Rama takon Ahmetin në Shkup: Shqipëria e interesuar për stabilitet politik në Maqedoni
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot me rastin e takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama deklaroi se kanë biseduar për ngjarjet aktuale politike në Maqedoni dhe për mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm.
“Kishim takim shumë të dobishëm, e informova për ngjarjet politike në vend rreth zgjedhjeve lokale dhe të gjitha proceset që u zhvilluan sepse kishte interes të madh nga kryeministri Rama”, deklaroi Ahmeti. Sipas tij, Shqipëria është shumë e interesuar për stabilitetin politik, gjegjësisht për stabilitet të qëndrueshëm në Republikën e Maqedonisë. “Kryeministri Rama na inkurajoi të vazhdojmë po kështu edhe në raundin e dytë dhe Republika e Maqedonisë të vazhdojë me proceset e filluara drejt zbatimit të reformave në gjyqësi dhe në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Dëshiroi të kemi sukses dhe u interesua edhe për thellimin e bashkëpunimit të dy vendeve tona dhe për implementimin e të gjitha marrëveshjeve bilaterale”, tha Ahmeti.