Albspirit

Media/News/Publishing

Amanda Bennett sjell “Zërin e Amerikës, për një mësim shqiptar”

 

“Amanda Bennett do të jetë në Ballkan në fund të shtatorit, – në të njëjtën periudhë edhe në Tiranë. Do të kesh rastin ta takosh”, – më shkruan në email një mik, diku në javën e dytë të muajit. Për herë të parë në historinë 75-vjeçare të Zërit të Amerikës, drejtuesja e një prej burimeve më të fuqishme të informacionit, financuar nga qeveria amerikane, bën një vizitë në rajon, me një ndalesë dyditore në Tiranë.

Për një gazetar, mundësia për të shkëmbyer mendime e për të intervistuar një emër si Amanda Bennett, konsiderohet e artë. Fituese e dy çmimeve Pulitzer, gazetare e vlerësuar investigative, drejtuese e një skuadre globale reporterësh dhe redaktorësh tek “Bloomberg News”, me përvojë në “The Philadelphia Inquirer”, “Herald-Leader”, “The Oregonian”, “Wall Street Journal”, reportere e Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit. Autore e gjashtë librave, anëtare e bordit të Çmimeve Pulitzer dhe bashkëthemeluese e “The Dream US” – që siguron bursa studimi për fëmijët e emigrantëve, – kjo grua ka marrë në kohë të vështira për median, drejtimin e një gjiganti të tillë, me një rol të rëndësishëm edhe në ndryshimet demokratike në Shqipëri, e gjatë periudhës së tranzicionit.

E thjeshtë, energjike, me një rozë të purpurt faqeve, – nga përfshirja menjëherë e plot pasion në bisedë për punën e saj, – duke theksuar me krenari se është e para drejtuese që vjen në Shqipëri në 75 vjet të ekzistencës së VOA-s, përmend më shumë se një herë, se media po kalon ditë të vështira. Se është e ndërgjegjshme për kufijtë e ri që kërkohen t’i imponohen medias tradicionale, porse nuk ka ndërmend të pranojë asnjë justifikim mbi cedimin e rolit të gazetarit, kudo qoftë.

Burimi ndërkombëtar i lajmeve, financuar nga qeveria amerikane, Zëri i Amerikës, ka mision të vetin dhënien e informacioneve objektive dhe historive të Amerikës, kudo në botë. Pas ardhjes së Trump-it në Shtëpinë e Bardhë dhe disa ndryshimeve në konceptin drejtues, të shumtë ishin ata që dyshuan, nëse Zëri i Amerikës do të mund të rezistonte, për të mos u shndërruar në një megafon të presidencës së tij.

Dhe Bennett e ka përgjigjen të shpejtë, nuk i duhet të mendohet gjatë. Sipas saj, ligji që ka qenë në fuqi para ardhjes së tij në pushtet, mbetet ende i tillë e as nuk është ndikuar nga retorika e ashpër ndaj mediave. Aty buron mburoja e institucionit që drejton, tek ligji që e përcakton VOA-n si burim i pavarur informacioni, ndarë nga qeveria amerikane, ndarë nga çdo qeveri në thelb.

Dhe “lëkura” e kësaj mbrojtjeje, i ka të gjitha shtresat, sepse përpos ligjit, janë parimet gazetareske, historia, karta, standardet, pasioni për të bërë raportim të drejtë, të balancuar, të ndershëm, kurrë të bazuar në vetëm një burim e që nuk shpreh këndvështrimin e kundërt.

Ndërsa dëgjoja zonjën Bennett të më përgjigjej me vendosmëri, mbi arsyet se përse Zëri i Amerikës nuk mund të paragjykohet për një rrëshqitje drejt megafonit të pushtetit, me mendje rrekesha të artikuloja pyetjen e radhës. Duke çmuar fjalëkyçet që përdori me aq kujdes, duke i mëshuar bashkëtingëlloreve, që fjala të dilte e plotë dhe të çante monotoninë e frazave, tashmë, të njohura mbi rëndësinë e parimeve dhe ligjeve në gazetari, ia ripërsërita, ngadalë, në po të njëjtën renditje: pra, institucionet e forta, ligji i mirëndërtuar, respektimi i tij nga të gjitha palët, parimet gazetareske të pandryshuara pavarësisht administratave, transparenca e financimit, kontratat e mirëpërcaktuara të punës, i japin të drejtën drejtueses së Zërit të Amerikës, të mëtojë për gazetari të lirë. Një gazetari larg ndikimit të pushtetit, në prodhim të lajmit, në mbledhje të fakteve, në kërkim të së vërtetës. Dhe e pyes, nëse Amanda Bennett do të kishte rastin të jetonte e punonte në Shqipërinë, ku kryeministri ka një retorikë të fortë antimedia, duke e etiketuar kazan, në Shqipërinë e institucioneve të dobëta, ligjit sfiduar hapur në zbatim, parimeve të lëkundura gazetareske nga ndërhyrja e pronarëve dhe shefave të lidhur me pushtetin e interesa politike, të transparencës së munguar të financimit të mediave, kontratave të panënshkruara, apo ndërtuar për mbrojtje të njëanshme të punëdhënësit e jo punëmarrësit, pagesave në të zezë, si do të mund t’i përgjigjej akuzave se po ndërtonte një media propaganduese të pushtetit, që nuk evokon vlera, por shitje, që nuk sublimon interesin publik, por audiencën me çdo kusht?

Dhe Zonja Bennett, pas një pauze të shkurtër, m’u përgjigj: “Kësaj pyetje mund t’i ktheni ju përgjigje, në këtë sallë, gra e vajza, që përballeni me këtë realitet çdo ditë. Disa ia keni dalë, sipas asaj që di e kam mundur të kuptoj, disa jo. Por vetëm ju mund ta dini, për mua është një realitet që nuk e kam provuar dhe nuk do të doja kurrë ta provoja, por le t’ju inkurajojmë të vijoni të rezistoni për të mbrojtur në emër të punës suaj, interesin publik.”

Nuk pata kohë t’i tregoja, se si jam gjendur në pozicione ekstreme, përgjatë viteve të punës, me ndërrime administratash e interesa pronarësh, herë pjesë e propagandës, rrëmbyer gati me kërcënime e revansh për të mbuluar një vend pune që i kushtoja pasionin tim për profesionin e zgjedhur, e herë pa punë, për të mos mbajtur mbi lëkurë kundërmimin e kazanit dhe aromën e flirtimit të pronarit me pushtetin e radhës. Nuk munda dot t’i tregoj, se dilemat morale janë ekzistenciale në vendin ku nuk të mbron asnjë kontratë e asnjë sindikatë. Nuk pata kohë t’i tregoja, se si një nga emrat më të rëndësishëm në media, për një qëndrim të fortë në emër të lirisë së shtypit, ka provuar muajt e fundit të pa provueshmen, fshirjen e programeve të tij në you tube dhe sot nuk e përçon më fjalën me programin e përjavshëm. Si t’i shpjegoja se si i ndryshojnë në kohë rekord logot gazetarët, në kërkim të vendit që u garanton kontrata të drejta pune e liri editoriale. S’pata kohë t’i flas, se si sindikata jonë e gazetarëve nuk ekziston për të mbrojtur racën e vet në zhdukje, se si komuniteti ynë ndahet prej logove, i dëgjon parimet e gazetarisë të riformuluara nga pronari dhe merr pagën kur sponsori të ketë likuiditet. Nuk munda të mbështesja më gjatë, një nga pedagoget më të përgatitura në komunikim, teksa sillte nëpër mend përvojën në një nga universitetet amerikane, ku studentët e komunikimit me vështirësi artikulonin dy tre emra të gazetarëve më të mirë, sipas tyre. Imagjinoni çfarë misioni ky për Shqipërinë. Mbi të gjitha, për të rënë dakord që në zanafillë, se kë do të cilësojmë gazetar të mirë.

Unë do të kisha dashur të qëndroja gjatë me gruan Pulitzer në investigim, me gazetaren e disa prej mediave më të forta në botë, sot kreun e një gjiganti mediatik si Zëri i Amerikës, e të ndërronim vendet në diskutim, duke ruajtur një konstante. Atë të faktit se sot, si në Shtetet e Bashkuara të rekordeve demokratike, si në Shqipërinë e demokracisë brinjëthyer, media është nën sulm të fortë. Media kundër interesit publik, media si trafikuese e fake neës (lajme të rreme), gazetarë të intimiduar deri në vetëcensurë. Media është e diskretituar.

Nëse sot, pyet këdo shqiptar, për vlerat që përcjell gazetaria, mund të nisë e të listojë një sërë kritikash të forta, ta neverisë për komercializmin që e ka bërë median të varur nga reklamat e konsumi, mund të mallkojë edicionet informative për rreshtimin pa kushte ndaj interesave të parasë së madhe, mund të shajë e shitojë çdo program që ndërtohet vetëm mbi skandalet rozë. Dhe drejtuesit e medias do të përgjigjen, atë do publiku. Kush dikton në këtë rast? Të kesh mundësi të bësh media të lirë, garantohet nga një parim i padiskutueshëm që, në vendin e rekordeve demokratike, është sanksionuar në Amendamentit e Parë të kushtetutës me 5 të drejtat themeltare të njeriut. Mes tyre, ajo e lirisë së shprehjes dhe shtypit. Nëse ndjehemi të kërcënuar të mendojmë e reagojmë brenda një kutie, shumë herë më të vogël se limitet që përcaktojnë të drejtat tona themeltare, beteja nuk është vetëm e medias për të mbijetuar e lirë, por e secilit prej nesh. Media është në këtë situatë, sepse secili prej nesh ka pranuar të jetë në këtë situatë.

Që kur vendosim ta shohim e të mos e bojkotojmë në sharlatanizmin e saj për të mos prodhuar vlerë, për të shkatërruar jetë njerëzore e për të ndalur fjalën e lirë. Për t’u kruspulluar në vetëcensurë, për t’u fshehur pas financimeve të parregullta, për të mos funksionuar në një logjikë të drejtë biznesi, por përmes aferash të dyshimta, për të mos respektuar kontrata pune, personalitet gazetarësh e opinionet e tyre të lira. Për të mos bërë detyrën e saj themelore, një gardiane e paepur e çdo abuzimi të pushtetit, për të mos ripërkufizuar lajmin në gramatikën e propagandës.

Nëse shtatë shtresat e lëkurës së gazetarit, – që i garantojnë mburojën profesionale, -sfidohen nga pushtete që duan veç të promovojnë veten, të heshtin çdo zë kritik, e të mos respektojnë pluralizmin e mendimit, i pari që e pëson, është interesi publik. Nuk mund të presim që gazetari i vetëm të rezistojë, pasi ia rrjepin mirë çdo shtresë që e mbron nga makineria shkatërruese e pushtetit të çdo forme. Patjetër që ka mes tyre nga ata që e bëjnë me dëshirë zhveshjen e çdo lëkure që i jep mundësinë të jetë profesionist, i ndershëm e i dedikuar. Por nëse i konsiderojmë të gjithë njësoj, kjo legjitimon edhe përcaktimin kazan që i bëhet çdo sekonde transmetimi, çdo germe shtypi në mediat shqiptare, nga ai që armikun më të madh ka bash shtypin e lirë dhe publikun e mirë informuar. Dhe ky shqetësim nuk është vetëm yni, …

Bennett ta kujton shumë shpejt, se Zëri i Amerikës nuk është në biznesin e propagandës, por në atë të së vërtetës. Dhe audienca sipas saj, ndërtohet nga besueshmëria. Dhe e vetmja mundësi për të rritur besueshmërinë, është kërkimi i së vërtetës. Për këtë, Bennett nuk pranon as ekzistencën e konceptit fake neës (lajme të rreme), një togfjalësh ku fjalët përjashtojnë njëra-tjetrën: s’mund të jetë lajm, nëse është i rrejshëm, s’mund të jetë i rrejshëm, nëse është lajm. Dhe këtë përkufizim të lajmit, jo vetëm Bennett, por askush nga korifenjtë e gazetarisë, nuk pranon ta vërë në funksion të kohës, epokës, rrethanave. Ndaj është kaq e qartë për publikun, se cilat media ndodhen në biznesin e propagandës e cilat në të së vërtetës, cilat kërkojnë audiencë me çdo kusht, e cilat mbrojnë me çdo kusht interesin publik. Nëse duke i bërë rezistencë lajmit, mediat mendojnë se humbasin audiencë, rasti i Zërit të Amerikës që transmeton në 47 gjuhë, në televizion, radio e celularë, dëshmon se bota është e etur për të besuar, për lajmin dhe informacionin. Audienca është rritur ndjeshëm, në këto vitet e fundit, sipas Bennett. Dhe kush mendon se audienca shtohet duke e bërë televizionin një mjet propagande zbrazur informacioni, lajmesh e vlerash, nuk është duke bërë media. Nuk është duke krijuar model biznesi mediatik. Nuk është duke ndërtuar interes publik. Thjeshtë është ngushtuar tek audienca e gatshme, për të gëlltitur çfarëdo t’i jepet e për të besuar se gomari fluturon.

Pesimizmit e pasivitetit që krijohet enkas, për të dëshmuar rrënimin e vetë audiencës që dikton përmbajtjet mediatike (kjo kërkon analizë më vete), Amanda Bennett i përgjigjet me këtë recetë: “Gjendja e medias këtu në Shqipëri, pasqyron po ashtu gjendjen e mediave kudo në botë, ku ka shumë presione politike, ekonomike, dhe ekziston një betejë për të patur sa më shumë ndikim, gjë që i shtyn palët të polarizohen. Kjo betejë është më e ashpër se asnjëherë më parë, ndaj edhe bashkëpunimi midis vetë medieve, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Njerëzit kërkojnë gjithmonë të vërtetën, por në kohët e sotme, gazetarëve u janë shtuar vështirësitë për ta gjetur atë, sepse ajo gjendet e fashitur midis shumë detajesh të tjera të pavërteta. Ndaj edhe bashkëpunimi mes gazetarëve, është i rëndësishëm për të verifikuar të dhënat dhe për të nxjerrë shkrime të sakta e të ndershme”. Pra, të jemi bashkë, të mendojmë si komunitet gazetarësh e jo thjeshtë si punonjës që do të çojmë bukën e fëmijës në shtëpi. Nëse rezistojmë të gjithë, nuk do ta kenë të lehtë. Se ka mbetur ende pasion, dëshirë, ego, profesionalizëm, mes kolegësh shumë të talentuar. Një pjesë mbajnë portale, një pjesë punojnë freelancer e një pjesë ka ndërruar profesion. Ata që kanë mbetur, rreken të rezistojnë e të tjerë të përshtaten. Por kaq të ndarë sa jemi, nën presionin e një politike që kërkon të kthejë majat e penës kundër njëri-tjetrit, për të tërhequr vëmendjen nga të pabërat e veta, pa një solidaritet të shprehur masivisht në sa e sa parregullsi, padrejtësi e abuzime ndaj kolegëve, vështirë se do dalim nga qerthulli i krijuar. Aty ku po na vënë në llogore karshi audiencës, në pasiguri përballë pronarëve, të zbuluar ndaj sulmeve politike, do të vijojmë të vuajmë profesionin që dalëngadalë po na le shëndenë, për t’u bërë punonjës të bindur të pronarit, propagandës, apo shitës ambulantë reklamash televizive

Please follow and like us: