Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton në Britani: “Brexit”, një gënjeshtër e madhe

Hillary Clinton po bën një tur në Britani, me mesazhin se referendumi për “Brexit”-in u fitua mbi bazën e një gënjeshtre të madhe, e duke paralajmëruar se Vladimir Putin po bën një luftë të ftohtë kibernetike kundër Perëndimit.

Ajo iu kërkoi më shumë grave të hynin në politikë dhe lëvdoi ato gra që denoncuan manjatin e “Hollywood”-it dhe donatorin e demokratëve, Harvey Weinstein.

Megjithatë, Clinton nënvizoi se edhe Donald Trump është akuzuar për agresion seksual dhe se ka një histori të gjatë të mizogjinisë, por pavarësisht kësaj, mbështetësit e tij janë të kënaqur që ai është në Zyrën Ovale.

Disa demokratë i kërkuan asaj të heshtte pas disfatës me Trump, por ajo nuk pranoi ta bënte këtë. Ajo këmbënguli që të luante rolin e saj në një përpjekje për të rifituar vendet demokratike në zgjedhjet e afërta të mesit të mandatit.

Ajo pranoi se, pas humbjes në zgjedhje, kishte qenë shumë pranë kolapsit, e zemëruar dhe e zhgënjyer, por ishte ringritur sërish.

Clinton ndodhet në Britani për të promovuar librin e saj me kujtime, të titulluar “What Happened” (Çfarë ndodhi).

“Kur e shoh referendumin për ‘Brexit’-in tani, mendoj se ishte një rrjedhojë e asaj që ndodhi te ne në SHBA. Gënjeshtrat janë një mekanizëm shumë i fuqishëm dhe ne, në njëfarë mënyre i pranojmë ato në demokracitë perëndimore, pjesërisht për shkak të lirisë së shtypit. Por duhet të ketë një nivel bazë faktesh dhe provash kudo”, tha Clinton.

Ajo i kërkoi Britanisë të tregohet e kujdesshme në lidhjen e marrëveshjeve të tregtisë me Trump, duke nënvizuar se ai nuk beson te tregtia e lirë.

Please follow and like us: