse u ndamë?”
Situata është e rëndë. Po vij nga Durrësi ku edhe militantët tanë që deri para pak vitesh përballeshin me moral dhe nuk donin t’ia dinin për bandat e pushtetit, sot kanë humbur besimin. Duhet rifituar besimi. Kjo fillon nga ty kryetar.
Humbja dërmuese kërkonte një qëndrim më burrë shteti. Iku tani por duhet reflektuar. Së pari fare të sugjeroj të fillosh duke dënuar publikisht ata persona që shfaqen në video duke votuar disa herë për kryetar të PD. Kjo që të kemi moral më pas të ballafaqohemi me qeverinë që vjedh, korrupton, blen votat, kërcënon me pushime nga puna, etj.
Çfarë po bëjmë pas zgjedhjeve? Duket sikur më shumë opozitë po bën LSI sesa ne, ndonëse LSI është pjese e korrupsionit galopant të kësaj qeverie që nuk mbajti absolutisht asnjë premtim por veç vodhi dhe pastaj përdori para të vjedhura dhe drogë për të blerë zgjedhjet.
Gjatë muajit të fundit kam nisur 4 koncept-ide për 4 konferenca shtypi tek z. Lesi. Asnjë përgjigje. U mbytën plot 30 njerëz këtë sezon turistik. Plasën portalet dhe facebook i shumë prej nesh por asnjë reagim zyrtar nga PD.
Djegia e pyjeve për hapje parcela droge mori përmasa apokaliptike. U bë fotolajm edhe për CNN, por për fat të keq jo për PD.
A nuk duhet përmirësuar aksesi mediatik dhe caktuar më mirë konferencat për shtyp?
Unë do vijoj të flas dhe jem aktiv në facebook për çështjet që mbuloj dhe kanë ndjeshmëri publike, por sugjeroj që edhe PD të jetë më afër.
Së fundmi kam 6 këshilla për ty o kryetar për atë që mendoj se të bën mirë ty, por edhe PD për ringritje, bashkim dhe reflekim. (këshillat miqësore mendoj që nuk ka pse përbëjnë interes publik).
(Fjala e mbajtur në kryesinë e PD).