Albspirit

Media/News/Publishing

Elbasani, histori vrasjesh; krimet e pazbardhura që nisën në 2005

Ngjarja më e fundit kriminale në qytetin e Elbasanit, ku u godit mjeti i nëndrejtorit të policisë, ka detyruar policinë dhe prokurorinë që të rindërtojnë historikun e të gjitha konflikteve të rënda të armatosura dhe jo vetëm në këtë qytet, të cilat kanë mbetur të pazbardhura ose personat e dyshuar ende nuk janë kapur nga policia. Në shumicën dërrmuese të krimeve të mbetura pa autorë rezultojnë të përfshirë apo të dyshuar anëtarë të familjes Çapja. Historia e krimeve të pazbardhura ka si moment nisjeje vitin 2005. Në dhjetor të këtij viti, pas një konflikti mes ish-shefit të Qarkullimit Rrugor të Elbasanit Fadil Mema dhe Sokol Çapjas mbeti i vrarë ky i fundit. Policia identifikoi si autorë nipat e oficerit të policisë. Nuk do të vononte reagimi, kur në maj të 2006 vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi. Pas një periudhe qetësie të rremë, kalvari i vrasjeve rihapet në vitin 2012 me Gentian Beqirin, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjas dhe që ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata. Dhe pas kësaj ngjarjeje tentohet të vritet edhe Fadil Mema, i cili mbeti i plagosur. Ngjarjet do të zhvendoseshin në Itali, ku në mars të vitit 2015 ekzekutohet ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema, në qytetin e Torinos. Ndërsa një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjarë të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi një atentat i rëndë që njihet si “masakra e Elbasnait”, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan. Ndërsa në prill të 2016-s ekzekutohet në një hotel në Tiranë shtetasi Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës. Të gjitha këto ngjarje, asnjëra prej të cilave gjatë dekadës së fundit nuk është zbardhur plotësisht nga drejtësia, i kanë dhënë mundësi grupeve rivale që t’i lajnë vetë hesapet, të cilat duket se jo vetëm nuk janë mbyllur, por po bëhen akoma edhe më të rrezikshme, edhe për sigurinë publike. Në ngjarjen e fundit, në incidentin me policinë, e para Partia Demokratike nxorri emrin e një tjetër familjeje Çelaj. Emrat e tyre u përmendën edhe nga ministri Xhafaj në Kuvend.

 

Vrasjet e Elbasanit:

  1. Dhjetor 2005, vritet Sokol Çapja
  2. Maj 2006, vritet Ardian Ibrahimi
  3. Gusht 2012, vritet Gentian Beqiri
  4. Gusht 2012, plagoset Fadil Mema
  5. Mars 2015, vritet Fadil Mema
  6. Shkurt 2016, vritet Agron Capja
  7. Shkurt 2016, vritet Ardit Sinakolli
  8. Shkurt 2016, vritet Eno Badelli
  9. Prill 2016, vritet Dritan Sheme
Please follow and like us: