Albspirit

Media/News/Publishing

Zamira Çavo: Mes Rigertës dhe post-Rigertës qëndron Shqipëria

 

Ajo zgjodhi të përçonte mesazhin e saj në mënyrë patetike. Ndoshta për të tërhequr më shumë vëmendjen e atyre që e dëgjonin, por me siguri nuk e ka pritur gjithë atë “vëmëndje” që kapërceu dyert e një sesioni parlamentar të quajtur RURAL. Nëse nuk do të kishte folur Rigerta ndoshta shumë prej nesh as nuk do u kishte shkuar cepi i syrit, pale mendja, në këtë lloj show parlamentar. Por ishte Rigerta. Ja që politika pati fat edhe këtë rradhë dhe pse ajo vajzë zgjodhi t’i thoshte më shumë elegancë dhimbjet që ka fshati shqiptar.

Në fakt të gjithë e njohin rënkimin e fshatit. S’kishte asgjë të re në çka tha ajo. Në çdo fjalë të sajën ishte Shqipëria. Ajo e varfra, migjeniania e shekullit të 21-të. Rigerta bëri gjithçka, me mendimin e saj, me zërin e saj, me lotin e saj të kërkonte atë çka shteti duhet ta kishte në plan të parë: publiken. Sepse për privaten ajo nuk ia shtriu dorën shtetit dhe pse pati gjithë të drejtën ta bëntë këtë. Dilpoma e saj ia lejonte. Por ajo zgjodhi një rrugë tjetër, ndaj zëri i saj sot është rënkimi i Shqipërisë.

Por ka dhe një Shqipëri tjetër, ajo post-Rigertë. Ajo fillon nga rrjetet sociale e përfundon në tryezat familjare. Si gjithnjë opinionet ngazëlluese do njollosen nga “dyshimet” për çka tha e si e tha vajza mirditore. Dikush do të bëj të mënçurin duke i thënë se “shko puno jo me dhi, por për atë çka u diplomove e mos shit mend”. DIkush tjetër do ta quante Lenka Çuko e kohës sonë… Kjo është Shqipëria. Eshtë Shqipëria e shqiptarëve që bëjnë të mençurin, të revoltuarin, interesantin, kundërshtarin e pamend… Ndërsa politika do nxitojë me siguri t’i ofrojë vajzës “sapiensiane” një vend drejtues diku në Ministri…Por realiteti do mbetet po ai i Marisë …“Që si vajzë e si nuse voton ata që premtojnë t’i sjellin rrugën…”.

Sepse politikës nuk I vjen asnjë e keqe nga fjalët, as nga mesazhet, as nga zemërimi ynë fejsbukian. Qeveria dhe politika dridhen nga reagimi ynë i përbashkët. Drishen nga veprimi ynë. Ndaj dhe Rigerta nëse nuk shërben si lokomotivë e bashkimit të atyre që kërkojnë ndryshim, do të mbetet thjeshtë një zë i harruar dhe një fytyrë e përditshme e ekraneve tona.

Please follow and like us: