Albspirit

Media/News/Publishing

Rusia dhe mediat e blera në Ballkan

Peter Gross 

Rusia? Sërish? Blerje, kontroll, manipulim, përdorim të mediave në vende të tjera?

Në një univers lajmesh të rreme, dhe llojeve të tjera të luftës informative hiperaktive, të orientuar nga Kremlini në Evropën Lindore dhe gjetkë, një histori e shpërndarë gjerësisht në mediat e Tiranës rreth rusëve që kërkojnë të blejnë një gazetë shqiptare të paidentifikuar dhe tre portale online, mbetet një enigmë.

A duket si një informatë e çuditshme dhe e pakuptimtë, që mund të jetë një lajm i rremë (?), një provokim (?), një veprim parandalues (?), një shaka e tepruar (?), apo një lloj shpërblimi në natyrë për “gazetarët” e Putinit (?). Ndoshta përpjekja e supozuar e rusëve, në mos suksesi i tyre, për të blerë mediat shqiptare do të rezultojë e vërtetë, ose do jetë thjesht pak më tepër nga të njëjtat gjëra që kemi dëgjuar për disa vite me radhë.

S’ka asnjë tregues të qartë se kush e ka autorizuar këtë histori. U pretendua se autori është Mark Gjonaj, një amerikan me origjinë shqiptare, që shërben në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Por ai bëri një deklaratë ku e mohonte në mënyrë kategorike se qëndron pas shkrimit për Gazetën Dita: “Përse Rusia dëshiron të ndikojë në rajon, nëpërmes blerjes së medias”.

Ai e përsëriti përgënjeshtrimin e tij në një përgjigje me e-mail që më dërgoi më 2 tetor, duke shtuar se ka kërkuar nga “mediat që botojnë ose kopjojnë artikuj të tillë, që t’i japin fund kësaj historie, duke ndaluar botimin e një materiali të tillë haptazi të rremë”, dhe “kërkoi që ata të botojnë menjëherë një distancim nga këto deklarata të rreme”.

Ambasada ruse në Tiranë reagoi me shpejtësi, duke e karakterizuar historinë si pjesë të “fiksioneve anti-ruse”. Ajo e veçoi Gjonajn për “demonizimin” e Rusisë, dhe për “absurditetin e gjykimeve të tij”, si dhe “pasionin e tij për teoritë e konspiracionit”. “Mbetet të shihet, nëse në këtë rast ambasada mund të pohojë realisht, sipas proverbit të vjetër rus se është “më mirë të goditesh me shuplakë nga një e vërtetë, dhe pastaj të puthesh nga një gënjeshtër!”.

Kjo histori e veçantë e “Rusisë që blen median shqiptare” mund të jetë e rreme, por nuk është trillim fakti se Moska po shtie në dorë median e Evropës Lindore, për ta përdorur atë në misionin delikat të destabilizimit të kombeve të tjera, duke krijuar mosbesim midis qytetarëve dhe qeverive të tyre, demonizuar NATO-n, Bashkimin Evropian dhe demokracinë në përgjithësi, midis taktikave të tjera. Dhe kjo nuk është një “teori” konspiracioni, por një konspiracion i vazhdueshëm informativ, që është pjesë e luftës hibride të Rusisë.

Gjithashtu më 2 tetor, Federica Mogherini, shefja e politikës së Jashtme të BE-së, duke folur në ceremoninë e çeljes së Qendrës Evropiane të Ekselencës me qendër në Helsinki të Finlandës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride – të përbërë nga Norvegjia, SHBA dhe 10 vende anëtare të BE-së i kujtoi audiencës së saj se Task Forca e BE-së “StratCom East”, ka zbuluar mbi 3.000 raste ruse të dezinformimit vetëm në 2 vitet e fundit.

Tërësia e dezinformimit dhe rasteve të propagandës, të zbuluara nga burime të tjera evropiane dhe amerikane që mbajnë gjurmët e mashtruesve informative të Rusisë, e bëjnë zbulimin e “StratCom East”, një punë të thjeshtë. Pas krijimit të armëve binjake informative, të agjencisë së lajmeve “Sputnik” të kontrolluar nga Kremlini dhe kanalit televiziv Russia Today – së bashku me mashtruesit informativë në internet, dhe mediave ruse pothuajse të kontrolluara tërësisht dhe surrogatet e saj në Evropën Lindore – Rusia “ka investuar në një sërë operacionesh të tjera lokale” në rajon, sipas një raporti të Rrjetit të Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Medias (SEENPM).

Dhe sigurisht që mund të thuhet se moria e “investimeve” ruse, është bërë në mënyrë rigoroze për arsye gjeopolitike, dhe jo për përfitime financiare, sikurse e ilustrojnë katër shembujt e mëposhtëm. “Baltnews”, është një grupim portalesh lajmesh në gjuhën ruse, që shërben si një mjet propagande, dezinformacioni dhe shpifjesh keqdashëse.

Për shembull, në Estoni, uebjsajti lokal “po përpiqet të bashkojë kritikët e shtetit estonez, dhe përkthen lajmet e brendshme në rusisht, me një ton që iu përshtatet atyre … duke krijuar imazhin e Estonisë si një shtet i dështuar dhe pa asnjë perspektivë, dhe duke minuar unitetin e BE-së dhe NATOs”- shkruan gazeta Postimees.

Në pamje të parë, “Baltnews”, duket se është në pronësi të “Media Capital Holding BV” nga Holanda. Megjithatë, rezulton se kjo kompani zotërohet nga kompania ruse Media-Kapital, që nga ana e saj është në pronësi të “Moskovskiye Novosti”, që i përket agjencisë qeveritare së lajmeve “Novosty Rossiya Segodnya”.

Së bashku me Bosnje-Hercegovinën, edhe Maqedonia dëshiron t’i bashkohet me NATO-s dhe për pasojë është në shënjestër të Kremlinit. Nuk është çudi që sipas Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit , Rusia po përpiqet të “ndikojë dhe të ofrojë fonde” ndaj mediave, “përfshirë edhe ato që kanë për synim pakicën shqiptare të vendit, me qëllim përhapjen e informacioneve dhe dezinformacioneve” në mbështetje të qëllimeve të politikës  ruse”.

Në Serbi, një vend që shpesh shfaq dilemën e vet për t’iu bashkuar Lindjes apo Perëndimit, Kremlini financon një revistë mujore “R Magazine”, një shtojcë e futur në gazetën serbe “Nedeljnik”. Përmbajtja e revistës, prodhohet nga “Russia Beyond the Headlines” (Rusia Përtej Titujve”, një portal lajmesh që është akuzuar si një mjet propagandistik rus.

Vetë “R Magazine”, është përshkruar në një artikull të Komitetit  për Mbrojtjen e Gazetarëve si një “burim shumëgjuhësh mbi politikën dhe kulturën ruse, të sponsorizuar nga Rossiyskaya Gazeta , gazeta shtetërore e Rusisë”. Në gushtin e këtij viti, RTR Moldavia – e cila i takon stacionit televiziv shtetëror rus RTR , që transmeton në kanalet televizive ruse Rossiyia 1, Rossiyia Kultura, dhe Rossiyia24 – kërkoi leje nga Këshilli Kombëtar Audiovizual i Rumanisë për t’u vendosur në Bukuresht.  Sipas Shoqatës së Mediave të Pavarura të Moldavisë, programet e RTR përdorin “një numër manipulimesh dhe procedurash propagandistike”.

Duke iu rikthyer Tiranës, nëse rusët po luajnë rolin e tyre të zakonshëm të iniciatorëve të një “konspiratsiya” për të përhapur “dezinformatsiya” – dhe duke u përpjekur të gllabërojnë mediat me të cilat do ta bëjnë këtë – apo janë njëherë për njëherë objektivi i saj, kjo ende nuk është e qartë. Tani për tani, ajo çfarë ndodh në Shqipëri, mbetet një mister.

Shënim: Peter Gross është profesor në Shkollën e Gazetarisë dhe Medias Elektronike në Universitetin e Tennesit në Shtetet e Bashkuara. Ai ka shkruar gjerësisht mbi çështjen e mediave të Evropës Lindore dhe evoluimin e tyre që nga viti 1989. (Përgatiti A.Goca,

Please follow and like us: