Albspirit

Media/News/Publishing

Ermir HOXHA: Videoja e turpshme e Elbasanit, nevoja për mosbindje civile

Imazhi i policisë shqiptare ka marrë një goditje të fortë pas publikimit të një videoje me incidentin e Elbasanit, ku një Audi luksoz i blinduar çon zvarrë automjetin e zv. shefit të policisë  dhe më pas largohet me një qetësi triumfale duke e lënë shtetin si të dhjerë me pistoleta ndër duar, si të ishin, ata, përfaqsuesit e saj lolo, e armët lodra.

Tendencat për t’i justifikuar shfaqur në dy raste në media nga drejtues të saj ftuar në studio televizive, kanë qenë mëse teatrale. Të strukur si pas frazave nervangritëse të tipit “po ndiqen gjithë procedurat…”, ata kanë ngjarë sa si gjynhaqarë e sa si abuzues e të papërgjegjeshëm, në formën e zgjedhur për t’i hedhur gjindjes, trutë e gomarit.

Më keq akoma kur zbythjen e policëve karshi krimit në timon, e kanë përligjur me kujdesin për jetën. Ata, si dhe ne, e dimë fare mirë që të punosh në rend ka risk jete. Dhe ata nuk i ka çuar kush me zorr në atë detyrë. Në liri të plotë kanë zgjedhur të jetojnë duke punuar në një profesion me risk.

Në një tjetër gjykim, puna dhe misioni i tyre nuk niset nga perspektiva për të ruajtur jetën e tyre më s’pari, por atë të qytetarëve. Dhe në pozita të tilla, siç qenë atë natë ata, porsi në një betejë, ushtari, polici në rastin konkret, e kalon jetën e vet në plan të dytë, ku në të parin ka asgjesimin e armikut, në rastin konkret kriminelit, aq më tepër ku ai edhe tall trapin me ta. G

oditja me makinë dhe zhvendosja zvarrë qoftë dhe një metër, ngjante ndër të tjera, e përkthyer kjo si formë sfidimi, edhe me prekjen në hundë që drejtuesi i Audit u bëri policëve, një gjest ç’burrërues në mendësinë shqiptare.

Falë asaj videoje, u pa qartazi me figurë, pa qenë nevoja aspak për zë, se në ç’gjendje është katandisur policia shqiptare, e nënshtruar dhe e dorëzuar totalisht ndaj krimit.

Dhe nuk është për t’u çuditur se përse drejtues të saj, siç dhe deputeti Pjetrin Ndreu, kreu i komisionit të sigurisë, një ish-kryepolic, e skicojnë suksesin e policisë, reformimin e pretenduar të saj nën erën e Rilindjes, tek gjobat e rrugores, duke bërë një zhvendosje me stil nga njëra degë në tjetrën.

Dhe kjo është akoma më e shëmtuar, akoma më abuzive, që, ndërsa krimi vijon të ngadhnjejë, të jetojë kohë relaksi, forca e policisë ka përfunduar tek marrja me rripin e sigurimit.

Pas gjithë kësaj, çështja që shtrohet është se si ata policë që krimi i shndërroi në hunj gardhi, do shkojnë e të firmosin marrjen e rrogës në fund të muajit?

Si do i marrin paratë e taksave që shqiptarët i paguajnë si çeçua prej një regjimi policor fiskal, teksa jua kanë lanë krimin të lirë rrugëve, porsi një tufë pitbullësh, që t’i kafshojnë, t’ju nxijnë jetën.

Dhe debati mbi atë video duhet orientuar dhe në këtë.

Madje në këtë pikë është dhe thelbi i këtij debati. Dhe sot, bash sot, si shkak i asaj videoje, shqiptarët kanë të gjithë të drejtën e Zotit që të shkojnë drejt një mosbindjeje civile, të refuzojnë t’i paguajnë taksat këtij shteti, ose më e pakta të mos i ndalen kësaj policie në rrugë, pasi ta kenë hequr edhe rripin e sigurimit e të ecin me ç’ shpejtësi të duan, qoftë dhe pa patentë.

Ekstreme si thirrje, ekstrem si reagim po të ndodhte (ah që s’ndodh!), por do ishte e vetmja mënyrë për ta bërë zap të keqen, atë që se bën dot policia, si dhe policinë vetë, që në rastin më të mirë merr pagë pa e bërë punën, dhe në rastin më keq merr po ashtu pagë duke u bërë njësh me krimin.

Është e njëjta logjikë si në rastin e mospagesës së energjisë, një prej kuazave pro-shtet të Ramës, i cili i mëshon një arsyeje të ftohtë tregu: merr shërbim – paguaje. Kështu duhet të funksionojë dhe me policinë.

Ata atë natë nuk e kanë ofruar shërbimin për të cilin paguhen, përballjen me krimin. Është vërtet koha, por dhe nevoja, për mosbindje civile!

Please follow and like us: