SHBA, mision me avionë luftarakë shumë pranë Koresë së Veriut
Pentagoni thotë se një mision me bombardues të tipit B-1B janë nisur nga Guami, krahas me avionë luftarakë F-15 të nisur nga Okinava e Japonisë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi oqean, në lindje të Koresë së Veriut. Shtetet e Bashkuara thonë se misioni ka shkuar në pikën më veriore të Zonës së Çmilitarizuar, që ndan Gadishullin Korean. Sipas zyrtarëve, këtë shekull, asnjë avion luftarak, apo bombardues amerikan nuk ka fluturuar ndonjëherë në atë territor. Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes Dana White tha në një deklaratë se misioni tregon për seriozitetin me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara “sjelljen e papërgjegjshme” të Koresë së Veriut. Në deklaratë thuhet se fluturimi i avionëve luftarakë është një “demonstrim për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe një mesazh i qartë” se Presidenti Donald Trump “ka opsione të shumta ushtarake për të përballuar me sukses çdo lloj këcënimi”. Zëdhënësi White tha se “ne jemi të përgatitur për të përdorur të gjitha aftësitë ushtarake për të mbrojtur atdheun tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatët tanë”. Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se “do ta shkatërrojë plotësisht” Korenë e Veriut, në se Shtetet e Bashkuara të detyroheshin të vetëmbroheshin, ose do të mbronte aleatët nga një sulm koreanoveriror./VOA/