Albspirit

Media/News/Publishing

Ushtria e Irakut hyn në Falluxha

Ushtria e Irakut ka sulmuar qytetin Falluxha, i cili kontrollohet nga grupi militant Shteti Islamik (IS). Ky zhvillim vjen një javë pasi qeveria ka nisur përpjekjet e bashkërenduara për të rimarrë qytetin, i cili ka rënë në duart e xhihadistëve qysh në vitin 2014.

Rreth 50,000 civilë janë të bllokuar brenda, ndërsa vetëm pak familje kanë arritur të ikin.

Kombet e Bashkuara thonë se kanë raporte për njerëz që kanë vdekur nga uria dhe që janë vrarë pasi kanë refuzuar të luftojnë në anën e Shtetit Islamik.

“Brenda Falluxhës kemi raporte dramatike për rritje të ekzekutimeve të burrave dhe djemve që refuzojnë të luftojnë në anën e Shtetit Islamik. Raporte të tjera thonë se një grup njerëzish që ka bërë përpjekje të largohet, është ekzekutuar”, ka thënëMelissa Fleming, zëdhënëse e Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatë.

Falluxha ka qenë nën rrethim që gjashtë muaj dhe shumë pak ushqime apo ilaçe kanë mundur të hyjnë në qytet.

Agjencitë humanitare kanë bërë vazhdimisht thirrje që t’iu lejohet civilëve të largohen.

Forcat shtetërore, përfshirë anëtarë të një njësie anti-terroriste, janë duke hyrë në qytet në disa fronte, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Luftëtarët e Shtetit Islamik raportohet se janë duke bërë rezistencë me sulme vetëvrasëse dhe makina bomba.

Operacioni për rimarrjen e Falluxhas ka nisur qysh më 22 maj. Një oficer i ushtrisë ka thënë më 29 maj se trupat qeveritare kanë rikthyer 80 përqind të territorit përreth qytetit.

Falluxha, së bashku me Mosulin, janë dy qytete të mëdha që kontrollohen nga Shteti Islamik në Irak.

Falluxha është një qendër e rëndësishme fetare për pakicën sunite të Irakut. E ndërtuar mbi një udhëkryq rrugësh nga Arabia Saudite dhe Jordania, Falluxha ka qenë në mesin e vendeve të para në Irak ku ideologjia e ashpër vahabiste ka lëshuar rrënjë.

Në nëntor të vitit 2004, ushtria amerikane ka pësuar humbjen më të madhe në disa dekada gjatë një operacioni kundër militantëve të Al Kaidës në Falluxha. Së paku 95 ushtarë amerikanë janë vrarë në luftime të ashpra me xhihadistët. (REL)

Please follow and like us: