Festim Lato në Vlorë shiti për eurodeputetë ca mashtrues të vegjël që vinin nga Athina
Këta dy persona Jeroen Zandberg dhe Yohan Byrde para se të vinin në Vlorë ishin në Athinë si përfaqësues i shoqatës për shkëmbimin ndërkombëtar të afrimit të kombeve me njëri-tjetrin (International Exchange Bringing Nations Together-INEX) dhe bënë një takim me sekretarin e financave të Presidentit të Greqisë, Stavros Karvunis…
Nga Arben Llalla
Ditën e shtunë në Vlorë u mbajt një manifestim për Çështjen Çame, ku klani mashtrues i të dënuarit disa herë për vjedhje dhe mashtrime Festim Lato, i cili jeton në Hollandë kishte sjellë dy shtetas hollandezë, të cilët na i paraqitën si eurodeputetë, ambasadorë apo diplomatë të BE-së. Por, e vërteta është se këta dy hollandezë nuk janë as eurodeputetë, as diplomatë e as ndonjë farë personaliteti. Kishin ardhur edhe disa shqiptarë nga Kosova, Presheva e Maqedonia, të cilët janë mashtruar nga njerëzit e shërbimit të sigurimit të Greqisë. Ajo që është edhe më tragjike në emër të Çështjes Çame, Republikës Fantazmë të Çamërisë, Pasaportave të Çamërisë janë mbledhur rreth një milion euro. Vetëm një shqiptar nga Kosova ka dhënë i gjori 300 mijë euro. Por, a duhet të ndërhyjë Shqipëria dhe Kosova? Këto dy shtete nuk mund të ndërhyjnë, përderisa nuk ka denoncim nga njerëzit e dëmtuar. Kur ata të kuptojnë mashtrimin duhet t’i drejtohen institucioneve përkatëse. Deri atëherë do jetë tepër vonë. Por, cilët janë dy holandezët që na u paraqitën në Vlorë më 30 shtator. Jeroen Zandberg, është antar i organizatës jo qeveritare UNPO, (www.unpo.org) që kujdeset për popujt pakicë, që janë shpërngulur si pasojë e dhunës, gjenocidit. Kjo shoqatë merret me hetimet, të sjellë sa më afër popujt që kanë mosmarrëveshje, pra paqedashës.
Për fat të keq kjo organizatë nuk ka asnjë ndikim në politikën ndërkombëtare. Ajo është thjesht organizatë për thithjen e fondeve në përkujdesje të refugjatëve të konflikteve sidomos atyre në Azi e Afrikë. Kjo organizatë, UNPO merret me përkujdesjen për refugjatët e konflikteve për t’ju siguruar veshmbathje dhe ushqime ditore. Por, Çështja Çame nuk është më problem aziatik apo afrikan mbijetese, por një problem europian, ku zgjidhja pritet nga BE. Shqiptarët e Çamërisë nuk janë më jetimë, të uritur apo këmbëzbathur, që të kërkojnë përkujdesje nga këto shoqata që veprojnë në botën e tretë. Personi tjetër që ishte në Vlorë është Yohan Byrde, shtetas hollandez me origjinë indiane nga Sri Lanka. Yohani na paraqitet si kryetar i një partie PLDP, Partia Liberale Demokratike Progresive. Kjo parti është si ato 100 partitë fantazëm në Shqipëri, që nuk u dihet adresa juridike, por që qarkullojnë vetëm në fushën e pafundësisë së internetit.
Këta dy persona Jeroen Zandberg dhe Yohan Byrde para se të vinin në Vlorë ishin në Athinë si përfaqësues i shoqatës për shkëmbimin ndërkombëtar të afrimit të kombeve me njeri-tjetrin (International Exchange Bringing Nations Together–INEX) dhe bënë një takim me sekretarin e financave të Presidentit të Greqisë, Stavros Karvunis rreth fondeve të BE-së, menaxhimin e krizave të refugjatëve sirianë.
Këto takime u zhvilluan nëpër restorante të Athinës, kuptohet drekat paguhen nga shqiptarët e mashtruar nga Festim Lato, i cili na i paraqiti si takime për Çështjen Çame dhe republikën e tij fantazëm. Ka dyshime se këta persona në Greqi mund të kenë takuar edhe njerëzit e sigurimit grek për të marrë direktivat se deri ku e kanë lejuar për të përmendur Çështjen Çame, mënyrën e fjalorit.
Shqiptarët e mashtruar nga Festim Lato, sidomos ai i Kosovës që i ka dhënë 300 mijë euro, t’i harrojnë paret e dhëna, si dhe punët e tjera. Nëse duhet të dalin nga kurthi ku i ka futur Lato duhet t’i drejtohen institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës sa nuk është vonë, ndryshe pas disa muajve as Laton, as Yohanin e Jeroen nuk do mund t’i gjejnë, sepse njeri do struket në Hollandë, tjetri në Kanada dhe në Afrikë.
Shikoni adresat e fcb të Jeroen Zandberg, të cilat janë hapur në gusht 2017 dhe faqja e partisë së Yohan Byrde është elur në internet vetëm para disa muajve. Me një kërkim në google emrat e dy fantazmave si “eurodeputetë” holandezë që na u paraqitën në Vlorë më 30 shtator nuk i gjejmë si politikanë, por si shkrimtar dhe anëtarë të shoqatave jo qeveritare.
Për Çështjen Çame mund të kontribuoj çdo shqiptar apo i huaj, por kjo çështje ka përfaqësuesit e saj legjitimë, siç janë Shoqata “Çamëria” e themeluar në Tiranë në vitin 1991 dhe PDIU.