Albspirit

Media/News/Publishing

Publikohet marrëveshja mes grupit parlamentar të PS dhe Qeverisë

Publikohet marrëveshja mes grupit parlamentar të PS dhe Qeverisë qe ka te beje me bashkeqeverisje me qytetaret qe ka te beje me ndarjen e pergjegjesive. Marrëveshja synon garantimin e bashkëpunimit mes palëve për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021. Kjo marrëveshje përbën një pikë të palëvizshme referimi për Grupin Parlamentar Socialist e për çdo deputet, për kabinetin qeveritar e për çdo ministër, për Sekretariatin e Partisë Socialiste e për nivelet drejtuese qendrore e vendore të saj, në funksion të jetësimit të Bashkëqeverisjes me Njerëzit e Zakonshëm.

DOKUMENTI

Marrëveshje Mirëkuptimi
ndërmjet:

Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë

Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë
dhe
Ministrit
në vijim referuar si “palët”

 

Qëllimi i marrëveshjes

Kjo marrëveshje synon garantimin e bashkëpunimit mes palëve për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021.
Kjo marrëveshje dakordëson fushat dhe instrumentat që sigurojnë bashkëveprimin e palëve, në funksion të cilësisë së komunikimit të brendshëm e me publikun; të kohezionit të vendimmarrjes dhe jetësimit të objektivave e të vendimeve; të trajtimit në kohë e me cilësi të ankesave e të kërkesave të njerëzve të zakonshëm në çdo komunitet.

Kjo marrëveshje përbën një pikë të palëvizshme referimi për Grupin Parlamentar Socialist e për çdo deputet, për kabinetin qeveritar e për çdo ministër, për Sekretariatin e Partisë Socialiste e për nivelet drejtuese qendrore e vendore të saj, në funksion të jetësimit të Bashkëqeverisjes me Njerëzit e Zakonshëm.
Ndërveprimi mes palëve

Palët në këtë marrëveshje marrin përsipër të respektojnë rregullat e bashkëpunimit të përcaktuara në brendinë e saj:
të garantojnë reciprocitet të plotë në respektimin e roleve mes tyre dhe shfrytëzimin e instrumentave të parashikuara;
të mbështesin reciprokisht njëra-tjetrën për jetësimin në kohë e me cilësi të vendimeve
të ndërtojnë e fuqizojnë në vazhdimësi koalicionin e madh të Partisë Socialiste me qytetarët “Për Shqipërinë që Duam”.

 

Angazhimet e palëve

Palët angazhohen që:
1)  Të bashkëpunojnë pa ndërprerje për të rritur cilësinë e procesit demokratik dhe bashkëjetesës politike, në Kuvendin e Shqipërisë e jashtë tij;
2)   Për të zgjeruar bazën e shumicës qeverisëse në komunikim e bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët në çdo komunitet;
3)   Për të ruajtur dhe forcuar më tej lidhjen me elektoratin dhe anëtarësinë socialiste;
4)   Për t´iu përgjigjur në kohë e me cilësi shqetësimeve, kërkesave e ankesave të njerëzve dhe familjeve të zakonshme;
5)   Për të vendosur përpara përgjegjësisë në kohë reale çdo zyrtar që identifikohet në shkelje të së drejtës së qytetarit për të marrë një shërbim, apo rezulton në shkelje të etikës në shërbim të publikut;
6) Për të dekurajuar çdo formë nepotizmi e klientelizmi partiak në emërime dhe për të reaguar vendosmërisht ndaj çdo rasti, kur konstatohen këto fenomene;
7)  Për të ruajtur e forcuar kohezionin e brendshëm, duke fuqizuar debatin e brendshëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke konsoliduar parimin e qëndrimit të unifikuar;

8)  Për të kontribuar në nivel kolektiv e indivual, në ushqimin e një klime besimi, respekti e mirëkuptimi reciprok; Të mbështesin nismat ligjore dhe reformat e qeverisë;
9)  Për t’iu përgjigjur me përkushtim njerëzor, seriozitet profesional dhe integritet politik, në nivel kolektiv e individual, detyrimeve të kësaj marrëveshjeje.

 

Fusha e bashkëveprimit

a)  Zhvillimi i debatit politik e parlamentar, duke e orientuar axhendën politike në çështje me interes publik dhe duke u angazhuar në mënyrë konstruktive, etike e të hapur me opozitën parlamentare;
b)  Garantimi i komunikimit të vazhdueshëm mes palëve dhe unifikimi konstant i qëndrimit dhe mesazhit publik të forcës sonë politike;
c)  Organizimi i përbashkët dhe koordinimi mes palëve për realizimin e dëgjesave dhe konsultimeve publike;
d)  Zhvillimi i diskutimeve paraprake në kuadër të përgatitjes së projektligjeve dhe projektbuxhetit të shtetit;
e)  Dakordësimi paraprak me çdo ministër a ministre për aktet legjislative dhe sigurim i pranisë së anëtarëve të kabinetit sa herë që thirren nga komisioni përkatës parlamentar;
f) Organizimi i seancave të përbashkëta përgatitore mbi strategjinë e mbrojtjes së qëndrimeve në komisionet parlamentare, si edhe mbi strategjinë e komunikimit e të veprimit në seancat parlamentare;
g)  Diskutime paraprake mbi nismat e reja ligjore dhe ndërmarrja e nismave të përbashkëta ligjore apo qytetare, si dhe trajtimi i çështjeve me rëndësi që rezultojnë nga platformat e takimet e përcaktuara në këtë marrëveshjeje apo nga dëgjesat e konsultimet publike;
h)  Garantimi i transparencës dhe aksesit të plotë të qytetarëve që kërkojnë informacion nga shteti.

Platformat e përbashkëta të kësaj marrëveshjeje

1)  Koordinatorët e marrëveshjes dhe Sekretariati i Përbashkët

Koordinatorët e marrëveshjes (këtu e në vijim referuar si “koordinatorët”) koordinojnë dhe monitorojnë zbatimin e marrëveshjes. Ata ndjekin ecurinë e procesit të dakordësuar në bazë të marrëveshjes dhe u bëjnë me dije palëve, në mbledhjet e përbashkëta, problemet që dalin gjatë procesit.

Secila nga palët ka një koordinator:

Nga Grupi Parlamentar është kryetari i grupit;
Nga ministrat është zv. Kryeministri;
Nga Partia Socialiste është Sekretari i Përgjithshëm.
Koordinatorët formojnë Grupin Këshillimor.

Ky grup këshillon takimet e kryetarëve mbi probleme apo pengesa të hasura gjatë punës, si dhe ndjek e siguron zgjidhjen e çështjeve që ngrihen gjatë takimeve.

Koordinatorët i paraqesin takimit të Kryetarëve dhe Grupit Parlamentar, si këshill apo individualisht, opinione dhe propozime në lidhje me:
a. Ecurinë e marrëveshjes në tërësi;
b. Çështjet që konstatohen të rëndësishme për diskutim mes palëve ose pozicionim të tyre, nisur nga takimet sektoriale dhe ato mbi bazë qarku, pra me fokus konkret në një fushë ose territor të caktuar;
c. Gjetjet kryesore nga raporti vjetor i kërkesave/ankesave nga deputetët, anëtarësia e partisë dhe qytetarët, si dhe nga raporti periodik i dëgjesave publike periodike sipas qarqeve, apo raporti i veprimtarisë së zhvilluar sipas kësaj marrëveshjeje;
d. Çështje të cilat vlerësohen të rëndësishme nga Komisioni i Etikës, si më poshtë.

Koordinatorët takohen të paktën një herë në muaj, si dhe sa herë që është e nevojshme.

Në bashkëpunim me palët, koordinatorët kryejnë takime paraprake përgatitore. Ata bëjnë matje të herëpashershme të nivelit të funksionimit të marrëdhënieve mes palëve; përcaktojnë rendin e ditës së diskutimit periodik mbi ecurinë e marrëveshjes; diskutojnë e bëjnë sugjerime mbi takimet e kryetarëve, takimet sektoriale, ato mbi bazë qarku, si dhe ato në grupin parlamentar.
Në punën e tyre koordinatorët ndihmohen nga Sekretariati i Përbashkët, i cili drejtohet nga Këshilltari i Kryeministrit, përgjegjës për marrëdhëniet me parlamentin e partinë, në përbërjen e të cilit koordinatorët kanë një ndihmës të përcaktuar prej tyre.
2)        Takimi sektorial
Palët bien dakord për zhvillimin e takimeve sektoriale, për të ndërvepruar për çështje me interes, sipas fushave specifike:

Takimi sektorial mbi “Ligjet dhe Sigurinë”;
Takimi sektorial mbi “Politikën e Jashtme dhe Integrimin në BE”;
Takimi sektorial mbi “Financat, Ekonominë dhe Veprimtarinë Prodhuese”;
Takimi sektorial mbi “Bujqësinë, Turizmin dhe Mjedisin”;
Takimi sektorial mbi “Arsimin, Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale”.

Në takimin sektorial mbi “Ligjet dhe Sigurinë” marrin pjesë:
–     Zv. Kryeministri, si anëtari përgjegjës i qeverisë për Administratën Publike
–     Ministri i Drejtësisë
–     Ministri i Brendshëm
–     Ministri i Mbrojtjes
–     Kryetari i Komisionit të Ligjeve
–     Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare

Në takim mund të ftohen të marrin pjesë, sipas rastit dhe nevojës, edhe deputetë anëtarë të komisionit. Ministri i Drejtësisë kujdeset për organizimin dhe moderimin e takimit.

Në takimin sektorial mbi “Politikën e Jashtme dhe Integrimin në BE” marrin pjesë:
–     Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme
–     Ministri i Shtetit për Diasporën
–     Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme
–     Kryetari i Komisionit të Integrimit në BE
Në takim mund të ftohen të marrin pjesë, sipas rastit dhe nevojës, edhe deputetë anëtarë të komisioneve. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme kujdeset për organizimin dhe moderimin e takimit.

Në takimin sektorial mbi “Financat, Ekonominë dhe Veprimtarinë Prodhuese” marrin pjesë:
–     Ministri i Financave dhe Ekonomisë
–     Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë
–     Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrësve
–     Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat
–     Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Në takim mund të ftohen të marrin pjesë, sipas rastit dhe nevojës, deputetë anëtarë të komisioneve. Ministri i Financave dhe Ekonomisë kujdeset për organizimin dhe moderimin e takimit.

Në takimin sektorial mbi “Bujqësinë, Turizimin dhe Mjedisin” marrin pjesë:
–     Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
–     Ministri i Turizmit dhe Mjedisit
–     Ministri i Financave dhe Ekonomisë
–     Ministri i Kulturës
–     Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Në takim mund të ftohen të marrin pjesë, sipas rastit dhe nevojës, edhe deputetë anëtarë të komisioneve. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kujdeset për organizimin dhe moderimin e takimit.

Në takimin sektorial mbi “Arsimin, Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale” marrin pjesë:
–     Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
–     Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë
–     Kryetari i Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë
–     Kryetari i Komisionit të Edukimit

Në takim mund të ftohen të marrin pjesë, sipas rastit dhe nevojës, edhe deputetë anëtarë të komisioneve. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë kujdeset për organizimin dhe moderimin e takimit.

Takimet periodike sektoriale organizohen për të:
–     diskutuar mbi prioritetet në kuadër të përgatitjes së buxhetit;
–     diskutuar dhe dakordësuar aktet legjislative;
–     dakordësuar strategjinë e mbrojtjes së propozimeve në komisione;
–     dakordësuar strategjinë e mbrojtjes së propozimeve në seancat plenare;
–     diskutuar mbi nisma të reja ligjore;
–     diskutuar mbi ecurinë e marrëdhënies, sipas sektorëve;
–     unifikuar qëndrimet politike publike mbi çështjet e fushës;
–     identifikuar dhe adresuar çështje të tjera të ndryshme.

Takimet sektoriale zhvillohen të paktën gjashtë herë në vit, si dhe sa herë të jetë e nevojshme.

Përpara takimeve, kryetarët e komisioneve parlamentare u drejtojnë ministrave përkatës kërkesa apo pyetje për sqarim. Ministrat përgatisin informacione shpjeguese, si edhe sjellin argumente për qëndrimin që ata sugjerojnë të mbahet mbi një çështje të përgjegjësisë së tyre.

Në fund të çdo takimi sektorial, dakordësohet e më pas zbardhet një notë qëndrimi e përbashkët, e cila u shpërndahet gjerësisht nga kryesia e grupit, komisionit përkatës parlamentar dhe deputetëve të Partisë Socialiste.

Organizatorët e takimeve janë përgjegjës për organizimin e efektshëm dhe të rregullt periodik të takimeve, si dhe përmbushjen e kërkesave për informacion nga pjesëmarrësit.

Organizatorët hartojnë:
a) kalendarin vjetor të takimeve
b) një raport 6 mujor të takimeve, të cilat i dërgohen Sekretariatit të Përbashkët.

Kur evidentohen mospërmbushje të angazhimeve nga një ose disa pjesëmarrës, çdo anëtar ose Sekretariati njofton takimin e Kryetarëve, i cili, nëse e sheh të arsyeshme, ia përcjell çështjen Komisionit të Etikës për qëndrimin (që u bëhet me dije palëve) dhe/ose masën disiplinore (që u sugjerohet për miratim palëve).

 

3)        Takimet me bazë qarku

i. Çdo ministër/ministre, brenda një viti, duhet të vizitojë të paktën një herë secilin qark të vendit, në bazë të një kalendari aktivitetesh të kërkuara apo dakordësuara me deputetët e qarkut, me fokus inspektimin e njësive të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, në fushën e përgjegjësisë së tyre.
Gjithashtu, çdo ministër/ministre duhet të njoftojnë deputetët për pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet publike, si dhe vizitat në terren që organizohen në qarqe nga ministri/ministrja përmes Sekretariatit të Përbashkët.

ii.   Për të siguruar Qeverisjen në Koalicion me Qytetarët, i deleguari i qarkut organizon me çdo ministër/ministre dhe së bashku me deputetet e qarkut mbledhje dhe dëgjesa me:
drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve;
përfaqësuesit e pushtetit vendor në qark;
komunitetin, në përfundim të të cilave koordinatorët hartojnë raportin e përgjithshëm, mbi bazën e raportit të përgatitur nga i deleguari për çdo qark;
konsultime të përbashkëta publike, në pararendje të çështjeve me interes të veçantë për publikun, të cilat mund të priten të shqyrtohen nga qeveria dhe kuvendi.

Në këto takime diskutohen dhe identifikohen çështje me rëndësi për zhvillimin e qarkut përkatës, nisma pilot apo modele, praktika të mira të qarkut, mundësi zhvillimi, nevoja të ndryshme apo të ngutshme, probleme që duhet të marrin zgjidhje për qarkun.

Prioritetet dhe nevojat e ndryshme apo më të ngutshme, të identifikuara si më sipër, paraqiten si rekomandime edhe për Komitetin e Planifikimit Strategjik dhe atë të Zhvillimit të Rajoneve, për t’u marrë në konsideratë gjatë përgatitjes së prioriteteve të programit buxhetor dhe programit operacional të zhvillimit lokal dhe rajonal, si dhe i paraqiten takimit të Kryeministrit me deputetët mbi bazë qarku.

iii. Në takimin mes Kryeministrit dhe deputetëve mbi bazë qarku diskutohen çështje të anëtarësisë së partisë, si dhe çështje me rëndësi për qytetarët e për komunitetet, të cilat janë identifikuar nga deputetë të veçantë apo përmes dëgjesave dhe takimeve si më sipër etj., për çdo qark, në mënyrë specifike.

Në këtë takim dakordësohen edhe çështjet kryesore që do të shqyrtohen a miratohen në mbledhjen e qeverisë në çdo qark, si më poshtë.
Takimi zhvillohet çdo muaj, si dhe sa herë të jetë e nevojshme.

Në këtë takim merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

iiii. Gjatë një viti, qeveria mblidhet detyrimisht një herë në çdo qark. Përveç mbledhjes së qeverisë, anëtarët e kabinetit së bashku me deputetët e qarkut zhvillojnë mbledhje e dëgjesa me drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve, takime me komunitetin, si edhe me përfaqësuesit vendorë në qark.

Edhe Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve organizon një herë në vit një mbledhje të dedikuar për çdo qark, ku analizohen çështjet e lidhura me zhvillimin e qarkut përkatës, projektet, nevojat, potencialet për zhvillim.

Për sa më sipër krijohet baza e të dhënave dhe informacionit mbi bazë qarku, si dhe Karta e Çështjeve për Qeverisjen mbi bazë qarku (qeverisja territoriale).

 

4)        Takimi i kryetarëve
Për të koordinuar marrëdhënien në nivel të lartë, zhvillohet periodikisht takimi i kryetarëve.
Në takim diskutohen çështjet e rëndësishme politike dhe parlamentare, funksionimi i marrëdhënieve, si dhe fokuset e veprimtarisë për periudhën pasardhëse.
Takimi zhvillohet të paktën një herë në muaj, si dhe sa herë është e nevojshme.

Në takimet periodike të kryetarëve marrin pjesë:
–     Kryeministri
–     Kryetari i Kuvendit
–     Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste
–     Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
–     Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave

Organizimi i takimit të kryetarëve kurohet nga koordinatorët, me mbështetjen e Sekretariatit të Përbashkët. Në takimet e kryetarëve mund të marrin pjesë me ftesë edhe koordinatorët.

5)        Komisioni i Etikës
Me propozim të Kryeministrit, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar, si dhe me miratim të deputeteve krijohet Komisioni i Etikës. Ky komision:
a. Mbikqyr zbatimin e kësaj marrëveshjeje;
b. Mbikëqyr sjelljen dhe qëndrimin e secilit në raport me zgjedhësit dhe kolegët;
c. Shqyrton çdo kërkesë apo ankesë të natyrës etike të anëtarit/anëtarëve të Grupit, qeverisë apo Partisë Socialiste, në raport me një apo më shumë pjesëtarë të grupit parlamentar apo kabinetit qeveritar.

Komisioni i referohet:
a. Kësaj marrëveshjeje;
b. Statusit të deputetit (ligjit);
c. Rregullores së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, si dhe dokumentit “Roli i Deputetit të GPS në zonën zgjedhore që mbulon dhe punën parlamentare”;
d. Kodit të Etikës së Këshillit të Ministrave.

Komisioni shqyrton çështjet rast pas rasti, me kërkesë të palëve dhe ose mbi bazën e raporteve periodike, ku identifikohen çështje të marrëdhënieve në këtë marrëveshje.

 

Takime të tjera me kontribut në këtë marrëveshje:
6)      Takimi i Kryeministrit me kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat
Në takimin mes Kryeministrit, kryetarëve të Komisioneve Parlamentare dhe ministrave diskutohet ecuria e nismave ligjore specifike sipas fushave, vështirësitë, pritshmëritë, si dhe taktikat dhe zgjidhjet e mundshme.
Takimi zhvillohet çdo javë, si dhe sa herë të jetë e nevojshme.

 

7)        Takimi i Kryeministrit me anëtarët e grupit parlamentar dhe ministrat
Në takimin mes Kryeministrit, anëtarëve të Grupit Parlamentar dhe ministrave diskutohet strategjia e seancës parlamentare. Takimi zhvillohet çdo javë, si edhe sa herë të jetë e nevojshme.
Një herë në muaj gjithashtu, grupi parlamentar zhvillon në mbledhjen e tij të radhës seancë të lirë pyetje-përgjigje me ministrat.

 

Bashkëveprimi me deputetin
Në bazë të ligjit për statusin e deputetit, si dhe kësaj marrëveshjeje, është përgjegjësi e çdo ministri/ministreje të përmbushë dhe e Komisionit të Etikës të mbikëqyrë plotësimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e të drejtave të deputetit dhe procedurave sipas statusit të deputetit.

Çdo deputet ka të drejtë të njoftojë koordinatorët e marrëveshjes për rastet kur nuk janë përmbushur kushtet për të ushtruar të drejtat e deputetit si më sipër. Në rast mosveprimi të përsëritur, njoftohet Komisioni i Etikës dhe takimi i kryetarëve.
Trajtimi i kërkesave të deputetëve

Për të forcuar llogaridhënien e përgjithshme të qeverisë, kërkesat e deputeteve në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, cilësisht dhe sipas zones, paraqiten tek Kryetari i Grupit Parlamentar. Ato u përcillen për t’u ndjekur dhe trajtuar përmes Sekretariatit të Përbashkët, ministrit/ministres dhe/ose Kryetarit të Bashkisë sipas rastit.

 

Trajtimi i kërkesave nga anëtarësia e partisë/qytetarët

Kërkesat/ankesat mblidhen dhe regjistrohen nga kryetarët e organizatave, të cilët ia përcjellin kërkesat dhe ankesat nga takimet me anëtarët dhe qytetarët Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, të cilat, përmes Sekretariatit të Përbashkët që i regjistron ato, i komunikohen ministrit/ministres dhe/ose Kryetaritë të Bashkisë, sipas rastit, për t’i trajtuar dhe ndjekur ato.
Sekretarit të Partisë i paraqiten edhe kërkesa/ankesa të mbledhura nga takimet mbi bazë qarku dhe dëgjesat si më sipër.
Raporti vjetor i kërkesave/ankesave

Në fund të çdo viti hartohet një raport vjetor i kërkesave/ankesave, si dhe bëhet analiza mbi sa dhe si janë adresuar ato. Raporti hartohet nga Sekretariati i Përbashkët, që mban edhe të dhënat rregullisht për to dhe i drejtohet koordinatorëve.

 

Rolet dhe mjetet

Për të jetësuar marrëveshjen dhe ecurinë sa më të mirë të punës, palët angazhohen në rolet që i shërbejnë:
a) funksionimit të brendshëm të marrëdhënies mes tyre;
b) marrëdhënieve me anëtarësinë e partisë dhe qytetarët;
c) marrëdhënieve me palë të tjera.

 

Hartues i qëndrimeve strategjike

Palët caktojnë një hartues të qëndrimeve strategjike. Ky rol konsultohet në vazhdimësi me palët në takimet periodike sektoriale, si dhe koordinatorët.

Hartuesi i qëndrimeve strategjike harton deklaratat e pozicionit, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për palët, në punën dhe në qëndrimet e tyre.

Hartuesi i qëndrimeve strategjike caktohet nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar.

Organizatorët e Debatit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat të cilët hulumtojnë mbi çështjet për debatim a për kundërdebatim, si dhe deputetët të cilët do mbrojnë në debat pozicionin e partisë.

Pranë Kryetarit të Grupit Parlamentar shërbejnë dy këshilltarë, të cilët ndihmojnë debatuesit apo kundërdebatuesit në përgatitjen e seancës së debatit.

Ndërtuesit e konsensusit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat që punojnë për ndërtimin e konsensusit parlamentar, si edhe për kuorumet e nevojshme për aktet legjislative. Ky rol synon që aktet të marrin mbështetje sa më të gjerë, si dhe garanton kuorumin e nevojshëm për nismat tona ligjore.

Kujdestarët e marrëdhënieve brenda grupit dhe me anëtarët e kabinetit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton dy persona, të cilët kujdesen që marrëdhëniet e brendshme mes deputetëve dhe me anëtarët e kabinetit të jenë të ngrohta e miqësore.

Ndërmjetës/komunikues me opozitën

Palët bien dakord të caktojnë persona si ndërmjetës/komunikues me opozitën. Ky rol koordinon me palët, për të hapur linja dialogu me opozitën.

Ky rol synon që reformat e mëdha dhe me rëndësi të veçantë për vendin të marrin konsensusin e gjerë të deputetëve të kuvendit dhe në publik.

Ndërlidhësi komunitar

Kryetari i organizatës luan njëkohësisht rolin e ndërlidhësit të komunitetit. Ndërlidhësi komunitar mbledh dhe transmeton kërkesa/ankesa dhe problematikat e ngritura nga anëtarësia dhe qytetarët.

Ndërlidhësi komunitar mbështet të deleguarin e qarkut për organizimin e dëgjesave publike, për të zhvilluar koalicionin me qytetarët.

 

Ndërlidhësi social

Palët caktojnë persona si ndërlidhës socialë, të cilët shërbejnë si ndërlidhës mes tyre dhe grupeve të ndryshme sociale, shoqërisë civile dhe zonës “gri”. Ky rol synon të afrojë sa më shumë grupet sociale me qëndrimet dhe nismat e palëve.

Filtruesit e kandidaturave

Filtruesit e kandidaturave caktohen sipas nevojës për hulumtumin e kandidaturave për detyra dhe pozicione ku kuvendi ka rol në propozim dhe miratim.

Këtë rol e luan Komisioni i Posaçëm.

 

Dispozita të fundit
Palët bien dakord për hartimin e:
a)                  kalendarit të përbashkët për takimet periodike
b)                 kalendarit të përbashkët të punës për çështjet e parashtruara në këtë marrëveshje
c)                  kalendarit të dëgjesave publike
d)                 formatit të raporteve
e)                  protokollit të organizimit të takimeve
Palët zhvillojnë edhe mekanizma të tjera me synim nxitjen e marrëdhënieve sa më të frytshme mes tyre.

Bashkëlidhur kësaj marrëveshjeje gjendet lista e shtojcave:
Kalendari vjetor i takimeve (indikativ);
Ngarkesa vjetore e takimeve;
Tipologjia e takimeve;
Takimet sektoriale;
Pasaportat e roleve.

Please follow and like us: