Faksimile tronditëse: Përse Lubonja denonconte Demalinë në 1970 në organizatën bazë të partisë në Albimport?
Dy motrat nga Shkodra as që e mendonin se do të ndodhte ajo ngjarje e rëndë në 11. XII. 1970, teksa kishin ardhur në kryeqytet, në Tiranë për të parë vëllain e tyre të sëmurë dhe të shtruar në spital. Bëhet fjalë për motrat Shpresa Ç. 33 vjeç dhe Behije V. 22 vjeç, të cilat sapo zbritën në Tiranë shkuan të sistemoheshin në hotel “International”. Papritur në dhomën e tyre të hotelit shfaqet një burrë i gjatë, i cili trokiti në derë dhe u tha dy motrave se ishte Oficer i Sigurimit të Shtetit. Ato në fillim nuk besuan dhe i kërkuan personit të nxirrte dokumentin. Personi nxorri një dokument shumë të vjetër, (të falsifikuar) si punëtor operativ dhe hyri me forcë në dhomë, madje jo vetëm kaq por i tërhoqi me dhunë dy motrat për të shkuar te një dhomë tjetër e po këtij hoteli ku ndodhej një shok i tij. Klithmat dhe lebetitjet e grave mblodhën sakaq punonjësit e hotelit dhe pak më vonë punonjësit e policisë arrestuan në flagrancë personin që hiqej si punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe shokun e tij. Detaje më shumë rreth kësaj ngjarje jep relacioni i shokut Lubonja, zv/sekretar i oraganizatës bazë të partisë së Albimportit, hartuar 9 ditë më pas nga ngjarje e tmerrshme e tentimit të përdhunimit.
VENDIM
MBI PËRJASHTIMIN E A.P. TË SHOKUT BINAK HAXHI DEMALIAJ
Organizata bazë e partisë e N.SH. Albimportit, e mbledhur më datën 27.XII. 1970, mori në anlizë qëndrimin e shokut Binak Haxhia dhe xhestin e tij të pa përshtatshëm si komunist:
VËREJTI
Shoku Binak Haxhi Demaliaj ka lindur më 1933 në katundin Pac të rrethit të Tropojës, është me origjinë shoqërore fshatar i mesëm dhe në gjendje nëpunës officer në lirim dhe me punë në Albimport. Familja e tij ka mbajtur qëndrim të mirë politik. Ka 4 vëllezër të tij A.P. dy prej të cilëve Hasan dhe Shaban Haxhia kanë qenë oficerë në M.P. Brendëshme dhe sot janë në rezervë. Vetë Binaku ka marrë pjesë në reshtat partizane që në Prill të 1943 në bataljonin “B. Curri” ku ka qëndruar deri në çlirimin e vendit, pastaj është liruar për arsye të moshës.
Në vitin 1950 meret në punë në organet e M.P. Brendëshme në fillim në shkollë dhe më vonë punëtor operativ sigurimi. Në vitet 1959-1961 është dërgur dy vjet në shkollën e sigurimit në B.S. për t’u specializuar në detyrën e punëtorit të sigurimit. Gjatë kësaj kohe ka kryer detyrat e ngarkuara, ka kryer funksjone të ndryshme si punëtor operativ, përgjegjës grupi, referent dhe më vonë përgjegjës seksioni duke filluar nga viti 1968. Në vitin 1969 del i pa aftë për në organet e sigurimit dhe në muajin janar 1970 është emëruar si economist për sigurimet në Albimport.
Gjatë kësaj kohe Binaku nuk ka punuar pothuaj se fare për arsye se ka qenë vazhdimisht i sëmurë. Në datën 11.XII. 1970 ka shkuar në Hotelin “Internacional”, në orët e vona të natës dhe ka tentuar të përdhunojë me forcë dy shoqe që kishin pronotuar vend për fjetje. Binaku shkon me një dokument të vjetër të punëtorit të sigurimit dhe u paraqitet duke i kërcënuar t’i ndiqte pas. Duke vepruar me koshiencë dhe i para përgatitur shoku Binak jo vetëm kërkon të përdhunojë njërën, por mer dhe tjetrën (ishin motra) dhe e mbyll në një dhomë nga shok i tij prej Tropoje. Në këto moment u kap nga shokët e Hotelit dhe i shoqëruar u dërgua në organet e policisë dhe më vonë u arrestua.
Organizata bazë e partisë duke analizuar këtë qëndrim shumë të ulët të shokut Binak, mbasi diskutoi dhe e dënoi veprën e tij që nuk përputhet me normat e moralit tonë socialist dhe me titullin e anëtarit të partisë, pa marë parasysh të kaluarën dhe meritat e tij, organizata bazë me vota unanime:
VENDOSI
Që shoku Binak Haxhi Demaliaj të përjashtohet nga radhët e partisë të Punës Shqipërisë, si i pa denjë për të qëndruar në radhët e partisë mbasi me veprën e tij ai njollosi titullin e lartë të komunistit dhe nuk e justifikon qënien e tij në radhët e partisë.
ZV/SEKRETARI I ORGANIZATËS BAZË TË PARTISË SË ALBIMPORTIT
KOÇI LUBONJA
Tiranë më 20.XII. 1970