Traktet e vitit 1946: Do varim Mehmet Shehun…
Pothuajse një muaj pas trakteve antikomuniste të shpëndara në Elbasan, një ngjarje tjetër e ngjashme ishte shënuar në Durrës në 15 shtator 1946. Frymëzuar edhe nga ngjarjet në Postribë e rrethinat e Shkodrës, një grup të rinjsh antikomunistë në Durrës kishin hedhur parrulla e thirrje për të rrëzuar regjimin komunist. Traktet siç njofton në shkresën e tij për Komitetin Qendror Adil Çarçani, ishin hedhur nga një grup të rinjsh antikomunistë, të cilët, deri në momentin kur Çarçani shkruan, nuk ishin zbuluar edhe pse po hetohej intensivisht për ti identifikuar. Gjuha në këto trakte është më e ashpër se ajo e përdorur në gusht 1946 në traktete shpërndara në Elbasan. Aty kërkohet arrestimi dhe varja e Mehmet Shehut dhe gjithë drejtuesve të tjerë komunist, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i regjimit komunist që po përdorte nga dita në ditë metodat më terroriste për vendosjen dhe forcimin e pushtetit. Pas kryengritjes në Postribë, thirrjet për të rrëzuar “bishën komunistë dhe Enver Hoxhën janë të drejtpërdrejta. Kundërshtarët e komunizmit të vrarë në Postribë quhen në këto trakte dëshmorë. “…nga ana e jonë ranë dëshmorë 12 veta. Emëri i këtyre dëshmorëve do të jetë i gjallë në shpirtin tonë, se me gjakun e tyre kundërshtuan bishat komuniste. Gjakun e tyre do ta paguajnë dhjetë fish ganksterat e Enverit, do të dënohen pa mëshirë të gjithë ata që venë pas qeres komuniste..” shkruhet në njërin prej trakteve të shpërndara në Durrës, shkruan shqiptarja.com. Pas hetimeve të Sigurimit, vetëm 8 ditë më vonë ishin zbuluar autorët e këtyre trakteve të hedhura në Durrës. Adil Çarçani njofton sërish se ato ishin zbuluar dhe ishin katër të rinj, të cilët kishin një lidhje me një profesor në Shkodër, por që sipas Çarçanit, nuk rezultonte të ishte ndonëj organizatë e mirëfillte që mudn të përbënte rrezik. Më poshtë i sjellim të plota këto trakte dhe shkresat shoqëruese të Adil Çarçanit, për të plotësuar më tej panoramën e ngjarjeve të fundverës dhe fillim vjeshtës së vitit 1946, kur u shënuan lëvizjet e para të qarta antikomuniste në Shqipëri.
Dokumentet e plota
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR
D U R R Ë S
Nr. 41 Prot. Rez.
Durrës, më 15 Shtator 1946
KOMITETIT QENDROR TË P.K.SH.
T i r a n ë
Bashkangjitur po ju dërgojmë kopjet e katër copë trakteve të lëshuar me datë 13 dhe sot dat 15/9/46 këtu në Qytetin e Durrësit nga elementa që akoma nuk janë identifikuar. Traktet e gjatë janë gjetur sot në drekë të ngjitur: njeri në nji shtyllë telefoni dhe tjetri në port. Sikundër do të këndoni edhe vetë në këto, traktet janë lëshuar nga një organizatë kundërshtare e të rijvet me emërin: “Organizata Nacionaliste e Rinis Antikomuniste Shqiptare”. Traktet janë shkruar me makinë shkrimi. Në lidhje me këtë nga ana e seksionit të Sigurimit është vepruar për identifikimin e maqinës me të cilën janë shkruar traktet. Është arestuar gjer tashi i riu reaksionar Mustafa Xhumri, i cili gjer tashi nuk ka treguar gjë. Për të gjetur elementat që kanë shpërndarë këto trakte kemi mobilizuar gjithë organizatën, policinë dhe seksionin e sigurimit. Këto trakte janë lëshuar vetëm në qytetin e Durrësit. Do tu njoftojnë me nji herë mbi përfundimet që do të kemi në lidhje me gjurmimet dhe ndjekjet që po bëjmë. Në dy prej këtyre traktevet flitet për veprimin e vërtetuar këto ditët e fundit në rethet e Shkodrës dhe përpjekjen e bërë aty. Këtë reaksionarët e kanë trumbetuar dhe me anë të bisedimevet në rrethe të ngushta duke egzaltuar si nji akt eroizmi të çetave të tyre.
P. Komitetin Qarkor
(Adil Çarçani)
(firma, vula)
***
JA VDEKJE JA LIRI
Populli Shqipëtarë nuk mund ta durojë ma shtypjen që i ban partija e flliqur Komuniste, prandaj ka vendosun që të zhduki të gjith krerët Komunist nga faqja e dheut.
Kët barrë kaq të randësishme e ka marrë përsipër Organizata Nacionaliste Rinis Anti-Komuniste Shqipëtare e mbiquajtur ONRASH.
Kjo organizatë e re por e fuqishme ka filluar aktivitetin e sajë me vrasjen e përgjeqsit të rinis Komuniste të qytetit të Gjirokastrës dhe me arrestimin e komunistit të flliqur Mehmet Shehu i cilli për së shpejti do të dënohet me varje nga gjygji i kësajë organizate.
Organizata e jonë i ban thirrje të gjith rinis së gabuar që të braktisin sa ma shpejt partinë e flliqur komuniste dhe të hidhen në rradhët e organizatës ONRASH, dhe sa ma shpejt të rrokin armët që të luftojnë hajdutët që sot janë në fuqi.
Vetym me zhdukjen e partis komuniste dhe udhëheqsave të sajë Shqipërija do të ketë nji jetë të lumtun.
Përpara për zhdukjen e bishës komuniste nga vendi i ynë.
Vdekje trathëtarve dhe të shiturve me në krye gangsterin Enver Hoxha.
Poshtë Rusija dhe popujt Sllavë.
Rroftë organizata O.N.R.A.SH.
Rrofshin Anglo Amerikanët.
Rroftë S H Q I P N I J A
***
Terror i pa shembullt
Në këto kohët e fundit ësht shtuar pa masë terrori komunist. Vuajtjet e popullit, janë të mdhaja. Populli Shqiptarë që derdhi gjakun për të fituar lirinë dhe nji jetë ma të lumtun, sot asht i shtypur nga klika komuniste Enver Hoxhës me shokë. Populli i jonë u gënjye por do të dijë edhe të çlirohet vetë nga këta hajdutën komunist. Nuk ësht terun akoma gjaku i derdhun nëpër rrugët e Shkodrës disa dit nga nacionalistat Shqiptarë, të cillët dhanë jetën e vet për të çl.irue popullin nga zgjedha e poshtër komuniste.
Duhet ta dijë populli Shqipëtarë se bijët e tijë ma të zgjedhun, sot janë mobilizue për të luftuar rregjimin grabitçarë të Enverit, dhe nuk është larg dita në të cillën udhëheqsit e partisë do të japin llogari për vuajtjet që po i shkaktojnë sot popullit.
Në rrëzimin e klikës trathëtare që ësht tuej na pi gjakun, duhet të marri pjesë i gjith populli i ndershëm Shqiptarë.
Poshtë Enver Hoxha
Poshtë Jakob Stalin
Poshtë partija terroriste komuniste
Poshtë TITO
I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorve të S H K O D R Ë S
Rroftë O N R A S H
***
Robni mbi robni
Çasti në të cilin gjindemi është shumë kritik, gjendja financjare e popullit është shumë e keqe. Hajdutvet ju zunë vëndin hajdutët e sotçëm. Po populli Shqiptar e din sedo të vinjë së shpejti dita kur Qeverija Teroriste e Enver Hoxhës do të zhduket nga vëndi ynë.
Kryengritja ka filluar që tani. Në Shkodër eroike nji grup patriotësh lëftuan për 7 orë resht tue i dhanë nji grusht të fortë ordhive të tërbuara komuniste; rezulltati kësaj ndeshje asht 45 Komunista të vrarë dhe 70 të plagosur nga ana e jonë ranë dëshmorë 12 veta. Emëri i këtyre dëshmorëve do të jetë i gjallë në shpirtin tonë, se me gjakun e tyre kundërshtuan bishat komuniste. Gjakun e tyre do ta paguajnë dhjetë fish ganksterat e Enverit, do të dënohen pa mëshirë të gjithë ata që venë pas qeres komuniste.
Poshtë satrapi Enver Hoxha
“Partija Komuniste
“Russija dhe Sllavizmi
Rroftë Shkodra eroike
“ Shqipnija
“ O.N.R.A.Sh.
***
Tradhti dje tradhti sot
Gjith populli i jonë mbetet i hutuar kur shef se në konferencën e P A Q Ë S nuk po përmendet aspak K O S O V A që ka nji randësi vitale për popullin t’onë dhe ekonominë e vendit.
Nuk duhet çuditur shum se mund ta dinë të gjithë se vendin t’onë ja ka dhuruar TITOS klika komuniste, dhe kët e ka bërë vetym për të siguru me anën e Jugosllavisë kolltuqet që kanë zanë tradhëtarët e Enverit, me të në krye.
Me anë të terrorit nji grup hajdutësh morën aparatin shtetnorë në duar e tyne. Por ta dinë mirë Enveri me shokë se nuk do të ketë mal as shpedhë që ta strehojë mbas dishfatës së tyre. Do të bije në duart e popullit i cilli ka për ti shqyer me duart e veda pa qenë nevoja që të dalin në gjygjë.
Klika komuniste do të paguej shtrenjtë gjakun e derdhun nga populli i ynë.
Poshtë partija komuniste që don të na shesi tek Bollçeviku Stalin.
Poshtë Jugosllavija që na mban në robni K O S O V Ë N.
Rroftë O N R A S H
(Organizata Nacionaliste e Rinisë Anti Komuniste S H Q I P T A R E)
Rroftë KOSOVA
***
Vllezër Durrësak:
Vendi ynë gjindet në nji situatë shum kritike, dhe kjo rrjedhë nga shkak se nji grup i vogël komunistash me të terrorit ka marrë frenat e Shtetit në dorë. Politika që ndjek ky grup, nuk i përshtatet demokracisë së vërtetë, se është e bazueme në idenë komuniste.
Ideja komuniste do të thotë: diktaturë dhe si pasojë sjellë zhgatërrimin e ekonomisë së vendit dhe prishjen e fesë, si dhe prishjen e fesë, si dhe shtypjen e popullit. Organizata e jonë bazohet në zhdukjen e Komunizmit nga vendi i jonë prandaj duhet të ketë përkrahjen e mbarë popullit. Organizata e jonë ashtë e fortë, dhe do ti dënojë të gjithë krerët e partisë të filliqur komuniste.
Rroftë Organizata O.N.R.A.S.H.
(Org. Rinisë antikomuniste Shqiptare)
P O S H T Ë
Qeverija diktatoriale e partija komuniste (terroriste)
Poshtë R U S I J A
***
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR
VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT
D u r r ë s
Nr. Prot. 479/23
Durrës, më 23 SHTATOR 1946
KOMITETIT QENDROR TË PARTIS KOMUNISTE SHQIPTARE
T I R A N Ë
Në vijim të shkresës s’onë Nr. 479/22 datë 15/9/1946.
Ju njoftojmë se zbuluam grupin e të Rinjve, që ka shpërndarë traktet e fundit, mbiemruar o.n.r.a.sh. Organet e Sigurimit të ndihmuar me informata nga Antarët e partisë mundën të zbulojnë 4 të Rinjë, inisiatorët e këtij grupi, që punojshin në N. SH. N. (dega e këtueshme). Aty ata kishin edhe maqinën me të cilën i shtypnin këta trakte. Njëri prej këtyre të Rinjve – Vath Musta, ka qenë ma parë i organizuar dhe në Rinin Komuniste por i përjashtuar më vonë. U gjetë edhe traktin që ata kishin bërë gati për ta hedhur, të cilin këtu bashkangjitur po ju a përcjellim. Nga pyetjet që u janë bërë gjerë më tani nuk na rezulton që të kenë ndonji organizim të gjerë e të shëndoshë. Kjo duket edhe vetë mga përmbajtja e trakteve të tyre e veçanrisht nga e këtijë të fundit. Gjer tani kemi zbuluar vetëm lidhjen që kanë menjë profesor në Shkodër. Për gjëra të tjera që mund të dalin në lidhje me proçesin e tyre do t’u njoftojmë.
P. KOMITETIN QARKOR: (Adil Çarçani)
(shqiptarja.com)