Durrës, Kejsi prek zemrat e të gjithëve, shkolla, institucione, emigrantë e qytetarë mbledhin ndihma
ita e mërkurë shënoi ditën e dytë të nisjes së fushatës sensibilizuese për mbledhjen e kontributeve financiare për vogëlushen durrsake Kejsi Prizrendi, nxënëse e klasës së 4-ërt në shkollën 9-vjeçare “Kushtrimi i lirisë”, e prekur nga sindroma Stevens-Johnson.
Pas apelit të bërë në rrjetet sociale nga koreografi i njohur Arjan Plaku, shumë shkolla, institucione, biznesmenë, qytetarë të thjeshtë dhe emigrantë shqiptarë në vende të ndryshme të botës kanë nisur të mbledhin ndihma monetare për t’i ardhur në ndihmë 9-vjeçares, që po kurohet që nga data 9 shtator në spitalin e Padovës, në Itali.
Pas publikimit të apelit për ndihmë në portalin DurrësLajm, koreografi Arjan Plaku thotë se është kontaktuar nga shumë persona, të njohur e të panjohur, që kanë shprehur dëshirën të ndihmojnë familjen Prizrendi për të përballuar shpenzimet për kurimin e vajzës së tyre.
Për DurrësLajm, Plaku shprehet se kutitë e mbledhjes së ndihmave financiare janë shpërndarë tashmë në shkollën “Kushtrimi i lirisë”, “Vinçens Prendushi”, “Jusuf Puka”, “Rilindja”, “Migjeni” dhe kopshtin “Sotir Noka”, ku Kejsi ka ndjekur arsimin parashkollor . Të gjitha këto shkolla kanë kontaktuar vetë me koreografin Plaku dhe kanë shprehur dëshirën për t’ju bashkangjitur nismës.
Ndërkohë kutitë e mbledhjes së ndihmave do të vendosen nesër edhe tek shkollat “Bedrie Bebeziqi” dhe “Shaqe Mazreku”.
Por fushata sensibilizuese tashmë i ka kaluar kufinjtë e shkollave të qytetit të Durrësit, pasi edhe institucionet shtetërore i janë bashkuar asaj.
Koreografi Plaku tregon se është kontaktuar sot nga drejtoria e Sigurimeve Shoqërore në Durrës, drejtuesit e së cilës i kanë dorëzuar një sasi të caktuar parash dhe kanë vendosur kutinë e mbledhjes së kontributeve në ambientet e tyre për të vijuar me ndihma të tjera.
Nesër paradite, nga ora 08.30 deri në orën 13.00, dy nga instutucionet kryesore në Durrës, Prefektura dhe Bashkia do të mbledhin në ambientet e tyre para në ndihmë të vogëlushes Kejsi.
Koreografi Plaku falenderon me dhjetëra qytetarë durrsakë apo biznesmenë që e kanë kontaktuar për t’i treguar se i janë drejtuar bankës Intesa san Paolo për të derdhur në numrin e llogarisë kontributin e tyre modest. Ndërkohë Plaku përmend telefonata dhe kontribute financiare nga emigrantë nga Australia, Zvicra etj, dhe për këtë ai ka hapur një llogari edhe në euro pranë bankës Intesa. Plaku shton se edhe personazhe VIP si humoristi Bes Kallaku etj. i kanë bërë share apelit për ndihmë në rrjetet sociale.
Ndërkohë, pjesëtarët e grupit të kërcimit të koreografit Arjan Plaku do të ndahen në fundjavë në 3 grupe për të lëvizur në pika të ndryshme të qytetit të Durrësit, në lokale e restorante, për t’i njohur nga afër qytetarët me këtë nismë sensibilizuese dhe për të mbledhur kontribute modeste nga kushdo që shpreh dëshirën për t’i ardhur në ndihmë familjes Prizrendi.
I pyetur nga “DurrësLajm” për gjendjen shëndetësore të vogëlushes 9-vjeçare, Plaku sqaron se ajo ndodhet ende në gjendje kome, por reagon përmes aparaturave ndaj fjalëve të prindërve. Lajmi i mirë është se fatmirësisht infeksioni që e ka prekur Kejsin nuk ndodhet më në gjak, por vetëm në lëkurë tashmë. Shpresojmë që ashtu siç është dëshira e shokëve dhe shoqeve të shkollës, mësuesve por dhe atyre që tashmë luten për shëndetin e vogëlushes, Kejsi të rikthehet shëndoshë e mirë dhe të jetë sërish ajo vogëlushja e shkathët, apo “rrufeja”, siç e quante njëra nga mësueset e saj.