Arjana Nokshiqi, bukuroshja që shkëlqen në pasarelat e modës
Në një intervistë ekskluzive modelja 18 – vjeçare Arjana Nokshiqi flet për mënyrën se si i ka hyrë rrugës së bukur të modelingut, përfaqësimit të saj në Gjeorgji në “Miss Planet” ku u rendit ndër dhjetë më të bukurat, mbështetja që ka nga prindërit si dhe vëllai e motra, përkrahjen që ka marrë nga Sidrita Sadikaj dhe synimet për të ardhmen.
Kush është Arjana Nokshiqi?
Jam një vajzë e thjeshtë e cila kërkon të realizojë synimin e saj për të qënë një modele e spikatur dhe e pangjashme me konkurentet e tjera. Sapo kam mbushur 18 vjeçe dhe jam nga Tropoja.
Diçka për familjen tuaj, prindërit, familjarët?
Ashtu siç është për të gjithë bashkëmoshatarët e mi familja është një prioritet më vete dhe gjëja më e rëndësishme për mua. Mbështetja më e mirë që mund të ketë çdokush për çdogjë. Prindërit janë ata që kanë mbështetur çdo vendim timin dhe më kanë dhënë guxim që të vazhdoj këtë rrugëtim pavarësisht kritikave të shumta dhe paragjykimeve që mund të kenë njerëzit për profesionin e të qenurit modele. Motra dhe vëllai janë ata që më mbushin me shpresë dhe me gëzim në çdo ditë të jetës time.
Kur keni dalë për herë të parë në skenë?
Hera ime e parë në skenë ka qenë në moshën 17 vjeçare, kjo do të thotë që eksperienca ime në skenë nuk është aq e lartë sa pretendohet që të jetë për një modele të mirë, por kjo më ka mjaftuar për të arritur disa suksese mbresëlënëse dhe të paharrueshme.
Emocionet tuaja në veprimtarinë ndërkombëtare në Gjeorgji?
Sigurisht të ishe përfaqësuese e Shqipërisë bashkë me 30 vajza të tjera të bukura nuk ishte aspak e thjeshtë. Por kjo gjë nuk më ndalon të them që ishte një eksperiencë e veçantë për mua pasi ishte gara ime e parë ndërkombëtare. Mirëpritja që m’u bënë në kryeqytetin e Gjeorgjisë në Tbisis ishte mjaft e mirë dhe e denjë për çdo bukuroshe pjesëmarrëse. Me plot gojën mund të them që ishte një eveniment i arritur deri në detaje.
“Miss Planet”, na thuaj ndonjë hollësi më shumë rreth kësaj veprimtarie?
Në këtë event morën pjesë 30 shtete të ndryshme të botës ku secila prej tyre kishte një bukuri më vete. Vajzat qëndruan në një hotel mjaft komod dhe të përshtatshëm për gati një javë. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore ne kemi bërë përgatitjet e duhura për eventin. Pjesëmarrjet në vendet e bukura të Gjeorgjisë, darkat e shumta dhe panairet, sigurisht që nuk kanë munguar. Po ashtu dhe masat e rrepta të sigurisë ishin mjaft të larta. Nuk munguan as fotot e shumta artistike dhe sidomos dhuratat e shumta që morëm nga juria. Duke kaluar tek mbrëmja gala, gjithsej u organizuan 3 sfilata dhe një kërcim me bukuroshet e huaja, ku njëra nga këto sfilata u bë dhe me këngëtarin e njohur gjeorgjian Markus Metreveli. Unë isha pjesë e top 10 me të mirave ku ndër këto u zgjodh dhe fituesja dhe 2 shoqërueset e “Miss Planet”.
Admiruesit e shumtë duan të dinë rreth shkollimit tuaj?
Përsa i përket shkollimit sapo kam mbaruam shkollën e mesme të përgjithshme dhe pres të ndjek studimet në shkollë të lartë.
A keni pasur mundësi të merrni pjesë në evente të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare?
Sigurisht që përgjatë këtij viti kam pasur mundësi të marr pjesë në evente kombëtarë që janë zhvilluar në Tiranë. Në eventin “Albania and Kosovo Miss\Mister Beaty Face” kam fituar vendin e dytë dhe gjithashtu u përzgjodha “Miss Image of Guess”. Gjithashtu dhe në një event të zhvilluar nga agjensia ku kam qenë e ftuar, kam fituar “The 3th Best Model”. Dhe në fund përzgjedhja e Sidrita Sadikaj për të përfaqësuar Shqipërinë në “Miss Planet” dhe për të qenë “Miss Planet Albania 2015” ishte një arritje që e prisja me shumë dëshirë.
Sipas vlerësimit tuaj: Kush janë bukuroshet më jetëgjata shqiptare, pra që e kanë ruajtur bukurinë një kohë të gjatë?
Unë mendoj që femrat shqiptare janë shumë të bukura duke marrë parasysh dhe faktin që kam qenë dhe jashtë vendit. Femra më e bukur shqiptare që ka arritur të ruajë bukurinë saj ndër vite për mua qëndron Valbona Selimllari. Natyrisht kam një admirim të veçantë edhe për shqiptaren nga Kosova që jeton në Zvicër Heidi Lushtaku, një bukuroshe kjo që është mjaft e njohur në tregun perëndimor, madje deri në Azinë e largët. Ajo është perfekte në çdo gjë dhe në çdo mënyrë të saj. Një ndër femrat më të bukura shqiptare është edhe Bleona Qerreti , e paragjykuar shumë në mënyrën e saj të stilit por më pëlqen, është një femër mjaft sensuale. Një tjetër femër që mund të shtoj është edhe Amarda Toska , një vajzë inteligjente dhe mjaft e mbajtur në çdo mjedis.
Shumë femra të hijshme kanë synim edhe aktrimin; a e keni edhe ju këtë pasion?
Faktikisht aktrimi më pëlqen por nuk e kisha menduar ndonjëherë si portë për të hapur dyert e së ardhmes time dhe nuk besoj që do e shikoj ndonjëherë.
Mes bukurisë dhe zgjuarsisë, kë do të vlerësonit më tepër?
Bukuria është kalimtare, kurse zgjuarsia është ajo që qëndron gjithmonë. Midis këtyre të dyjave sigurisht që do zgjidhja zgjuarsinë, pasi një femër e zgjuar është gjithmonë e bukur.
Një mesazh për fansat që të ndjekin përditë brenda dhe jashtë vendit?
Çdokush ka një ëndërr të ruajtur në sirtar dhe ndoshta për ndonjë arsye apo tjetër nuk e kanë shfaqur atë. Jeta jetohet vetëm një herë në jetë dhe çdokush duhet të realizojë dëshiirën e tyre. Besoni në vetvete dhe në gjërat që mund të bëni dhe do të shikoni që do arrini shumë, pasi kjo më ka ndodhur dhe mua.
Shtator 2015